Kusari Lila kritikon organizimin e seancës- 'Na bëtë horr'

Aktuale February 18, 2018 - 16:31

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka dhënë një varg kritikash për organizimin e seancës solemne të Kuvendit të Kosovës, për nder të 10 vjetorit të pavarësisë. Gjëra që ndoshta nuk janë vërejtur nga publiku, Kusari, i ka përmenduar në një shkrim të titulluar “Na bëtë Horr e hajt”. 

Ky është statusi i saj i plotë në FB:

Na bëtë Horr e hajt....

Na lëni të gëzohemi dhe na lëni të festojmë, pa e bërë pis më shumë punën. Për të gjithë që u egzaltuan mbrëmë me "Vallen e Rugovës" së Rita Orës në sheshin e stërmbushur me të rinj që morrën pak shpresë dhe vullnet nga suksesi i Ritës, sot na e mbytën "paria" e vendit me organizimin skandal të seancës soleme të Kuvendit.

Çdo gjë që mund të bëhej gabim sot u bë nga Kryetari i Kuvendit dhe kushdo që bashkë me të që ishin në këtë organizim.

Ulëset dhe radhitja e mysafirëve pa ndonjë rend apo protokoll, President të shtetit, ish-president, ish-Kryeministra, ambasadorë, krejt lëmsh.

Kush ulet lart dhe kush ulet poshtë nuk dihej saktë.

Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit kur u shpall Pavarësia, z. Sejdiu dhe z. Krasniqi, ishin ulur lart me lozhën e mysafirëve dhe të gazetarëve. Pastaj u kujtuan ta thërasin presidentin Sejdiu poshtë, por e lanë Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi lart.

Ish-Presidentin e Kroacisë Stipe Mesiç, njëherë gati se nuk e lanë të futet në sallë, pastaj kur e lanë e ulën në fund të rendit të parë, pas deputetit të Republikës së Maqedonisë.

Në adresimin e tij, Kryetari i Kuvendit, tregoi se nuk ka zyre apo personel të mirëfilltë që e mbështesin, se ju tha mysafirëve, keni ardhë më shumë se që prisnim.

Filloi ti përmend mysafirët ashtu si ju kishin ulur përballë, pa i shikuar fare ata në radhën e sipërme, kush janë dhe pse janë ata mysafirë aty. Përmendi një nga një, jo me protokoll, por me radhë të uljes (pa protokoll) dhe pasi Ambasadoren e BE-së e kishin ulur gati në fund të radhës afër bashkëshortes së Kryetarit të Kuvendit, z. Veseli së pari vendosi ta përmend bashkëshorten e tij e pastaj shkarazi edhe Ambasadoren e BE-së, Natalia Apostollova.

Mendova në atë moment për primitivizmin tonë Ballkanik. SIkur të ishte Ambasadorja e BE-së një burrë Gjerman, do të përmendej më herët. Por ka qëlluar grua e një shteti ish-komunist dhe prandaj e përmendin në fund.

Nëse dikush mendon se sot dua të bëj opozitën, gabon rëndë. Sot, do të doja që Kosova të shkëlqente. Që seanca e sotme të ishte shembull për të gjithë prezent dhe të ndiheshim pak krenar për arritjet e dekadës. Por nuk na lanë as këtë të voglën festë, pa na treguar kaosin dhe mungesën e dinjitetit që ekziston tek ata që duhej të ishin shembul për këtë.

Mos të harroj, komplet familjen e Kryeministrit dhe nipat e kunatat në pritjen e Rita Orës në zyrën e tij të Qeverisë. Nëse donte të jepte shembull të admirimit të këngëtares, kabineti i Kryeministrit kanë mundur të sillnin brenda fëmijë të dëshmorëve dhe familjarëve të zhdukurve dhe jo vetëm fëmijët dhe familjen e Kryeministrit. Ku jeni nisur kështu? Çfarë po ndodh me protokollin e shtetit? A keni privatizuar tani çdo gjë? A hyjmë në institucione apo në shtëpitë tuaja private?! Dreqi e mori na bëtë horr.

Tani protokolli i Kosovës është shëndruar në burra e gra, kuneta e kunetë dhe kusherinj. Rendi i ri shoqëror i Kosovës është tërësisht farefisnor dhe klanor.

E mysafirët e huaj të gjejnë mënyrën të na tregojnë se janë pasardhës të ilirivë dhe bashkëmendimtarë të pushtetarëve se ndryshe, sikur Stipe Mesiç, do të ulen në fund të rreshtit.

Marre!