Hoxhaj: Qëllimi më i lartë i Kosovës, anëtarësimi në BE

Aktuale February 18, 2018 - 15:08

Në konferencën ndërkombëtare  PanEuropa-Kosova, të mbajtur sot  me temën “Një dekadë e pavarësisë – Rruga Evropiane e Kosovës” zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është qëllimi më i lartë gjeostrategjik i Kosovës, ndërsa theksoi se Kosova ka popullin më pro-perëndimor në Ballkan.

Hoxhaj tha se Kosova nuk do ta harrojë ndihmën e miqve ndërkombëtarë dhe kontributin e tyre në realizimin e aspiratës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, duke shtuar se falë tyre, Kosova sot është dëshmuar të jetë një storie suksesi.

“Asnjëherë nuk do ta harrojmë rrugëtimin e gjatë që kemi pasur, të luftës për liri dhe pavarësi. Rrugë me përplotë sakrifica, por me plotë shpresa për realizimin e aspiratave të shumë gjeneratave për pavarësi dhe për ta pasur shtetin tonë. Kosova kurrë nuk do ta harrojë ndihmën dhe kontributin e miqve tanë ndërkombëtarë, të cilët janë të shumtë dhe janë kudo nëpër botë, që u angazhuan për Kosovën, që ajo sot të jetë një storie suksesi e ndërtimit të shtetit nga themelet”, ka thënë Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka folur për sukseset e Kosovës në arenën ndërkombëtare, njohjen diplomatike dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si dhe marrëdhënien kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian, përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.