BBC: Kosova i mbushi 10 vjet – por çfarë ka ende për të bërë?

Aktuale February 17, 2018 - 16:39

Kosova sot shënon ditëlindjen e saj të dhjetë, por vendi i ri ka pak për të festuar. Guy Delauney, korrespondent i BBC-së, transmeton Telegrafi, nxjerr në pah pesë qëllimet që vendit ballkanik i duhen ende për t’i arritur.

Shtoni njohjet ndërkombëtare

Mediet perëndimore shpesh japin përshtypjen se vetëm Serbia dhe aleati i saj Rusia, kanë refuzuar të njohin shpalljen e njëanshme të Pavarësisë së Kosovës. Në fakt, shumë vende ende nuk e pranojnë plotësisht legjitimitetin e saj.

Këtu përfshihet Kina, India dhe pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, më e zëshmja është Spanja, kundërshtimi i së cilës është ngurtësuar edhe më shumë pas krizës së fundit në Kataloni.

Si rezultat, strategjia e fundit e Bashkimit Evropian për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor mezi përmend Kosovën edhe pse teorikisht është një ‘kandidat potencial’ për anëtarësim. Rezultati është një ndjenjë e përhumbur e një gjendje harrese.

“Njerëzit kanë humbur shpresën se gjërat mund të ndryshojnë. Ne kemi nevojë për njohjen e Qipros, Greqisë dhe tre vendeve të tjera të BE-së – dhe në të ardhmen e afërt unë nuk mendoj se kjo do të ndodhë, ende nuk kemi përmbushur shumë kritere të brendshme, veçanërisht luftimin e korrupsionit”, thotë analisti politik, Agron Demi, nga Instituti GAP në Prishtinë.

Jepni shpresë të rinjve

Shkalla e papunësisë të të rinjve në Kosovë është rreth 60 për qind. Vetëm të rinjtë e Bosnjës e Hercegovinës vuajnë më shumë. Por Kosova ka popullatën më të re në Evropë, ku rreth gjysma e popullsisë së saj janë nën moshën 25 vjeçare.

Shumë prej tyre janë të arsimuar mirë dhe dinë shumë gjuhë. Por ka pak oferta për ta në vend dhe udhëtimi jashtë vendit është i komplikuar nga përpjekjet e Kosovës për njohje ndërkombëtare.

Kjo është pjesa e vetme e Ballkanit Perëndimor që nuk ka një marrëveshje liberalizimi me Bashkimin Evropian, gjë që do të lejonte udhëtimin pa viza në zonën Shengen.

Agron Demi thekson se kjo është katastrofale për të rinjtë që kanë siguruar një vend pune ose mundësi studimi jashtë vendit.

Jehona Gjurgjeala, nga organizata ‘Toka’, dekurajon cinizmin, por pranon se Kosova duhet të ofrojë më shumë për të rinjtë e saj.

“Ka pasur disa përparime, por duhet bërë shumë më tepër. Një nga potencialet tona më të mëdha është rinia – kjo tingëllon si një pasuri, por mund të jetë një detyrim nëse nuk investojmë në të në mënyrën e duhur”, thotë ajo.

Merruni me të kaluarën

Kosova udhëhiqet nga ata që luftuan për pavarësinë e saj që në vitet e ’90-ta. Si Presidenti, Hashim Thaçi dhe Kryeministri, Ramush Haradinaj, ishin udhëheqës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Por e kaluara ende mbetet një barrë. Haradinaj u përball dy herë me akuza për krime kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Ai u lirua në të dyja rastet. Vitin e kaluar, një gjykatë franceze refuzoi kërkesën serbe për të ekstraduar Haradinajn në Beograd për t’u përballur me akuzat për krime lufte atje.

Kosova ka pranuar për krijimin e një gjykate të posaçme në Hagë, e cila do të gjykojë ish-udhëheqësit e UÇK-së për krimet e pretenduara të kryera në vitet e ’90-ta. Pritet që disa figura politike të nivelit të lartë do të përballen me akuza.

Kishte lëvizje në Kuvend për të shfuqizuar Gjykatën – derisa diplomatët perëndimorë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e bënë të qartë se do të kishte pasoja serioze nëse Kosova nuk pranon të bashkëpunon. Tani Haradinaj thotë se Gjykata mund të provojë pafajësinë.

“Për fat të keq, kjo është një histori e pafundme. Por ne jemi të gatshëm ta pastrojmë të kaluarën tonë dhe t’i përgjigjemi drejtësisë, duke dëshmuar për çfarë ishim në atë kohë, kush ishim dhe çfarë jemi sot”, thotë Haradinaj.

Normalizoni marrëdhëniet me Serbinë

Serbia është e detyruar të normalizojë marrëdhëniet e saj me Kosovën para se të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Ka 35 ‘kapituj’ në negociata për pranimin e saj – njëra prej të cilave adreson çështjen në mënyrë specifike.

Pas ndërmjetësimit të BE-së, Kosova ra dakord t’u japë zonave me shumicë serbe një shkallë autonomie. Por opozita ka qenë e ashpër ndaj kësaj marrëveshje të supozuar – duke filluar me protestat në rrugë deri të hedhja e gazit lotësjellës në Kuvend.

Pra, marrëveshja mbetet e pazbatuar dhe dyshimi i ndërsjellë mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe vazhdon. Kjo lejon që nacionalistët e të dy etnive të përdorin frikën për të manipuluar elektoratin.

Këndoni në Eurovizion

Jo sepse Eurovizioni është kulmi i nivelit artistik, por për shkak të legjitimitetit që jepet nga pjesëmarrja në ngjarjet ndërkombëtare.

Është një mjet i butë për të inkurajuar njohjen diplomatike dhe nxit krenarinë kombëtare mes shumicës që normalisht do të ndjejë besnikëri ndaj Shqipërisë.

“Të shohësh njerëzit që luajnë dhe përfaqësojnë Kosovën kontribuon si një narracion që lidhet me shtetin kosovar”, thotë Besa Luci, e cila me sukses ka bërë fushatë për Kosovën që të merr pjesë në Olimpiadën dhe Kupën e Botës.

“Më në fund është dikush tjetër që përfaqëson Kosovën, klasa politike i ka zhgënjyer aq shumë njerëz që ta refuzojnë shtetin e Kosovës, por këta atletë janë shembuj të mirë, duke i bërë njerëzit krenarë dhe duke përqafuar konceptin e shtetit”, thotë ajo.

Zbatimi i kodit ndërkombëtar të thirrjeve për Kosovën është shenja e fundit e shtetësisë. Anëtarësimi më Kombet e Bashkuara dhe pjesëmarrja në Eurovizion duket shumë më e largët.