As ndarje, as shkëmbim të territoreve me Serbinë

Aktuale February 14, 2018 - 07:38

Opozita kosovare po e kundërshton fuqishëm çdo iniciativë të mundshme për ndarje të Kosovës apo për shkëmbim të territoreve me Serbinë.

Ditë më parë më medie u raportua se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni Ali Ahmeti kanë biseduar në Tiranë për ndarjen e Kosovës, përkatësisht për vizatimin e kufijve në Ballkan, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Por vetë Thaçi gjatë takimit që ka zhvilluar të hënën me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, e ka cilësuar si shqetësues dhe të dëmshëm debatin rreth idesë për ndarjen e Kosovës.

Përfaqësuesit e opozitës në vend vlerësojnë se me Serbinë as që duhet të diskutohen temat e tilla dhe se me këtë të fundit duhet të diskutohet vetëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në anën tjetër deputeti i Parlamentit të Serbisë, Millovan Drecun, ka deklaruar se “Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke u përpjekur që ‘nën tavolinë’ të ofrojë bisedime për mundësinë e shkëmbimeve të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ndërkaq, analistë të çështjeve politike në vend po konsiderojnë se debati për shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë bëhet nga ata që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe se po luhet një “lojë me zjarr”, e cila mund të shkaktojë trazira.

Lojërat me kufij në Ballkan, të rrezikshme

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në një intervistë për “DW”-në kishte thënë se deklaratat për ndarje territoriale të politikanëve serbë nuk janë serioze dhe lojëra të tilla janë të rrezikshme.

“Lojërat me kufij në Ballkan janë të rrezikshme, kushdo që luan me to. Nuk besoj se këto janë tregime serioze dhe nuk do të doja të flas për këto pasi e dimë se çfarë do të ndodhë nëse luajmë me këtë. Do të kishte tragjedi të cilat na kujtohen dhe nuk është e mençur të flasim për këtë. Është shumë e rrezikshme”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, presidenti i vendit Hashim Thaçi pas takimit me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se debate të tilla janë shqetësuese dhe nuk janë të mira as për paqen në rajon.

“Ide të tilla nuk i sjellin të mirë as vendit, as paqes e stabilitetit në rajon. Idetë e tilla nuk janë të institucioneve të Kosovës. Edhe lakimi i emrit tim në këtë problematikë nuk është i rastësishëm. Unë i kuptoj sponsorizuarit e kësaj ideje. Por përgjigjja ime është e qartë. Bibël dhe Kuran për mua është Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, jo spekulimet dy javë më herët të Spotnikut e pastaj të përkthyera e të transmetuara gabimisht në mediume të caktuara kudo që ato paraqiten”, tha ai.

Kurteshi: Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, pastaj mund të hapen tema tjera

Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, ka thënë për “Zërin” se derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës bisedimet për territor janë të pakuptimta.

“Para se të bisedojë për shkëmbim territoresh, Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ky është kusht i parë që e mundëson pastaj një dialog ose marrëveshje mes këtyre dy shteteve sovrane. Puna e parë që duhet të ndodhë është njohja e pavarësisë së Kosovës, sovraniteti i vendit dhe pastaj mund të shkojmë më tutje”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas tij, Serbia prapë do ta konsideronte Luginën e Preshevës si pjesë të saj.

“Në pozicionin që Serbia ka ndaj Kosovës dhe pretendimet territoriale që i ka, në kohën kur Kosova ende është pjesë e Serbisë sipas Kushtetutës së Serbisë, këto bisedime janë të pakuptimta sepse Serbia pastaj si do ta konsideronte atë pjesën e Preshevës, prapë pjesë të Serbisë, që do të thotë se rendi i gjërave është jo i rregullt”, ka thënë ai.

Kusari-Lila: Kosova është shtet me kufijtë e saj

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë për “Zërin” se Kosova do të jetë humbësja më e madhe nëse bëhet shkëmbimi i territoreve. Ai konsideron se çështja e shkëmbimit duhet të mbyllet.

“Ne duhet të bëjmë tejkalimin më të thjeshtë që kufijtë t’i zhdukim si nocione ku çdokush ku jeton të ketë të drejtë të jetojë lirshëm në të gjitha vendet fqinje. Shkëmbimi i territoreve sa është i rëndësishëm është edhe i dëmshëm sepse Kosova do të jetë humbësja më e madhe sepse është një shtet i brishtë dhe mendoj që nga ky proces do të dalim ne më së keqi dhe mendoj që kjo çështje duhet të mbyllet dhe të mos vazhdohet”, ka thënë ai.

Sipas tij, këto biseda janë të pakuptimta pasi Kosova është njohur si shtet, ndonëse thotë se “secili shtet i ka problemet e njëjta me pakica dhe mendoj që do të hapet një cikël jo i mirë, i cili nuk dihet se kur do të ndalet”.

Edhe deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se shkëmbimi i territoreve është i papranueshëm.

“Është e papranueshme. Kjo gjë nuk duhet të hapet fare. Kosova është shtet dhe ka kufijtë e saj të definuar dhe sfida kryesore është shtrirja e funksionimit të shtetit në territorin e saj dhe jo heqja dorë e ndonjë pjese të territorit të Kosovës”, ka theksuar ajo për “Zërin”.

Kadrijaj: Shkëmbimi i territoreve, spekulim

Deputetja e AAK-së, Time Kadrjaj, nuk pranon se është diskutuar një gjë e tillë. Sipas saj, shkëmbimi i territorit është vetëm fjalë.

“Nuk është diskutuar kjo. Këto janë fjalë të portaleve sepse nuk është përfshirë ajo as në temë të diskutimeve dhe as në tavolinën e diskutimit. Nuk besoj që është tendencë as e palës kosovare për të bërë një shkëmbim të tillë. Këto janë fjalë dhe fjalë do të mbeten. Kosova duhet ta ruajë tërësinë territoriale të saj dhe të punojë dhe të dialogojë e të lobojë sepse në këta kufij Kosovës i është njohur edhe pavarësia”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe deputeti i PDK-së dhe njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj. Ai përmes një shkrimi në “Twitter” ka thënë se shkëmbimi i territorit është vetëm propagandë e Serbisë.

“Serbia po intensifikon agjendën propaganduese dhe po sulmon Kosovën në 10-vjetorin e Pavarësisë. Lajmet e rrejshme dhe kërcënimet e vazhdueshme për ndarje të territorit dhe për ndryshim të kufijve janë pjesë e kampanjës sistematike kundër Kosovës dhe të ardhmes euroatlantike të rajonit”, ka theksuar ai.

Baraliu: Shkëmbimi, “lojë me zjarr”

Analisti i çështjeve kushtetuese dhe politike, Mazllum Baraliu, ka thënë për “Zërin” se debati për shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe të Serbisë bëhet nga ata që nuk ia duan të mirën Kosovës, kjo është një “lojë me zjarr”.

“Thjesht, debati për kinse shkëmbimin e territoreve në vigjilje të përvjetorit të 10-të të Pavarësisë së Kosovës është sigurisht edhe një tentativë e të gjithë atyre që dëshirojnë të bëjnë pazare në kurriz të Kosovës. Ata relativizojnë qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës, perspektivën e Republikës dhe janë forca që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe janë lojëra me zjarr. Ka pasur mjaft gjakderdhje dhe mjaft strehime në ato që quhen në fole etnike e që kanë shkaktuar tragjedi të mëdha”, ka theksuar ai.

Sipas Baraliut, shkëmbimi i territoreve mund të lerë pasoja të mëdha.

“Mund të shkaktohen pasoja të mëdha të cilat mund të dalin edhe jashtë kontrollit të kuptimit të stabilizimit të gjithë Ballkanit sepse nëse në Kosovë ndodh kjo mund të ndodhë edhe në Bosnjë, në Maqedoni e në Serbi. Këmbimi i territoreve nuk i shkon në favor Kosovës. Ata që luajnë këto lojëra e kanë gabim se i ofrojnë një rrezik Kosovës dhe pasoja Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ndërsa analisti Ramush Tahiri ka thënë se shkëmbim të territoreve mund të bëjnë shtetet që janë të pranuara ndërkombëtarisht. Sipas tij, Kosovës nuk i është drejtuar askush me këtë kërkesë.

“Shkëmbim territoresh mund të bëjnë shtetet që janë të pranuara ndërkombëtarisht që e njohin njëri-tjetrin dhe që kanë kufij ndërkombëtarë të projektuar dhe të pranuar”, ka thënë ai.