Serbia njofton Brukselin për vazhdimin e dialogut me Kosovën

Aktuale February 13, 2018 - 15:11

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq gjatë një takimi me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Brathu, ka deklaruar se Serbia ka njoftuar Brukselin se është e gatshme për vazhdimin e dialogut me Kosovën, shkruajnë mediat serbe.

Sipas Gjuriqit, Serbia dëshiron që dialogu të vazhdojë, duke shtuar se pengesat e vetme deri më tani vinin nga Prishtina, e cila një vit më parë përmes një vendimi zyrtar në Parlament ka ngrirë procesin e dialogut, transmeton Telegrafi.

“E kemi njoftuar Brukselin që jemi të gatshëm për vazhdimin e dialogut”, ka shtuar Gjuriq gjatë takimit me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Duke folur për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rreth hetimeve të kryera për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Gjuriq ka thënë se është i kënaqur edhe pse me një muaj vonesë, më në fund u ka arritur në Beograd dokumentacioni nga Prishtina lidhur me hetimet e kryera për vrasjen e Ivanoviqit.