Pahor: Të ratifikohet Demarkacioni!
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë Marrëveshjen e Kufirit me Malin e Zi, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Ai po ashtu ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë në kuadër të dialogut të Brukselit. Këto deklarata presidenti slloven i ka dhënë pas takimit që ka zhvilluar me homologun e tij kosovar Hashim Thaçin në Prishtinë.
“Në mënyrë aktive kërkojmë që çështjet për problemet dypalëshe dhe zgjidhjet të respektohen dhe në këtë mënyrë përgjigjemi në dilemën që lind në draftin për zgjerimin e BE-së. Ne kemi qëndrim ndryshe lidhur me këtë çështje e mendoj që situata në BE është e mirë. Ne presim që Kosova ta ratifikojë Marrëveshjen me Malin e Zi dhe ta respektojë marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës dhe krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është më i lehtë dhe më i suksesshëm”, është shprehur Pahor.
Ai ka thënë se ndihet i nderuar që për këtë çështje të martën (sot) do të mundë t’u drejtohet deputetëve të Kosovës në një seancë solemne, shkruan tutje "Zëri".
Presidenti slloven Borut Pahor më tej ka thënë se shteti i tij do ta vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën, në mënyrë që të kontribuojnë në paqe dhe në siguri në rajon.
LEXO EDHE: S’ka njohje, veç çnjohje
“Dua t’i lus përfaqësuesit e medieve që nëse është e mundshme t’ua kalojnë urimet e mia më të mira shtetaseve të Kosovës për 10-vjetorin e Pavarësisë, ky është takimi i miqve, unë e presidenti Thaçi jemi miq dhe shtetet tona janë mike. Do ta vazhdojmë bashkëpunim më tutje, do të kujdesemi që së bashku të bëjmë gjithçka çka është në forcën tonë që të kontribuojmë në paqe, në siguri për këtë rajon”, ka deklaruar Pahor, duke thënë se Sllovenia është investitor i rëndësishëm në Kosovë.
Kurse kreu i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka falënderuar Slloveninë për mbështetjen e saj në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.
Thaçi ka thënë se Kosova është njohur nga 115 shtete dhe se është anëtarësuar në rreth 200 organizata ndërkombëtare.
Ndërsa ka ritheksuar synimet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Kosova është njohur nga 115 shtete, është pranuar në rreth 200 organizata. Synimi ynë është të jemi pjesë e BE-së dhe OKB-së. Kosova ka ndërtuar raporte me fqinj si Maqedonia, po punojmë me Serbinë t’i implementojmë gjithë marrëveshjet në Bruksel dhe vitin tjetër ta arrijmë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve si parakusht për në BE. Do të krijojmë Kosovë evropiane me fqinjësi të mirë euroatlantike. Për ne mbështetja sllovene është jetike”, ka potencuar Thaçi.
Më tej ai ka thënë se po punohet në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel me Serbinë. “Gjatë këtij viti ta arrijmë marrëveshjen përfundimtare mes dy vendeve si parakusht për integrime evropiane. Do ta vazhdojmë luftën tonë kundër ekstremizmit”, ka thënë Thaçi.
Ai është shprehur i bindur se çështja e demarkacionit me Malin e Zi do të përmbyllet shumë shpejt. “Sfidat do t`i kalojmë. Kosova ka pritur pak më tepër qartësi, por Kosova do t`i kryejë obligimet e veta sa i përket Demarkacionit, jemi duke punuar intensivisht në këtë drejtim, si dhe për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Mbështetja sllovene është jetike”, ka shtuar Thaçi.
Thaçi ka komentuar edhe shkrimet e medieve serbe për ndarjen e Kosovës. Sipas Thaçit, ndarja e Kosovës është çështje e vdekur.