S’ka njohje, veç çnjohje
Pavarësinë e Kosovës gjatë vitit të kaluar e kanë njohur vetëm dy shtete, po aq sa e kishin njohur edhe në vitin 2016. Procesi i njohjeve ndërkombëtare ka ngecur në katër vjetët e fundit, përderisa Serbia është duke lobuar fuqishëm që shtete të caktuara t’i tërheqin njohjet e tyre, shkruan sot Gazeta "Zëri"
Vetëm dy shtete e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës gjatë vitit të kaluar, aq sa e kishin njohur edhe në vitin 2016.
Për dhjetë vjet shtet Kosova ka arritur t’i sigurojë vetëm 115 njohje ndërkombëtare, përderisa vendi njëkohësisht po përballet me lobim të fuqishëm të Serbisë tek disa shtete që t’i tërheqin njohjet e tyre.
Në vitin 2008, kur Kosova e kishte shpallur Pavarësinë, vendi ishte njohur nga 53 shtete dhe që nga ajo kohë procesi i sigurimit të njohjeve ndërkombëtare ka ngecur dukshëm, shkruan tutje "Zëri".
Dështimet më të mëdha në këtë drejtim janë shënuar nga viti 2015 e këndej, kur Kosova nuk ka arritur t’i sigurojë më shumë se tri njohje në vit.
Kosova edhe më tutje nuk është njohur nga pesë shtetet anëtare të përhershme të BE-së (Spanja, Greqia, Sllovakia, Qiproja, Rumania), të cilat i kanë sjellë telashe vendit në procesin eurointegrues.
Përndryshe, edhe shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë qëndrime të ndryshme ndaj pavarësisë së Kosovës.
SHBA-ja, Franca dhe Britania e Madhe e kanë njohur Pavarësinë, ndërsa Rusia dhe Kina e kanë kundërshtuar në vazhdimësi atë.
Ndonëse njohjet e reja për Kosovën po mungojnë, së fundmi po flitet edhe për tërheqje të njohjeve.
Mediet serbe kanë raportuar që ish-diplomati çek Jan Kavan ka filluar një peticion për tërheqjen e njohjes për Kosovën nga Republika Çeke, derisa është raportuar edhe për tërheqjen e njohjes nga Surinami.
Zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se Serbia po bën presione tek vendet që e kanë njohur dhe që nuk e kanë njohur Kosovën, ndonëse konsiderojnë se janë duke marrë masa për ta adresuar këtë sfidë.
Në mungesën e njohjeve thuhet se po ndikojnë edhe dy çështjet kryesore në vend: Demarkacioni me Malin e Zi dhe Gjykata Speciale.
Deputetët opozitarë konsiderojnë se diplomacia kosovare ka dështuar, ndërsa analistë të çështjeve politike thonë se përfaqësuesit e institucioneve nuk kanë bërë punë të mjaftueshme dhe kjo situatë po u konvenon më së shumti Serbisë dhe Rusisë.
Vuniqi: Serbia po bën fushatë agresive
Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës thonë se do të angazhohen fuqishëm për të siguruar njohje të reja, përderisa statistikat e flasin të kundërtën.
Në vitin 2012 Kosovën e njohën 12 shtete, 8 shtete në vitin 2013, 4 shtete në vitin 2014, 3 shtete në vitin 2015, 2 shtete në vitin 2016 dhe 2 shtete në vitin 2017.
Rejhan Vuniqi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme, ka thënë për “Zërin” se misionet diplomatike të Kosovës po angazhohen për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës. Sipas saj, Serbia po bën presione tek vendet që nuk e kanë njohur Pavarësinë.
“Ministri Pacolli ka informuar gjithashtu presidentin, Qeverinë dhe Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Parlamentit të Kosovës për presionin qe ka rritur Serbia mbi një grup vendesh që e kanë njohur Kosovën dhe jonjohësit, në mënyrë që ose ta tërheqin njohjen apo të mos e njohin Kosovën fare. Kjo fushatë është agresive dhe e mbështetur nga aleatet e saj tradicionalë”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, Serbia po përdor instrumente të ndryshme, siç thotë ajo “financat, votimi në OKB, prania e kompanive serbe në kontinente të ndryshme, industria e saj e mbrojtjes, bursat dhe mjete të tjera, për t'u bërë presion vendeve ta tërheqin njohjen ose të mos e njohin Kosovën”.
Ndërsa për promovimin sa më të mirë të Kosovës Vuniqi ka treguar se po kërkohet edhe angazhim i të gjithë akterëve.
“Po krijojmë kontakte me vendet me të cilat që nga njohja e tyre ne nuk kemi pasur bashkëpunim bilateral. Ministri Pacolli ka kontaktuar të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën, por nuk ka marrëdhënie diplomatike dhe kjo është një çështje që po i jep personalisht fokus të veçantë. Kjo është një betejë diplomatike që Kosova e ka fituar që nga viti 2008, por kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve për të promovuar një imazh më të mirë të Kosovës në botë, në mënyrë që vendet ta kenë më të lehtë njohjen e Kosovës”, ka theksuar ajo
Sipas Vuniqit, vendet kur njohin Kosovën duan të llogarisin në një partner të besueshëm që është i suksesshëm në ndërtimin e shtetit, por siç shton ajo “kjo kërkon më shumë përpjekje nga politikanët, mediet, shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit për t'ia dhënë Kosovës një imazh më të mirë dhe më të fuqishëm në botë”.
Në anë tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj ditë më parë ka mbajtur një fjalim para deputetëve të Parlamentit Evropian në lidhje me 10-vjetorin e Shtetësisë së Kosovës, ku ka thënë se është e paimagjinueshme që në vigjilje të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ende janë pesë vende të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.
Sipas tij, mosnjohja ndërkombëtare e Kosovës është agjendë e Rusisë.
“Agjenda kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës është agjendë e Rusisë dhe është absurde që në vitin 2018 shtetet e BE-së të mos kenë gjetur gjuhë të përbashkët sa i përket Kosovës. Kjo mungesë e unitetit brenda BE-së është reflektuar edhe në pozitën e Kosovës në Strategjinë e re të BE-së për Zgjerim në Ballkan. BE-ja duhet të bëjë më shumë që pesë vendet e mbetura jonjohëse ta njohin Kosovën dhe ta pranojnë realitetin e ri në Evropë”, ka thënë ai.
Avdyli: Diplomacia ka dështuar
Deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli ka thënë se pozita e Kosovës në botë është shumë më e keqe se vitet më përpara dhe se diplomacia vendore ka dështuar.
Sipas tij, shpenzimet për diplomaci janë enorme, ndonëse mungojnë sukseset.
“Pavarësisht asaj që shpenzimet për diplomaci janë enorme në kuptim të ambasadave, të konsullatave e gjërave të tjera, por pavarësisht kësaj sukseset janë më të vogla. Pozita e Kosovës në botë është shumë më e keqe se vitet më përpara dhe mendoj se diplomacia jonë ka dështuar. Diplomacia nuk është vetëm në rritje të njohjeve, por edhe me tërheqje të investimeve, në krijimin e marrëveshjeve bilaterale me ato shtete që na kanë njohur dhe zhvillimet e fundit në Kosovë nuk po premtojnë që do të përmirësohet, por kjo gjendje do të përkeqësohet”, ka thënë ai për “Zërin”.
Sipas tij, tensionimi i raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe me Evropën do t’i kushtojë shtrenjtë Kosovës.
Pacolli: Nuk u punua me pesë shtetet që s’e kanë njohur Kosovën
Fitore Pacolli, anëtare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane (nga LVV-ja), ka thënë për “Zërin” se është dashur të punohet në njohjen e Kosovës nga pesë shtetet evropiane.
“Është dashur të bëhet shumë punë së pari me pesë shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Të gjitha qeveritë deri më sot nuk kanë bërë asnjë hap të rëndësishëm sa i përket bashkëpunimit bilateral me shtetet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe as në thellimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetet të cilat tashmë e kanë njohur Kosovën”, ka shprehur ajo.
Sipas saj, shumë prej veprimeve të qeveritarëve e kanë larguar Kosovën prej integrimeve.
“Kosova nuk mund të ofrohet më afër integrimit vetëm përmes deklarimeve të qeveritarëve, por përmes veprimeve dhe punëve konkrete. Veprime dhe punë konkrete ka pasur pak dhe shumë prej veprimeve të tyre më shumë e kanë larguar Kosovën nga integrimi sesa që e kanë ofruar”, ka thënë ajo.
Shumë udhëtime, por pa rezultate
Njohësi i çështjeve politike dhe kushtetuese Mazullum Baraliu ka thënë se nuk është bërë asgjë për sigurimin e njohjeve të reja.
“Ka pasur vetëm lëvdime se do të bëhen punë të mëdha, do të bëhen njohje, angazhime e avancime të pozitës së Kosovës deri në anëtarësimin në OKB, por nuk është bërë asgjë”, ka thënë ai.
Sipas tij, nuk kanë munguar udhëtimet, por ka munguar rezultati.
Analisti i çështjeve politike Imer Mushkolaj ka thënë se edhe Demarkacioni dhe Gjykata Speciale ndikojnë në mosnjohjen e Kosovës, mirëpo siç thotë ai ndikimin më të madh në njohjen e Kosovës e ka lobimi.
“Lobimi ka ndikim direkt, por në anën tjetër natyrisht se e kanë ndikimin e vetë edhe këto çështje (Demarkacioni dhe Specialja), mirëpo merret parasysh se në këtë mënyrë jepet një mesazh i keq që shteti i Kosovës nuk është në gjendje që t’i kryejë detyrat e veta, në njëfarë forme mund të shkaktojë hezitim tek shtetet që të mos e marrin mundimin dhe vendimin e duhur”, ka theksuar ai.