Debakli në Bruksel

Aktuale February 08, 2018 - 07:49

Dialogu Prishtinë- Beograd, i nisur në vitin 2011 për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, deri më tani nuk e ka arritur një rezultat të tillë. Për më tepër, ky dialog e ka ndihmuar Serbinë të avancojë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e precizuar se deri në vitin 2025 mund të jetë pjesë e kësaj të fundit. Ndërsa Kosovën e ka lënë pa një afat të qartë për anëtarësim të mundshëm në BE, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Derisa Serbia prej të martës e ka të qartë afatin e mundshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) e që është viti 2025, Kosovës me Strategjinë e Zgjerimit të BE-së nuk i është përcaktuar ndonjë afat i qartë kalendarik për anëtarësim të mundshëm.

Rëndësi të madhe për avancimin e Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në këtë union vlerësohet se ka dialogu i Brukselit.

Por, pavarësisht kompromiseve të shumta të palës kosovare, shteti ynë nuk ka përfituar nga dialogu në procesin e integrimit, shkruan tutje "Zëri".

Zyra e Kryeministrit Haradinaj nuk ka dashur të komentojë për ecurinë e deritanishme të dialogut të Brukselit, por sipas kësaj Zyre dialogu duhet të jetë i strukturuar dhe i afatizuar.

“Dialogu është alternativa e vetme për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Kosova ka treguar konstruktivitet dhe gatishmëri për dialogun. Megjithëkëtë, dialogu duhet të jetë i strukturuar dhe i afatizuar në kohë dhe duhet të përmbyllet me njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve. Dialogu nuk mund të zgjasë në pakufi dhe rruga evropiane për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Kosovën, duhet të jetë e qartë dhe me trajtim të barabartë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit për gazetën Zëri.

Selimi: Dialogu ka shkuar në favor të interesave të Serbisë  

Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka thënë se i gjithë dialogu deri më tani ka shkuar vetëm në favor të interesave politike të Serbisë.

“E para, ky dialog është i bazuar për ta sfiduar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pavarësinë e saj. Sikur të ishte në përputhje me Kushtetutën dhe me pavarësinë e Kosovës ky dialog nuk do të ndodhte fare. E dyta, temat e këtij dialogu janë të sponsorizuara vetëm nga Serbia. E treta, asnjë marrëveshje deri më tani nuk është nënshkruar nga Serbia nëse ajo marrëveshje do të ishte në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, është shprehur Selimi, duke thënë se nëse ndonjë marrëveshje do ta sfidonte Kushtetutën e Serbisë nuk do të nënshkruhej.

Ai madje ka thënë se gabimi më i madh i Kosovës është se ka biseduar me Serbinë për ndërtimin e brendshëm të Kosovës.

“E katërta dhe më e rëndësishmja, gabimi i Kosovës ka qenë se ka pranuar të bisedojë me Serbinë si kundërshtarja më e madhe e pavarësisë së Kosovës për ndërtimin e brendshëm të Kosovës. Për serbët e Kosovës, për integrimin e tyre e për jetën e tyre do të duhej të bisedonim me serbët e Kosovës dhe me përfaqësuesit legjitimë të tyre”, ka shtuar Selimi.

Në fund, ai ka thënë se Serbia pret që me përfundimin e dialogut ta kthejë sovranitetin në një pjesë të territorit të Kosovës, pra në pjesën veriore. 

Kusari - Lila: Duhet të ketë rishikim të dialogut

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, ka thënë për “Zërin” se Qeveria e Kosovës duhet t’ia bëjë një rishikim dialogut të Brukselit.

“Dialogu Kosovë- Serbi duhet ta ketë një rishikim të mirëfilltë dhe të përcaktohen disa kritere të qarta të arritjes dhe zbatimit të marrëveshjeve. Konsideroj se Qeveria filloi me dështim të njëjtë sikur ajo e kaluara, duke mos e bërë një vlerësim të mirëfilltë të marrëveshjeve të cilat janë arritur”, ka vlerësuar Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se dialogu duhet të vazhdojë, porse duhet të ketë afate të qarta dhe të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet të dyja shteteve.

Kusari-Lila tha se është e rëndësishme që të zgjidhen disa çështje teknike.

“E rëndësishme është që çështjet teknike që po diskutohen të kenë një epilog në të mirë të qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie. Interkonjeksioni është njëra prej tyre, çështja e hapësirës ajrore është e dyta, problemet me lirinë e lëvizjes janë tepër me peshë. Problemet që paraqiten në kohën kur diaspora vjen në Kosovë përmes Serbisë e disa çështje tjera që kanë nevojë për rishikim të mirëfilltë”, ka përfunduar ajo.

Krasniqi: Serbia ka avancuar drejt BE-së, Kosova ende pa rrugëtim të qartë

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se dialogu deri më tani ka prodhuar rezultate kundërthënëse dhe se pala kosovare duhet ta kishte përdorur këtë proces më mirë për t’i shtyrë përpara çështjet të cilat janë në interes të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

“Dialogu ka sjellë marrëveshje, të cilat kanë bërë hapa përpara drejt shtrirjes së sovranitetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit në disa fusha. Por, ky proces ka prodhuar edhe marrëveshje të cilat kanë prekur rendin kushtetues të Kosovës, siç është Marrëveshja për Parimet e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe apo dhe cenimin e parimit multietnik të shtetit të Kosovës me Marrëveshjen për Drejtësi”, ka vlerësuar Krasniqi.

Ajo më tej ka thënë se Serbia në kuadër të këtij procesi ka avancuar në rrugëtimin drejt BE-së, ndërsa Kosovës ende duhet t’i përcaktohet rrugëtimi për shkak të 5 shteteve jonjohëse.

Megjithatë, ajo ka thënë se pozitiv është fakti që Bashkimi Evropian kushtëzon integrimin e dy vendeve me një marrëveshje legale, e cila duhet zbatuar nga Kosova dhe Serbia, pra detyron palët ta njohin një lloj realiteti faktik.

“Ky proces duhet të përmbyllet me adresimin e çështjeve, të cilat janë kontestuese midis palëve. BE-ja e ka bërë të qartë që nuk do të pranojë asnjë shtet të ri anëtar, i cili ka çështje të hapura me fqinjët e saj. BE-ja pret nga Kosova dhe nga Serbia që të nënshkruajnë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Kjo është një mundësi, të cilën pala kosovare duhet ta konsiderojë me seriozitet të lartë duke artikuluar pritshmëritë e saj, por mbi të gjitha duke ndërtuar strategji të mirëfilltë të shtetit të Kosovës në këto bisedime”, ka theksuar Krasniqi.

Kjo sipas Krasniqit duhet të ndodhë në radhë të parë duke analizuar procesin e dialogut që nga viti 2011, duke identifikuar ngecjet, sfidat, barrierat, të arriturat dhe mangësitë e këtij procesi.

“Mbi bazën e kësaj analize duhet të ndërtojë strategjinë e Kosovës të bazuar në një format gjithëpërfshirës të skenës politike në konsultim të gjerë me shoqërinë civile dhe me qytetarët. Shteti i Kosovës duhet ta ndërtojë platformën shtetërore negociuese në këto bisedime, duke përfshirë epilogun e pritshëm, temat e diskutimit, afatet kohore, marrëdhënien me BE-në dhe zgjidhjen e problemit të 5 shteteve mosnjohëse të BE-së, si dhe anëtarësimin në OKB”, ka shtuar Krasniqi.

Ajo në fund ka thënë se duke parë që BE-ja nuk ka një qëndrim unik rreth Kosovës ende dhe duke e ditur realitetin e mosnjohjes së 5 vendeve anëtare të BE-së, duket e largët ende njohja e ndërsjellë e Kosovës dhe e Serbisë si realitet juridik në një marrëveshje që mund të arrihet në të ardhmen e afërt.