Vuçiq: Ka ardhur koha ta paguajmë çmimin e së kaluarës

Aktuale February 07, 2018 - 16:35

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u takua në Beograd me Komisionarin Evropian për Negocim dhe Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë Johannes Hahn. Pas takimit, Vuçiç dhe Hahn iu drejtuan medias.

 "Unë dua të falënderoj zyrtarët evropianë që punuan shumë për strategjinë dhe që ndihmuan Serbinë në rrugën evropiane", tha Vuçiç në një konferencë shtypi.

 Sipas tij, në takim analizuan strategjinë e zgjerimit të BE-së, duke theksuar se viti 2025 nuk është një garanci, por është shumë i rëndësishëm si një stimul për qytetarët e Serbisë që ta dinë se ata kanë bërë gjëra të rëndësishme në vitet e fundit, transmeton zeri.info

 "Bashkimi Evropian ka krijuar kornizat e veta, dhe në një mënyrë unike respekton vendet e Ballkanit Perëndimor. Unë do të doja të them se detyrat më të vështira gjenden përpara Serbisë", ka thënë Vuçiç, duke shtuar se ka ardhur koha për të marrë vendime dhe për të paguar një çmim të caktuar nga e kaluara.

“Detyrat më të vështira janë para Serbisë, nuk kemi prekur disa nga pikat e rëndësishme, dhe këto i kemi përpara,” deklaroi Vuçiç, dhe shtoi: “Kjo para së gjithash është çështja e Kosovës, përkatësisht Beogradit dhe Prishtinës. Këtu nuk bëhet fjalë për çështjen e emrit, por shumë më shumë, disa mijëra kilometra katrorë, por edhe njerëz, që është shumë më e rëndësishme. Gjithashtu, është e qartë se duhet të zgjidhim problemet me Bosnje Hercegovinën dhe Kroacinë në lidhje me kufijtë", tha Vuçiç. /Zeri