Kosova s’e di datën!

Aktuale February 07, 2018 - 07:42

Derisa Serbia dhe Mali Zi prej dje e kanë të qartë afatin e mundshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përkatësisht deri në vitin 2025, Kosovës me Strategjinë e Zgjerimit të BE-së nuk i është përcaktuar ndonjë afat i qartë kalendarik për anëtarësim të mundshëm, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në anën tjetër Shqipëria dhe Maqedonia në këtë Strategji përmenden si dy shtete për të cilat do të përgatiten rekomandime për nisjen e negociatave, ndërsa për Bosnjë e Hercegovinën theksohet mundësia e statusit të kandidatit. 

Derisa zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian pozitën e Kosovës e shohin si të barabartë me shtetet e tjera njësoj nuk konsiderojnë njohësit kosovarë të çështjeve të integrimeve evropiane.

Sipas këtyre, Kosova gjendet në këtë pozitë si pasojë e mosnjohjes së saj nga pesë shtetet anëtare të BE-së. 

Përndryshe, dhjetë vjet më parë Kosova ka shpallur pavarësinë përderisa ish-kryeministri i vendit në atë kohë, Hashim Thaçi, tashmë president, deklaronte vazhdimisht se shumë shpejt shteti më i ri do të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane.

Madje, saktësisht para dhjetë vjetëve ai nuk e zbulonte as datën se kur Kosova do ta shpallë pavarësinë, duke deklaruar shkurtimisht: Kosova e di datën. Dhjetë vjet më pas Kosova nuk e di datën se kur do të mundë të anëtarësohet në BE, njëjtë siç e dinë shtetet fqinje si Serbia e Mali i Zi.

Dialogu Kosovë – Serbi, kusht për anëtarësim në BE për të dyja vendet

Strategjia për Ballkanin Perëndimor përmend Kosovën në dy pika - atë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë para vitit 2019, si dhe në një pjesë kur i kërkon Kosovës bashkëpunim me Dhomat e Specializuara. “Nuk mund të ketë qëndrueshmëri të përhershme në rajon pa normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës përmes dialogut që e ndihmon BE-ja. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve është urgjente dhe vendimtare, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugën evropiane”, thuhet në tekstin e Strategjisë së BE-së.

Viti 2025, vit i anëtarësimit për Serbinë dhe për Malin e Zi

Në këtë raport sqarohet saktë se për Malin e Zi dhe për Serbinë viti 2025 do të jetë viti i anëtarësimit në BE, të cilat konsiderohen se janë të gatshme për një gjë të tillë. “Negociatat për pranim janë duke u zhvilluar me Malin e Zi dhe me Serbinë. Me vullnet të fuqishëm politik, me reforma reale dhe të qëndrueshme, si dhe me zgjidhje përfundimtare të kontesteve me fqinjët, këto dy vende do të jenë potencialisht të gatshme për anëtarësim në vitin 2025”, thuhet në tekstin e Strategjisë së Komisionit Evropian.

Ndërsa sipas kësaj Strategjie për Shqipërinë dhe për Maqedoninë jepen rekomandime për anëtarësim, si dhe u caktohen atyre kushte që duhen plotësuar në vazhdimësi që kjo gjë të arrihet.

“Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në bazë të kushteve të plotësuara. Me përpjekje dhe me angazhim të vazhdueshëm Bosnja e Hercegovina mund të bëhet kandidate për anëtarësim. Kosova ka mundësi të bëjë përparim të qëndrueshëm me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe të avancojë në rrugën e saj evropiane kur të lejojnë rrethanat objektive”, thuhet në Strategjinë e Zgjerimit.

Gjithashtu fokus të veçantë në këtë Strategji për të gjitha shtetet i jepet edhe sistemit të drejtësisë e që sipas BE-së shihen “elemente të qarta të kapjes së shtetit, duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe me korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe të administratës, si dhe një përzierje të fortë mes interesave publike dhe të atyre private”.

“Gjyqësori i fuqishëm dhe i pavarur, si dhe qeveritë e administratat e përgjegjshme janë të domosdoshme për të bërë ndryshime të qëndrueshme shoqërore, të cilat janë të nevojshme”, thuhet në dokument.

Për shtetet e Ballkanit Perëndimor BE-ja pati kritika edhe për sektorin ekonomik, ku asnjë nga këto shtete nuk ka një treg funksional dhe efikas.

“Sektorët kritikë të ekonomive të rajonit janë jokonkurruese, me shumë ndërhyrje të panevojshme politike dhe me një sektor privat të pazhvilluar. Asnjë prej ekonomive të Ballkanit Perëndimor aktualisht nuk mund të konsiderohet një ekonomi tregu funksional dhe as të ketë kapacitetin për të përballuar trysninë konkurruese dhe forcat e tregut në Bashkimin Evropian”, vlerëson Strategjia.

Mogherini: Dialogu mes Kosovës e Serbisë përcakton të ardhmen 

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, duke prezantuar Strategjinë e Zgjerimit të BE-së për Shtetet e Ballkanin Perëndimor, ka thënë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është proces me rëndësi të madhe për të dyja vendet.

“Dialogu i ardhshëm mes Serbisë dhe Kosovës është thelbësore për të dyja, për të ardhmen e raporteve të tyre dhe të gjithë rajonit, edhe për një perspektivë aderimi në BE. Ka gjithmonë cikle elektorale dhe politike që duhen pasur parasysh gjë që e bëjmë edhe në vendet tona anëtare. Tani jam e inkurajuar për faktin se të dy presidentët kanë lansuar një fazë të re dialogu që kërkon normalizimin e raporteve dhe unë mendoj se mund të përmbyllet pozitivisht nëse ka vendosmëri të lidershipit dhe nxitje nga ana jonë brenda këtij mandati”, ka thënë Mogherini. Ajo gjithashtu ka thënë që Shqipëria e Mali i Zi janë dy shtete, të cilat janë përafruar me BE-në viteve të fundit. "Gjatë 3 vjetëve kemi arritur rezultate me secilin prej 6 vendeve dhe shteteve në përgjithësi, rezultate këto që nuk besonim se do t’i arrinim. Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy përafrime të reja me BE-në", ka thënë ajo duke prezantuar këtë raport. 

Gjithashtu sipas Mogherinit, BE-ja do të ketë anëtarë të rinj dhe nuk do të jenë vetëm 27, por më shumë dhe e tëra që nevojitet është gatishmëria edhe nga shtetet e rajonit. 

Apostollova: Pa normalizim të marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës nuk ka integrim 

Shefja e Zyrës së BE-së, Natalia Apostollova, pas publikimit të Strategjisë së Zgjerimit të BE-së për Shtetet e Ballkanit Perëndimor ka thënë se mes Kosovës dhe shteteve tjera të rajonit nuk ka dallim në këtë Strategji.

"Strategjia për Kosovën nënkupton që nuk ka ndonjë dallim mes Kosovës dhe vendeve të rajonit, kushtet janë të njëjta dhe përkushtimi i BE-së është i njëjtë", ka thënë Apostollova.

Ajo shtoi edhe se dialogu mes Kosovës e Serbisë duhet të zgjidhet dhe pa u bërë kjo nuk ka rrugë evropiane për asnjërën.

"Hapi i procesit varet nga partnerët. Konteksti bilateral duhet të zgjidhet sa më parë. Kosova dhe Serbia duhet t’i intensifikojnë marrëdhëniet e tyre dhe pa këtë nuk ka rrugë evropiane për asnjërën", ka thënë Apostollova.

Ndërsa duke folur për detyrat e Kosovës ajo theks të veçantë vuri te Dhomat e Specializuara duke thënë se "kredibiliteti humbet lehtë, mos e humbni atë". 

Në anën tjetër për shtyrjen e procesit të demarkacionit ajo ka thënë se kjo nuk është çështje politike dhe është një çështje që duhet të zgjidhet nga Kosova. 

Veseli: Kosova ka pritur më shumë nga BE-ja

Në anën tjetër kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Strategjia e Zgjerimit të Bashkimit Evropian tregon qartë perspektivën evropiane të Kosovës, por që Kosova meriton më shumë.

Ai ka thënë se është lajm i mirë që për herë të parë vendet anëtare të BE-së e pranojnë dhe e trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, duke përfshirë shtetet anëtare të BE-së që nuk na kanë njohur.

“Strategjia e Zgjerimit të Bashkimit Evropian në parim tregon qartë perspektivën evropiane të Kosovës. Është lajm i mirë që për herë të parë vendet anëtare të BE-së e pranojnë dhe e trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, duke përfshirë shtetet anëtare të BE-së që nuk na kanë njohur”.

Por pavarësisht kësaj, Veseli ka thënë se Kosova meriton më shumë për integrimin euroatlantik.

“Kemi merituar dhe kam pritur më shumë, por perspektiva jonë evropiane është e pandalshme. Kosova do të vazhdojë rrugën e zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik, duke përmbushur të gjitha obligimet që ka”, shkruan Veseli në “Facebook”.

Hoti: Raporti, refleksion i realitetit për Kosovën

Afrim Hoti, profesori i të drejtës ndërkombëtare, ka deklaruar për “Radion Evropa e Lirë” se ky raport është refleksion i realitetit për Kosovën dhe për rrugën e saj të integrimit në BE. Sipas tij, deri më tani edhe Kosova, edhe Bashkimi Evropian janë shërbyer me terma të përgjithshëm për perspektivën evropiane të Kosovës, por ai tha se sa më afër aderimit në BE rruga për Kosovën drejt integrimit në këtë mekanizëm duhet të sqarohet. 

“Kjo po vë në pah kontestimin juridik dhe politik ndërkombëtar të statusit të Kosovës dhe të kundërshtimit që disa vende (në veçanti Spanja) kanë kundrejt vendit tonë. Mendoj se kjo duhet të reflektohet në atë që po trumbetohet tash e sa kohë për marrëveshje të obligueshme juridike me Serbinë, mbi bazën e së cilës do të mundë të kishim anëtarësim edhe të Serbisë, edhe të Kosovës. Në të kundërtën, situata do të mbetet konfuze sepse historiku i integrimit në BE nuk njeh ndonjë rast që negociatat janë hapur me etnitete të tjera, përveç shteteve të pavarura dhe sovrane, të cilat janë njohur nga të gjitha shtetet e BE-së”, thotë profesor Hoti.