“Dueli” për Demarkacionin

Aktuale February 06, 2018 - 07:53

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe homologu i tij malazez sot do të diskutojnë për çështjen “më të nxehtë” mes dy vendeve, atë të demarkacionit. Nëse nuk arrihet ndonjë kompromis gjatë këtij takimi Kuvendi nuk do të mundë ta kalojë Marrëveshjen dhe rrjedhimisht s’do të ketë as liberalizim të vizave me BE-në, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Mosfinalizimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi (tash e më shumë se dy vjet prejse është nënshkruar) pritet t’i vërë përballë kryeministrat e të dy vendeve, atë të Kosovës Ramush Haradinajn dhe atë të Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Gjatë ditës së sotme Markoviq do të qëndrojë në Kosovë, ku pos të tjerash me homologun e tij kosovar do të diskutojë edhe rreth Demarkacionit.

Megjithatë, nuk dihet nëse ky takim do ta zgjidhë “nyjën” e kësaj marrëveshjeje, ani pse Qeveria e Kosovës ka deklaruar tashmë se është e interesuar që kjo çështje të marrë epilog.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj tashmë ka paralajmëruar një zgjidhje “kreative”, të kënaqshme, për të dyja palët sa i përket Demarkacionit, shkruan tutje "Zëri".

Ndërkohë, një ditë para vizitës së Markoviq (dje) Kryesia e Kuvendit vendosi që të mos e procedojë për votim këtë marrëveshje, ndonëse ishte në rend dite.

Kryetari i Kuvendit tha se kjo tërheqje erdhi me qëllim që të gjendet një konsensus nacional.

Mirëpo, AAK-ja e Nisma po vazhdojnë të shprehen kundër versionit aktual, duke u zotuar se nuk do ta votojnë atë.

Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e Nismës Socialdemokrate janë shprehur optimistë se pas vizitës së kryeministrit malazez ka hapësirë që të gjendet një zgjidhje e përbashkët sa i përket Demarkacionit.

Demarkacioni nuk procedohet për votim

Një ditë para se kryeministri i Malit të Zi të vijë në Kosovë për vizitë Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të mos e procedojë për votim Marrëveshjen e Demarkacionit.

Pas kësaj kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se arsyeja e shtyrjes së Demarkacionit ka të bëjë me synimin që të arrihet një konsensus i gjerë politik.

“Shtyrja e procedimit në seancë nuk është mungesa, por qëllimi për arritjen e konsensusit nacional. Në qoftë se ka pjekuri do ta arrijmë një konsensus nacional, sepse kjo është shtëpia jonë, shteti ynë”, ka deklaruar ai.

Por, Veseli u tregua më i rezervuar teksa foli rreth vizitës së kryeministrit Markoviq në Kosovë. Lidhur me këtë i pari i legjislativit (duke mos u deklaruar rreth mundësisë së një marrëveshjeje për Demarkacionin), tha se nga vizita e sotme e kryeministrit të Malit të Zi pret një konfirmim të partneritet mes të dyja vendeve.  

Mirëpo, Qeveria e Kosovës tashmë ka bërë të ditur se në takimin e dy kryeministrave do të diskutohet edhe rreth kësaj marrëveshjeje, sado që sipas Zyrës së Kryeministrit vizita në fokus do ta ketë zhvillimin e raporteve të mëtutjeshme bilaterale mes dy vendeve.  

“Natyrisht që në këtë vizitë do të bisedohet edhe për Demarkacionin. Është në interesin e të gjithëve që çështja e demarkacionin të zgjidhet sa më parë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për “Zërin”.

Ndërkaq, duke komentuar mosgatishmërinë e partive në pushtet që ta dërgojnë në seancë Marrëveshjen e Demarkacionit, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, vlerësoi se koalicioni qeverisës tashmë është tërësisht i pakoordinuar sa u përket çështjeve të mëdha.

“Ky koalicion është themeluar për të marrë vendime të mëdha, shihet qartë që këta janë të shpartalluar plotësisht në këto vendime”, u shpreh Hoti, duke shtuar se Demarkacioni do të duhej të vihej në rend dite në seancën e së enjtes.

Pavarësisht tij, përfaqësuesit e LVV-së kanë vlerësuar se varianti i tanishëm i Demarkacionit nuk duhet të dërgohet fare për votim.

Haxhiu: Zgjidhja e Demarkacionit, rrëzimi në Kuvend

Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu ka ritheksuar se ky subjekt nuk do ta mbështesë versionin aktual po që se vjen në Kuvend për votim.

“Kurdo që vjen mendimi ynë është i njëjtë, ashtu siç ka qenë më parë sa i përket versionit të Murat Mehës. Për atë version vazhdimisht ne kemi thënë që Kosova humb territor dhe prapë e kemi të njëjtin qëndrim”, ka thënë Haxhiu për “Zërin”.

Ndërkohë, e pyetur nëse do ta votojnë një version i cili do të mundë të rinegociohej më pas (siç po pretendohet të prezantohet), duke mos pohuar as mohuar, ajo ka thënë se nuk mund të dalin me qëndrim pa parë një dokument fillimisht.

“Derisa ne nuk shohim diçka nuk mund të themi se kemi një qëndrim”, ka theksuar ajo, duke shtuar se zgjidhja e kësaj çështjeje është që Marrëveshja të shkojë në seancë dhe të rrëzohet nga deputetët.

Berisha: Ka hapësirë që Demarkacioni të rinegociohet

Ndryshe prej saj, deputeti i Nismës Socialdemokrate Zafir Berisha është shprehur optimist se do të arrihet një zgjidhje e përbashkët sa i përket Demarkacionit, duke u pajtuar të dyja palët që ajo të rinegociohet më pas.

“Në bazë të marrëveshjes aktuale ka një hapësirë që mund të rinegociohet çështja e demarkimit të kufirit, mirëpo mendojmë që duhet të bëhet me garancinë e dy qeverive, përndryshe nëse njëra palë nuk futet në marrëveshje, atëherë është problem të zgjidhet”, ka theksuar ai.

Sipas tij, vizita e kryeministrit të Malit të Zi nuk mund të kalojë pa u diskutuar edhe çështja e demarkacionit.

Megjithatë, ai është shprehur i vendosur se varianti i tanishëm i Marrëveshjes nuk do të kalojë në Parlament.

“Ideja e kryetarit Limaj ka qenë për ta gjetur një mes, sa janë arritur palët të dakordohen nuk e di. Por, për një gjë jam më se i sigurt: versioni aktual nuk kalon në Kuvend”, ka shtuar ai.

Nëse Demarkacioni nuk zgjidhet në shkurt, vendi drejt një “rruge pa krye”

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj ka vlerësuar se nuk mund të pritet që të arrihet një zgjidhje sot, kur sipas tij dihet që disa herë zëvendëskryeministrat e Kosovës kanë qenë për vizitë në Mal të Zi.

Sipas tij, fillimisht do të duhej të arrihej një zgjidhje sa i përket Demarkacionit e vizita e kryeministrit të Malit të Zi të tregonte vetëm gatishmërinë e palës malazeze drejt kësaj çështjeje.

“Pra, ishte dashur të ishte e zgjidhur çështja deri tash, ndërkohë që vizita të shërbente si vizitë e vullnetit të mirë, që të tregojë se janë të gatshëm ta përmirësojnë Marrëveshjen nëse diçka nuk shkon”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, duke folur rreth variantit që po mëtohet të servohet nga ana e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj (që të votohet versioni i tanishëm me mundësi rinegocimi më pas), Mushkolaj ka thënë se kjo nuk përbën kurrfarë risie.

“Kjo nuk është diçka e re. Ky nen ekziston edhe në Marrëveshjen aktuale, nuk është  shpikur asgjë e re, ani pse po tentohet të paketohet dhe të shitet ndryshe kjo. Po përpiqet të shihet si një zgjidhje kreative”, ka shtuar ai.

E po që se edhe gjatë këtij muaji nuk merr epilog kjo marrëveshje, sipas Mushkolajt vendi do të hyjë në një rrugë pa krye, ku nuk do të mundë të flitet më as për liberalizim e as për integrim.