Shpend Ahmeti tregon nëse do të largohet nga Vetëvendosje

Aktuale February 05, 2018 - 20:46

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka sqaruar vendin e tij në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje është përçarë.

Disa herë është raportuar se Ahmeti do t’i bashkohet grupit të të pakënaqurve me në krye Visar Ymerin dhe Dardan Molliqajn të cilët janë dorëhequr nga partia që së fundi zgjodhi kryetar Albin Kurtin.

“Se a do të qëndroj në VV… unë po pres se nuk e kam të qartë se çka po ndodhë në VV. Arsyeja pse kam hyrë në VV ka qenë bashkimi për ta mundur të keqen, pra nga të gjitha forcat”, tha Ahmeti në 'Puls' të KTV-së.

“Nuk e di se çka do të ndodhë. Unë nuk mund të ndërroj mendim dhe qëndrim për asnjërin prej shokëve të mi që kam pas dhe kam në VV. Unë nuk kam njohur njerëz më të afërt në politikë se sa Albinin, Visarin dhe Dardanin. Kur dolën këto në publik isha kritik për krejt këto që dolën, unë nuk isha i përfshirë me asnjërën palë prandaj unë i kam qëndrimet dhe besimet e mia politike që do t’i shtyj pa marrë parasysh ku jam ku do të jem”, tha Ahmeti.

Nga fillimi i dhjetorit të kaluar kur edhe u bë publik mesazhi ofendues që deputetja Aida Dërguti ia dedikonte Albin Kurtit, në kohën kur ai po arrestohej nga policia, kanë plasur tensione brenda partisë, që kanë rezultuar me dorëheqje e fyerje të shumta.