Loja me “tradhtarë” dhe me “atdhetarë”, e rrezikshme për vendin

Aktuale February 05, 2018 - 16:05

Nënkryetari i Kuvendit dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se ideja e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj për kalimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi nuk përbën risi, pasi që, sipas tij, rinegocimi parashihet edhe me Marrëveshjen e Vjenës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se ideja e numrit dy të Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj, për Demarkacionin me Malin e Zi nuk është diçka e re, pasi që, sipas tij, edhe në bazë të Marrëveshjes së nënshkruar vite më parë në Vjenë parashihet të rishikohen pikat ku dyshohet se ka pasur gabime gjatë këtij procesi.

Këto komente nënkryetari i Kuvendit i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se  partitë politike në Kosovë duhet të diskutojnë për gjetjen e një zgjidhjeje dhe se loja me “tradhtarë” dhe ‘atdhetarë’ është e rrezikshme për vendin.

Ai ka pohuar se mosratifikimi i Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi do ta izolonte vendin, prandaj shpreson që gjatë vizitës së kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markovuiq në Kosovë të gjendet një zgjidhje.

Zëri: Sa janë gjasat që të ketë marrëveshje, duke e ditur se Mali i Zi thotë se çështja e kufirit me Kosovën për ta është e kryer?

Haliti: Nëse dikush mendon që Mali i Zi do të tërhiqet, nuk e di, unë nuk e besoj këtë, pasi Kuvendi i këtij shteti e ka ratifikuar Marrëveshjen e Vjenës dhe tani nuk mund të pritet që ta shfuqizojë atë vendim. Por, mendoj se të dyja palët mund të bisedojnë dhe të merren vesh për t’i diskutuar hapësirat e caktuara, por jo Marrëveshjen në tërësi.

Zëri: Në mandatin e kaluar opozita ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend për ta pamundësuar ratifikimin e Marrëveshjes së 26 gushtit të vitit 2015. A ka gjasa që të shohim sërish skena të tilla dhe sa do të ishte e dëmshme një gjë e tillë? 

Haliti: Ata e kanë dëmtuar veten dhe Kosovën. Ne nuk jemi qendra e botës që të veprojë tërë bota sipas dëshirave tona. Rregullat e lojës janë të përcaktuara në marrëdhëniet ndërkombëtare, kufijtë janë të shënuar prej viteve të ’30-ta dhe nuk besoj që do të duhej të tentohej diçka e tillë. Do të ishte e domosdoshme që partitë gjegjësisht komisionet e partive të diskutojnë si politikanë të mirëfilltë dhe të përgjegjshëm për interesa të Kosovës. Ata do të duhej ta trajtonin këtë çështje dhe të binin në ujdi për një zgjidhje të këtij problemi. Do të duhej që të gjithë së bashku të merrnin përgjegjësi. Tani kjo loja me “tradhtarë” dhe me “atdhetarë” është e rrezikshme për vendin, për izolimin e Kosovës, për liberalizimin e vizave. Pra, do të kishim pasoja si një shtet që nuk e mban fjalën dhe nuk ratifikon marrëveshje ndërkombëtare.