Flet Ministri nga radhët e NISMA’s, zbulon pse Limaj dhe ministrat e tij nuk shkuan te Pacolli në Hajvali

Aktuale February 05, 2018 - 11:34

Zyrtarët më të lartë të Qeverisë së Kosovës kanë zhvilluar mbrëmë një takim të përbashkët, por jo në vendin e tyre të punës. Pikë takimi i tyre ishte rezidenca e zv/kryeministrit të parë, Behgjet Pacolli. Pjesëmarrës, në një darkë joformale, ishin Presidenti, kryeparlamentari i vendit dhe kryeministri Haradinaj. Ndryshe nga ministrat e tjerë të koalicionit qeverisës, ajo se çfarë u vrenjtë aty, ishte mungesa e përfaqësuesve të Nisëm për Kosovën.

Përveç ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, në këtë darkë nuk ishte fytyra kryesore e Nismës, një ashtu zv/kryeministri i vendit Fatmir Limaj e po ashtu edhe dy ministrat e tjerë nga kjo parti.

Gazeta Express, ka kontaktuar me ministrin e Ministrisë së Tregtisë Bajram Hasani i cili është nga radhët e Nisma për Kosovën, për të kuptuar pse kanë munguar në këtë darkë.

Sipas Hasanit, nuk ka ndonjë arsye të madhe mirëpo ftesa për këtë darkë ka qenë e vonuar.

“Ftesën për këtë darkë e kemi marrë vonë dhe kjo ka qenë arsyeja e mos shkuarjes në Hajvali. Ndërsa unë po flas edhe vetëm për veten time, nuk kam qenë në Kosovë”, ka thënë Hasani.

Ministri më shumë nuk ka komentuar për takimin e mbrëmshëm, edhe pse atje kishin vetëm një përfaqësues, ministrin Skënder Recica.

Takimi, i natyrës joformale, u zhvillua një ditë para se Kryesia e Kuvendit të Kosovës ta procedojë Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe kjo bëri që të spekulohet në media se arsyeja e mbledhjes së udhëheqësve të vendit ishte pikërisht çështja e demarkacionit, që po e mban peng liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Mirëpo, Express që mbrëmë ka mësuar se Presidenti Thaçi ka dalë me propozim që Qeveria e Kosovës dhe institucionet përcjellëse të barten në Hajvali. Merret vesh që janë përmendur edhe ndërtuesit potencialë. Express ka marrë vesh që këtë propozim Presidenti do ta bëjë edhe në një mbledhje të ardhshme të Qeverisë.