Tërheqja taktike e komandantëve

Aktuale February 03, 2018 - 07:51

Tre liderët politikë në vend përfundimisht janë tërhequr nga iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale që kishte nisur javë më parë e që ishte nënshkruar nga 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës. “Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet”, shkruan dot Gazeta 'Zëri'.

Kjo deklaratë e presidentit Hashim Thaçi bëri të ditur se ai dhe dy liderët tjerë janë tërhequr nga iniciativa për zhbërjen e Speciales.

E menjëherë pas kësaj deklarate u zmbraps nga qëndrimi i tij i prerë për shfuqizimin e Speciales edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Në kabinetin e tij qeveritar thonë se kryeministri ka qenë kundër Gjykatës Speciale para se ajo të formohet dhe se në momentin që është formuar ky ka qenë një fakt i pandryshuar, por në anën tjetër Haradinaj pati deklaruar se do t’i përkrahë deputetët e tij në iniciativën për zhbërje. “Kryeministri Haradinaj ka pozicionin e tij politik në lidhje me Gjykatën Speciale, i cili është shprehur publikisht edhe gjatë kohës sa ka qenë në opozitë. Por, gjithashtu kryeministri Haradinaj ka obligimet kushtetuese të cilat ndër të tjera janë respektimi i Kuvendit dhe përmbushja e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe e obligimeve që rrjedhin nga to”, thuhet në një përgjigje dhënë gazetës “Zëri” nga zyra e kryeministrit Haradinaj.

Ndërkohë, kujtojmë se javë më parë një tërheqje “taktike” ndaj shfuqizimit të Gjykatës Speciale e kishe bërë edhe Kadri Veseli.

 

Kadrijaj: Nuk na mbetet tjetër vetëm t’i tërheqim nënshkrimet

 

Megjithatë, iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale e kishin nënshkruar 43 deputetë, ndër ta edhe deputetët e partisë së Kadri Veselit, por pas vendimit të tre liderëve për zmbrapsje nga kjo iniciativë janë tërhequr edhe ata. Partia e cila ka qenë më unike dhe që kishe një qëndrim të prerë për shfuqizim të Speciales ishte partia e kryeministrit Haradinaj. Por deputetja e këtij subjekti politik Time Kadrijaj ka deklaruar për gazetën “Zëri” se do t’i tërheqin nënshkrimet e tyre për zhbërjen e Speciales. “Në kuadër të kompetencave që kanë liderët dhe në fund një projektligj të tillë duhet ta nënshkruajë presidenti, në kuadër të kompetencave ai e ka tërhequr. Ju e dini se ne kemi qenë unikë në këtë qëndrim sepse ne nuk e kemi votuar. Por ne nuk kemi qenë iniciues të kësaj iniciative, kemi qenë vetëm nënshkrues dhe meqenëse iniciuesit janë dakorduar që ta tërheqin nuk na mbetet neve...”, ka thënë ajo. Kadrijaj ka thënë se qëndrimi kundër Speciales nga liderët ka ardhur nga iniciativa e 43 deputetëve të cilët kanë nënshkruar këtë nismë. “Liderët janë munduar të përkrahin këtë nismë pasi ishte nënshkruar nga 43 deputetë”, ka përfunduar ajo.

Gaxherri: I pandershëm ndryshimi i qëndrimeve të Thaçit brenda natës

Kurse aspak e befasuar me ndryshimin e liderëve për Specialen është treguar deputetja e LDK-së Besa Gaxherri. “Aspak befasi nga presidenti Thaçi. Është personalitet i cili është i njohur për këto ekzibicionet e tij politike. Ne të gjithë jemi dëshmitarë për procesin dhe për rrugëtimin e kësaj Gjykate dhe çfarë roli ka pasur Thaçi. Është e pandershme që Thaçi paradite thotë se duhet bërë kjo Gjykatë dhe pastaj thotë se duhet zhbërë, por të nesërmen i bie ndërmend që kjo s’duhet shfuqizuar”, ka thënë ajo. Por, ajo është shprehur e kënaqur që më në fund liderët janë bindur se Dhomat e Specializuara nuk mund të zhbëhen, qëndrim të cilin vazhdimisht e mbante LDK-ja. “Pavarësisht lojërave të papranueshme për Kosovën, prapë jam e lumtur që këta kanë deklaruar se Gjykata Speciale nuk shfuqizohet për arsye se ka konsekuenca shumë të këqija për vendin. Prandaj me gjithë papranueshmërinë e lojërave të tyre unë jam e lumtur që këta më në fund kanë reflektuar dhe e kanë parë që nuk mund të bëhen lojëra të tilla në dëm të vendit”, ka thënë ajo.

Mushkolaj: E turpshme tërheqja e liderëve

Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike, konsideron se tërheqja e tre liderëve ndaj shfuqizimit të Gjykatës Speciale u bë në mënyrë të turpshme. Sipas tij, liderët e panë që kjo është e pamundur andaj edhe hoqën dorë. “Tash është një tërheqje e shtetit nga z. Thaçi, por po besoj se është i palavd përfundimi, madje përfundim me turp i kësaj përpjekjeje dhe i kësaj aventure të krerëve shtetërorë nëpërmjet manipulimit fillimisht të shoqatave të luftës, pastaj të deputetëve për të arritur shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Ata e panë që kjo është e pamundur në radhë të parë duke e pasur parasysh presionin shumë të madh brenda vendit dhe nuk kishin zgjidhje tjetër”, ka thënë ai.

Mushkolaj tha se liderët pasi u bindën që është e pamundur po mundohen të bindin popullin se zhurma për Gjykatën Speciale u bë pa nevojë. “Ata e matën pulsin se çka do të ndodhë nëse Gjykata Speciale shfuqizohet dhe cilat do të jenë pasojat e kur e panë se çfarë mund të jenë veprimet konkrete në këtë rast ata bënë një tërheqje taktike dhe tash po përpiqen të na mbushin mendjen se ajo zhurmë ishte bërë pa nevojë. Ne e dimë se nuk ishte ashtu për shkak se gjendja ishte shumë serioze, por tash po shfaqen sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe se ajo aventurë që zgjati gati gjashtë javë u bë pa arsye”, përfundoi ai.

KDI: Iniciativa duhet të rrëzohet në Kuvend

Kurse Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se proceduralisht iniciativa duhet të rrëzohet në Kuvend ashtu siç ka nisur. “Në aspektin procedural iniciativa duhet të përfundohet me vetë faktin që ka filluar. Kjo duhet të marrë një epilog po në Kuvendin e Kosovës. Njëra nga mundësitë do të ishte që deputetët nënshkrues të iniciativës t’i tërheqin nënshkrimet. Ose edhe tash pasi iniciativa është në Qeveri për opinion të presin opinionin e Qeverisë, ose të presin të kalojë afati i paraparë prej 30 ditëve dhe pastaj Kuvendi ta qesë në seancë dhe ta rrëzojë”, ka sqaruar ai.

Kurse për këtë tërheqjen e liderëve nga iniciativa për shfuqizim Murati ka thënë se liderët e kanë kuptuar seriozitetin e çështjes. Sipas tij, kjo tërheqje tregon që liderët janë vetëdijesuar për pasojat.