Hyjnë në grevë edhe mjekët e Spitalit Rajonal të Mitrovicës

Aktuale February 02, 2018 - 08:20

Edhe mjekët e disa reparteve të spitalit rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” të Mitrovicës kanë vendosur të hyjnë në grevë.

Ata kanë kërkuar që pagat e tyre të rriten, ndërsa kanë siguruar se pas kalimit të afati prej 14 ditëve, të cilën e kanë dhënë për t’ua plotësuar kërkesën, nuk do të punojnë derisa të plotësohen kërkesat e tyre e që është vetëm një- rritja e pagave me koeficientin 11. 

Kirurgët e Repartit të Kirurgjisë së Përgjithshme dhe të Repartit Abdominal të spitalit rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” të Mitrovicës janë mbledhur para objektit të spitalit dhe nëpërmes një njoftimi kanë sqaruar se nuk do të punojnë pasi kanë vendosur t’i bashkëngjiten grevës së mjekëve të QKUK-së, të cilët kanë kërkuar rritje të pagave. 

LEXO EDHE: Masivizohet greva e mantelbardhëve

“Kolegjiumi i Repartit të Kirurgjisë së Përgjithshme në spitalin rajonal ‘Dr. Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë, pas diskutimit për gjendjen e vështirë kemi vendosur unanimisht që t’i bashkëngjitkemi grevës së kolegëve nga QKUK-ja. Ne kërkojmë që paga e mjekëve të rritet me koeficientin 11”, thuhet në vendimin e kirurgëve të Repartit të Kirurgjisë së Përgjithshme dhe të Repartit Abdominal të Spitalit Rajonal të Mitrovicës.

Vendimi për të hyrë grevë u është dërguar institucioneve shëndetësor, përkatësisht kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, ministrit të Shëndetësisë së Kosovës Uran Ismaili, drejtorit të SHSKUK-së, drejtorit të spitalit rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri”, si dhe Odës së Mjekëve të Kosovës. 

 

Kërkesa e mjekëve të të dyja reparteve të Spitalit Rajonal të Mitrovicës janë shumë më të mëdha sesa ka kërkuar Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, e cila ka kërkuar rritje të pagave me koeficientin 8, ndërsa mjekët e Spitalit Rajonal të Mitrovicës kërkojnë që paga t’u rritet me koeficientin 11. Nëntë mjekët e Repartit të Kirurgjisë së Përgjithshme dhe të Repartit Abdominal në Spitalin Rajonal të Mitrovicës kanë tërhequr vërejtjen se kërkesa e tyre duhet të plotësohet brenda 14 ditëve dhe se nëse paga nuk u rritet, atëherë do të ketë ndërprerje të plotë të punës dhe se për këtë nuk do të mbajnë përgjegjësi.

“Ne të poshtëshënuarit unanimisht kemi vendosur në shenjë reagimi intelektual dhe protestë t’ju paralajmërojmë se sipas ligjit do të pësojë ndërprerja e plotë e punës dhe për këtë nuk mbajmë kurrfarë përgjegjësie në rast se nuk plotësohet kërkesa jonë brenda 14 ditësh”, thuhet në këtë vendim, të cilin e kanë nënshkruar disa mjekë.

Ndryshe, nga dita e hënë në grevë kanë hyrë edhe kirurgët abdominalë të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në QKUK. Ata nuk i ka bindur as ministri Uran Ismaili për ta ndërprerë grevën.

Ministri Uran Ismaili ka bërë të ditur se pagat nuk mund të rriten deri në qershor, për shkak se buxheti për vitin 2018 është miratuar, por që me rishikim të buxhetit mund të ketë ndryshime.

Por në anën tjetër, grevë si dhe ndërprerje të punës kanë paralajmëruar edhe mjekët e Repartit të Emergjencës, të cilët gjithashtu kanë kërkuar ngritje të pagave.

Në anën tjetër, pacientët e Mitrovicës dhe të komunave të rajonit të cilët trajtohen në spitalin rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë kanë kohë që janë duke u përballur me problemin e marrjes së shërbimeve shëndetësore, për shkak të mungesë së specialistëve në pothuajse të gjitha repartet.

Për një kohë, Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës kishte angazhuar mjekë nga QKUK-ja për të punuar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, por për shkak të shpenzimeve të mëdha kjo praktikë ishte ndërprerë.

Ministria e Shëndetësisë për shkak të kufizimeve buxhetore nuk kishte mundur të lejojë punësimin e mjekëve specialistë, ndërkohë që vetëm në Mitrovicë ka mbi 20 mjekë të cilët janë të papunë.

Kumrije Seferi, rreth të 60-ve, i tha “Zërit” të enjten se hyrja në grevë e mjekëve ka vështirësuar tej mase gjendjen në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

“Këta mjekët po thonë kena grevë, nuk po punojna, bile po thonë që pas dy jave kanë me ndërpre punën krejt. Po lypin rroga, e për neve nuk çajnë hallin.  Shteti duhet me ba diçka, ndoshta edhe këta mjekët kanë halle, por për neve është më së zori, sepse nuk ke ku me kërku ndihmë mjekësore”, thoshte ajo.