Haradinaj për Specialen: Mësim që të mos merren vendime të shpejtuara

Aktuale February 01, 2018 - 19:35

Tërheqjes së inicativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale i ka dalë në mbështetje edhe shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj.

“Për mua është e kuptueshme që Presidenti, në bazë të hierarkisë institucionale, se është i pari i vendit, edhe ta komunikojë një qëndrim që duhet të tërhiqet kjo iniciativë, ose duhet të ndalet më tutje kjo iniciativë. Ka kuptim për mua”, ka thënë Haradinaj në "Rubikon" të KTV'së.

Haradinaj ka vlerësuar se ndoshta ky rast është mesazh që të mos merren vendime të shpejtuara. 

I pyetur se si do të veprojë Qeveria, meqë iniciativa aktualisht është në duart e saj, Haradinaj është përgjigjur: 

“Vendimi në procedurë është një aspekt. Ne e kemi në Qeveri. Ajo është në procedurë të rregullt. Ne i obligohemi procedurave në këto raste".

"Nëse ka një vendim politik, që bie kërkesa, atëherë edhe për Qeverinë ndryshon gjendja. Atëherë ne duhet ta heqim nga procedimi i mëtejmë”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka folur edhe për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi - ka lënë hapësirë që marrëveshja e demarkacionit të ndryshohet.

Shefi i ekzekutivit ka folur edhe për vonesat në procesin e liberalizimit. Haradinaj fajin për këtë ia ka hedhur Kuvendit të Kosovës.