Përçarjet e mëdha

Aktuale February 01, 2018 - 07:44

Dy partitë e mëdha në vend, lëvizja “Vetëvendosje” dhe Partia Demokratike e Kosovës, po ballafaqohen me përplasje të ashpra brenda strukturave partiake. Analistët thonë se përçarjet do t’u kushtojnë në elektorat këtyre subjekteve politike, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Dy partitë e mëdha në Kosovë, lëvizja “Vetëvendosje” e PDK-ja, së fundmi janë ballafaquar me përplasje të ashpra brenda strukturave të tyre.

LVV-ja, si subjekti më i madh i dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, tashmë është ndarë në dy grupe të brendshme: krahu që mbështet liderin Albin Kurti dhe tabori i rreshtuar kundër tij.

Por jo vetëm LVV-ja ka pasur përplasje së fundmi. Para disa ditësh në publik është shpërfaqur edhe moskonsolidimi i PDK-së në bastionin e kamotshëm në Komunën e Skenderajt. Kryesia e PDK-së në këtë Komunë ka përjashtuar shtatë anëtarë nga partia dhe ka shkarkuar nga pozita e nënkryetarit të Degës deputetin Bekim Haxhiu, shkruan tutje "Zëri".

Megjithatë, ani pse kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj Sami Lushtaku ka thënë prerazi se ky vendim nuk do të zhbëhet, është shprehur i vendosur se ai nuk do t’i sjellë pasoja partisë.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se zhvillimet e fundit brenda LVV-së e PDK-së do t’u kushtojnë tejet shumë atyre.

E pavarësisht dorëheqjeve të njëpasnjëshme në LVV, krahu anti-Kurti ka bërë të ditur se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim se si do të veprojnë tutje.

Lushtaku: Vendimi i pakthyeshëm, nuk i sjell pasoja partisë

Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, duke folur rreth vendimit të fundit, me anë të të cilit janë suspenduar shtatë anëtarë të Degës nga partia dhe është shkarkuar nënkryetari i Degës, ka thënë se ky vendim nuk ka kthim.

“Vendimi është i Kryesisë së PDK-së, Dega në Skenderaj. Vendimi është i pakthyeshëm”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Lushtaku tutje ka treguar arsyen se pse këta anëtarë janë larguar nga partia.

“Ka rregulla, edhe partia i ka rregullat e veta. Ata nuk e kanë përfillur vendimin e PDK-së. Kështu që vendimi është i Partisë Demokratike, i Kryesisë, natyrisht që është i pakthyeshëm”, është shprehur ai.

“Ndëshkimi” i anëtarëve kishte ardhur pasi ata nuk e kishin respektuar vendimin unanim të organeve të partisë lidhur me nominimin e kandidatit të PDK-së për kryesues të Kuvendit Komunal.

I pyetur nëse ky vendim do ta dëmtojë partinë, Lushtaku është shprehur i vendosur se ai nuk do të sjellë kurrfarë pasoje.

“Jo, pasoja në asnjë mënyrë nuk ka mundësi që të ketë”, ka thënë shkurt i pari i Degës së PDK-së në Skenderaj.

Gazeta “Zëri” ka tentuar ta kontaktojë edhe të shkarkuarin Bekim Haxhiun, mirëpo ai nuk është përgjigjur pavarësisht insistimit.

Haliti: Edhe një anëtar po të dalë dëmtohet partia

Pavarësisht deklaratave të Lushtakut, deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka thënë për “Zërin” se ndodhitë e fundit në Skenderaj e dëmtojnë partinë.

“Normalisht, edhe një anëtar po të dalë dëmtohet partia. Nganjëherë kur dikush bëhet pengesë për zhvillim, atëherë duhet liruar prej tij. Njerëzit brenda partisë mund të lëvizin sipas raporteve dhe obligimeve që kanë dhe nëse s’ka grupime të cilat bëjnë përpjekje për t’u pavarësuar, atëherë nuk ka ndonjë shqetësim”, ka deklaruar ai.

Megjithatë Haliti është shprehur i bindur se një gjë e tillë nuk do ta çojë drejt ndarjes së partisë.

“Nga ana ime nuk ka asnjë lloj shqetësimi se mund të ketë ndonjë ndarje. Mospajtime ka edhe në familje, edhe në parti, edhe në institucione, gjithkund, por varet se cilat janë ato dhe për çfarë arsye janë ato mospajtime”, ka shtuar ai. 

Krahu anti-Kurti ende pa vendim se si do të veprojë

Nga ana tjetër, duke folur rreth zhvillimeve të fundit brenda LVV-së nënkryetarja e këtij subjekti, Fatmire Kollçaku (e cila është e rreshtuar nga krahu i Kurtit), ka vlerësuar se duhet të ketë përafrim mes anëtarëve të LVV-së, porse nuk ka diçka të re nga situata e brendshme e partisë.

“Po shihet që Lëvizja tashmë e ka kryetarin, po vazhdon rrugëtimin e vet, është e angazhuar për temat të rëndësishme që kanë të bëjnë me shtetin. S’po besoj që ka diçka të re për opinionin publik”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Kurse deputetja e LVV-së, Shqipe Pantina (e cila tashmë ka dhënë dorëheqje nga strukturat drejtuese të partisë), ka thënë se grupi i të dorëhequrve ende nuk ka marrë ndonjë vendim për të vepruar tutje.

“S’di çka të them më se çfarë ka të re. Nuk e di më çfarë ka mbetur të thuhet për publikun. Tash mendoj se del vendimi, marrim vendim dhe aq. Ende s’ka asgjë të konfirmuar, kështu që vetëm mund të them se ende s’kemi vendosur”, ka theksuar Pantina.

Përçarjet dobësojnë fuqinë e partive

Duke komentuar përçarjet e fundit që kanë ndodhur brenda LVV-së e PDK-së, politologu Belul Beqaj ka thënë se ato kanë qëllime të ndryshme mes vete, porse zhvillimet e fundit brenda këtyre dy subjekteve do t’i sjellin efekte negative partive.

“Përçarjet në këto parti kanë motive të ndryshme. Përçarjet në PDK janë të natyrës familjare, ndërsa përçarjet në ‘Vetëvendosje’ janë të motivuara indirekt dhe direkt kundër liderit. Por emëruesi i përbashkët i të dy partive është se do të dobësojnë fuqinë, ndërsa më së shumti do të pësojnë në zgjedhjet e ardhshme ata që po i shkaktojnë këto përçarje, ndërsa përfitime indirekte do të kenë partitë tjera, nëse e ruajnë homogjenitetin ideologjik, programor dhe kuadrovik”, është shprehur ai.

Beqaj tutje ka thënë se sa më shumë që ndahen partitë fuqia e tyre do të zvogëlohet.

“Partitë politike në Kosovë kryesisht janë lideriste. Ndarjet marrin kuptim të artikuluar pasi të emërtohet lideri e jo koncepti ideologjik. Këto përçarje nuk e kanë shkakun ideologjik as te PDK-ja e as te ‘Vetëvendosja’. Problemet janë të natyrës së meritokracisë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, derisa strukturat partiake prioritete i kanë rreshtimet personale në hierarkinë partiake, gjërat e interesit publik lihen në rend të dytë.   

Kurse Rasim Alija, hulumtues në organizatën “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka vlerësuar se zhvillimet e tilla brenda subjekteve do të duhej të ishin krejt normale dhe të vinin si rezultat i demokratizmit të vet subjekteve politike.

Porse, një gjë nuk shkon në tërë këtë mes sipas tij.

“Ajo çfarë nuk shkon në të dyja rastet e këtyre subjekteve është se debatet dhe çarjet vijnë si rezultat i luftës së brendshme për pushtet, rezistencë për ndryshim dhe eliminime të figurave brenda subjekteve”, ka theksuar ai.

Alija gjatë një prononcimi për “Zërin” ka thënë se ndarjet e këtyre subjekteve tashmë janë të faktuara, ndonëse nuk janë zyrtarizuar.

Ndërkohë njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, ka vlerësuar se përplasjet e ndarjet brenda partive përbëjnë një dukuri të pashmangshme në një fazë të zhvillimit të tyre.

“Këto zënka e ndarje e pastrojnë skenën politike dhe qartësojnë pikëpamjet ideologjike dhe profilizojnë partitë sipas programeve”, ka thënë ai.