Limaj për liberalizimin e vizave: Po punojmë, besoj se do të kemi lajme të mira

Aktuale January 30, 2018 - 21:30

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, është shprehur optimist se për qytetarët shumë shpejt do të vijnë lajme të mira për sa i përket liberalizimit të vizave.

Ai ka kujtuar se për këtë çështje vendos përfundimisht Bashkimi Evropian, teksa Kosovës i mbetet t’i plotësojë kushtet e vëna – ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, dhe luftimin e korrupsionit. 

“Duhet t’i kryejmë detyrat tona. I dimë se cilat janë”, ka thënë Limaj, teksa ka folur për kushtet e BE’së për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Janë të vështira, të rënda... por dikush duhet t’i kryejë”, është shprehur ai, gjatë një interviste në Radiotelevizionin e Kosovës.

“Po punojmë, besoj se do të kemi lajme të mira”, ka deklaruar kreu i Nismës.