Hoxhaj, Osmani e Gorani replikojnë ashpër rreth Speciales

Aktuale January 30, 2018 - 14:30

Zv.kryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, kryetarja e komisionit për punë të jashtme Vjosa Osmani dhe anëtari i këtij komisioni Dukagjin Gorani, kanë pasur replika të njëpasnjëshme rreth nismës për shfuqizimin e gjykatës Speciale, në mbledhjen e sotme të komisionit.

E tërë kjo nisi me pyetjet e dy anëtarëve të komisionit, Osmani e Gorani, se cilat do te jenë pasojat për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, po qe se zhbëhet gjykata Speciale, raporton zeri.info.

“E nesërmja mund të jetë ditë e re. Nuk e di çfarë do të ndodhë me gjykatën speciale, por e di se çfarë po ndodhë më Këshill të Evropës. Nuk e di se ku do të mbetet iniciativa e deputetëve, por ejani të dalim me një agjendë se kur mund te dërgohet aplikimi dhe si këtë periudhë ta shfrytëzojmë maksimalisht.

Ju kisha ftuar t’i tejkoni këto dallimet e brendshme dhe ta krijojmë një qasje se si t’i qasemi aplikimit në KE”, është përgjigur Hoxhaj. Mirëpo, kryetarja e komisionit Osmani, ka reaguar sërish lidhur me këtë çështje, e cila ka thënë se duhet të pritet epilogu i nismës për zhbërjen e speciales, e tek më pastaj të aplikohet për anëtarësim në KE.

“Ideja është që të përzgjidhet momenti më i mirë që asnjë shtet te mos gjejë arsye te mbetet statik në përkrahje të Kosovës. Besoj qe kjo do të marrë opilog brenda muajit, s’po e paragjykoj epilogun, por te pritej epilogu i saj”, ka theksuar ajo. Njëjtë ka vepruar edhe Gorani.

Ai ka ripërsëritur disa herë pyetjen e njëjtë: se cilat do te jenë pasojat po qe se zhbëhet ligji mbi specialen.

“Cilat janë pasojat që do t’i kemi nga Këshilli i Evropës për Kosovën nëse shfuqizohet ligji për Gjykatën Speciale? Përveç të më përgjigjeni në pyetje nuk kam çka të shtoj.

Nëse ju jeni profesionist është e pamundur që ju mos ta dini cilat do të ishin pasojat e shfuqizimit ose hudhjes poshtë të nismës. Si deputet më intereson çfarë udhëzimi na kishit dhënë ju”, ka potencuar Gorani.

Ndërkohë, përderisa Hoxhaj e cilësoi cinizëm këtë, kurse Gorani e quajti “bishtnim të taktikës politike”. Hoxhaj krejt në fund ka thënë se pyetja për pasojat do te kishte efekt sikur të bëhej më 22 dhjetor, jo tash./Zeri