BE me kusht të ri për dialogun mes Kosovës e Serbisë

Aktuale January 26, 2018 - 10:36


Normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, është urgjente dhe thelbësore në perspektivën evropiane të dy vendeve.

Kjo është bërë e ditur në projekt-dokumentin e Strategjisë së re për zgjerim të Bashkimit Evropian që do të paraqitet i plotë në muajin shkurt, shkruan Novosti.

Në këtë raport përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini do të intensifikojë angazhimin e saj në negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në mënyrë që të arrihet normalizmi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton lajmi.net

“Më së voni deri në vitin 2019 Beogradi duhet të përmbushë kriteret që kanë të bëjnë me Kosovën”, bëhet e ditur në këtë raport.

Veç kësaj, thuhet se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje gjithpërfshirëse, gjë e cila do të ndikonte në integrimin e dy shteteve.

“Dy shtetet duhet të arrijnë normalizim gjithpërfshirës, që do të sjellë përparim të mëtejshëm në rrugën e integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë”, thotë raporti.

Por, duke marë parasysh se temat që do të diskutohen ende janë të shumta dhe zvarritjet në ritmin e dialogut, atëherë një gjë e tillë duket vështirë e realizueshme.

Deri më tani ende nuk ka ndonjë datë zyrtare se kur do të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që tashmë ka kaluar në nivel presidentësh.