Qeveria e Kosovës mbështet projektet e mëdha për Gjilanin

Aktuale January 25, 2018 - 19:28

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot Komunën e Gjilanit, që korrespondon me manifestimin tradicional “Flaka e Janarit”.

Në takim me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryeministri i shoqëruar nga zëvendësministrat Magbule Shkodra dhe Rexhep Kadriu, është njoftuar me punën dhe angazhimet e kryetarit Haziri dhe të qeverisjes komunale.

Kryeministri Haradinaj tha se janë disa kërkesa të kryetarit Haziri që janë në shërbim të qytetarëve e që dalin jashtë mundësive buxhetore të komunës.

“Jemi në identifikim të rrethanave për investim në impiantin e ujërave të zeza, për projektet e mëdha që janë në territorin e Komunës së Gjilanit, siç është Autostrada, por edhe projekte të tjera” , tha kryeministri Haradinaj.

Po ashtu kryeministri Haradinaj e konsideroi Komunën e Gjilanit shumë të rëndësishme pasi që ndërlidhë shumë komuna tjera të vogla, por edhe komunat e trevave shqiptare.

“Jemi të gatshëm që të bashkërendojmë aktivitetet në relacionin Qeveri-Komunë për shumë projekte, e në këtë rast qeveria nacionale do t’i marr obligimet për shpronësimet në qarkore që është në interes të qytetarëve”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e cilësoi të veçantë dhe historike vizitën e kryeministrit Haradinaj në Gjilan, duke e falënderuar për vullnetin politik dhe angazhimin për të ndihmuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe problemeve bazike që ka kjo komunë.

Po ashtu, kryetari Haziri falënderoi edhe për financimin për herë të parë nga Qeveria të manifestimit kulturor ‘Flaka e Janarit” në nderim të heronjve dhe dëshmorëve të kombit dhe po ashtu për zgjidhjen e problemit pronësor për kampusin e Universitetit ‘Kadri Zeka’, të cilin kryetari Haziri e cilësoi si vendim kapital për zhvillimin e Universitetit dhe qytetit të Gjilanit në përgjithësi.

Ai shprehu besimin se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Haradinaj do të vazhdojë implementimin e të gjitha zotimeve të përbashkëta për zhvillimet infrastrukturore të Komunës së Gjilanit.

Kryeministri Haradinaj poashtu zhvilloi një bashkëbisedim edhe me asamblistët dhe me personalitete të shquara të Komunës së Gjilanit.