“Lufta” me deklarata Kosovë - Serbi

Aktuale January 19, 2018 - 07:51

 

Kryeparlamentari Kadri Veseli në përvjetorin e nëntëmbëdhjetë të Masakrës së Reçakut deklaroi se Serbia as të mos provojë të kthehet në Kosovë pasi që nuk do të ndalemi deri në Nish. Deklaratat e tilla të Veselit erdhën vetëm pak ditë pas pohimeve të shefit të Shtabit të Ushtrisë serbe, gjeneralit Lubisha Dikoviq, se Serbia po planifikon të blejë sistem raketor, i cili zhvillon luftë në largësi më të mëdha se 400 kilometra, me të cilat do të arrihej çdo cep i territorit të Kosovës, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Së fundit edhe ministri i Mbrojtjes së Serbisë Aleksandar Vulin ka kërcënuar Kosovën, duke thënë se Ushtria e Serbisë është e gatshme të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi për qytetarët serbë kudo që jetojnë.

Megjithatë, këto kërcënime dhe veprime kërcënuese të marra nga Serbia nuk u kanë lënë përshtypje zyrtarëve të KFOR-it në Kosovë. Sipas tyre, KFOR-i do ta garantojë sigurinë në vend. Në anën tjetër, edhe ekspertë të sigurisë konsiderojnë se Serbia mundet ta cenojë Kosovën, por vetëm nëse hyn në luftë me NATO-n.

Haradinaj: Kosova është kërcënuar seriozisht nga Serbia

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova është kërcënuar seriozisht nga Serbia ditë më parë. Sipas Haradinajt, Serbia synon që të armatoset me raketa që mbërrijnë deri në Kosovë. “Është shumë më kërcënues lajmi se Serbia synon të armatoset me raketa që mbërrijnë të gjitha destinacionet e Kosovës. Ju e dini, shefi i Shtabit të Ushtrisë serbe vërtet ka deklaruar se ‘synojmë kompletimin e sistemit tonë raketor me distancë të caqeve që mbërrijnë Kosovën. Kjo është shqetësuese, duhet të jetë për të gjithë”, ka deklaruar Haradinaj. 

Në anën tjetër, sa i përket kërcënimit të Vulinit se Ushtria serbe është e gatshme për reagime, zyrtarë nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë për “Zërin” se Qeveria e Kosovës nuk i komenton deklaratat e zyrtarëve serbë. “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i komenton deklaratat e zyrtarëve serbë. Një gjë duhet t’ju sigurojmë, që dihet se si janë të vendosura parametrat e sigurisë në Kosovë”, kanë thënë ata.

KFOR-i: Do ta garantojmë sigurinë në Kosovë

Zyrtarë për marrëdhënie me publikun në KFOR kanë thënë për “Zërin” se KFOR-i do të garantojë mjedis të sigurt në Kosovë. “KFOR-i vazhdon ta garantojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në tërë Kosovën sipas dispozitave të Rezolutës së OKB-së 1244 për çdo qytetar të të gjitha etnive. KFOR-i mbetet vigjilent duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e sigurisë lokale dhe ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen dërguar “Zërit”. “Zëri” ka provuar që për këtë çështje të marrë përgjigje edhe nga Policia e Kosovës, por këta të fundit nuk janë prononcuar.

Maloku: Serbia mund ta cenojë Kosovën vetëm nëse hyn në luftë me NATO-n

Naim Maloku, ekspert i sigurisë, ka thënë për “Zërin” se Serbia mundet ta cenojë territorin e Kosovës vetëm në qoftë se hyn në luftë me NATO-n. Sipas tij, nuk duhet që qytetarët t’ua vënë veshin deklaratave të tilla. “Tërësia territoriale e Kosovës është e garantuar prej NATO-s dhe përderisa është kështu qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë me të shqetësohen dhe as t’i dëgjojnë deklaratat e Vulinit dhe të askujt jashtë Kosovës. Nuk ka nevojë për shqetësime. Përgjegjësinë për siguri për tërësinë territoriale të Kosovës e ka NATO-ja. Vulini dhe Serbia munden ta cenojnë territorin e Kosovës vetëm në qoftë se hyjnë në luftë me NATO-n edhe një herë. Të mos ua vëmë veshin deklaratave të tilla”, ka thënë ai.

Sipas Malokut, po që se Kosova do të ishte vetëm, Serbia do të mundë të ndërhynte në Kosovë. “Serbia sa i përket forcës ushtarake, ekonomike, politike dhe ushtarake po që se do të ishte Kosova vetëm ka mundësi të ndërhyjë në Kosovë, por Kosova është nën përgjegjësinë e NATO-s me misionin e KFOR-it këtu”, ka thënë ai.