Qehaja: Të merren masat e duhura për sigurinë në vend

Aktuale January 17, 2018 - 15:48

Mbikëqyrësit e institucioneve të sigurisë alarmojnë se veriu i Kosovës mund të destabilizohet, njëjtë siç kishte paralajmëruar Departamenti Amerikan i Shtetit ditë më parë nëpërmjet një raporti. Pas vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq në veri është takuar dje edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare që ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, shkruan Zëri.info.

Për këtë eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja, ka thënë se situata në veri të Kosovës është e brishtë. Mirëpo, sipas tij, pas incidenteve të fundit situata është ndërlikuar edhe më shumë. “Kujtoj që situata e sigurisë në vendin tonë apo më mirë ta themi në veri edhe kështu ka qenë e brishtë. Tani kemi edhe një vrasje të një politikani serb, por pati edhe disa të shtëna të mëhershme, pati vrasje e plagosje... dhe sulme kundër pjesëtarëve të FSK-së. Me një fjalë, në atë pjesë të territorit situata e sigurisë është mjaft e ndërlikuar”, ka thënë ai.

Qehaja ka thënë se në pjesën më të madhe të Kosovës situata është stabile, mirëpo ai tha se situata mund të përkeqësohet në rast se nuk merren masat e duhura. “Mendoj që në pjesën tjetër të Kosovës situata e sigurisë është stabile, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të vijë deri te përkeqësimi i situatës nëse nuk do të jemi vigjilentë në këtë drejtim”, tha ai.

Kurse Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë, tha se s’mund të ketë destabilizim në vend, por, sipas tij, qeveria e Serbisë do të tentojë që rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq t’ua atribuojë shqiptarëve. “Unë nuk shoh ndonjë situatë alarmante, pasi vrasja e Oliver Ivanoviqit ka ardhur si rezultat i mosdëgjueshmërisë së subjektit politik të tij në raport me qeverinë serbe. Kështu që unë nuk mendoj që do të ketë destabilizim edhe pse mund të ketë tendenca nga qeveria serbe që këtë rast t’ua atribuojë shqiptarëve”, ka thënë ai.