Shala: Policia dhe AKI-ja kanë informacionet e nevojshme për parandalimin e sulmeve

Aktuale January 17, 2018 - 15:43

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe po ashtu anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala, ka thënë për “Zërin” se paralajmërimi i Departamentit Amerikan të Shtetit do të duhej të merrej seriozisht nga institucionet e sigurisë në vend dhe të bëhen parandalime të sulmeve të mundshme.

Sipas tij, institucionet e sigurisë, Policia edhe AKI-ja janë në krye të detyrës së tyre dhe kanë informacione të mjaftueshme sa për t’i ndaluar këto sulme. Po ashtu për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq Shala tha se kjo nuk mund të ndikojë në destabilizimin e vendit, por tha se duhet të trajtohet me seriozitet që të mos fajësohen shqiptarët, shkruan Zëri.Info.

 “Institucionet e sigurisë sot vetëm janë në detyrë dhe për të gjitha sulmet e mundshme kanë informacione të nevojshme. Deri më tani nuk ka ndonjë informacion që mund të ngrihet ndonjë shqetësim, nuk ka pse të shqetësohemi për ndonjë destabilizim në vend”, tha ai.