Nisma tregon arsyen pse nuk mori pjesë në mbledhjen e kryesisë

Aktuale January 17, 2018 - 15:26

Deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti, ka përmendur dy arsye se pse anëtarët e këtij subjekti nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e sotme të kryesisë, ku pritej të shqyrtohej projektligji për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Hoti në një prononcim për “Zerin” ka thënë se shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, gjendet jashtë vendit, ndërkohë deputetja Albulena Balaj-Halimi ishte vonuar pak, derisa mbledhja, siç tha ai, kishte përfunduar shumë shpejt.

“Sherifi është në udhëtim zyrtar jashtë vendit. Kështu ka qenë edhe Albulena, por ajo është kthyer. Albulena erdhi, por tha se përfundoi mbledhja, është vonuar në ardhje, nuk ka pasur asnjë arsye tjetër”, ka thënë Hoti për “Zërin”.

Mirëpo, mbledhja e kryesisë gjatë ditës së sotme nisi me një orë vonesë. Ishte planifikuar të fillonte në orën 11:00, ndërkaq nisi dhe përfundoi pak pas orës 12:00.

Megjithatë, Hoti ka thënë se Nisma i qëndron prapa qëndrimit që kishte për Specialen dhe posa projektligji për shfuqizimin e saj të vijë në kuvend, Nisma do ta votojë.

“Përndryshe, ne jemi në qëndrim tonin, s’ka diçka. Si të vjen në parlament ligji për gjykatën speciale do ta votojmë”, ka theksuar ai.

Mbledhja e kryesisë ku pritej të shqyrtohej projektligji për zhbërjen e Dhomave të Specializuara dështoi të mbahej sot, meqë nuk pat kuorum kryesia e kuvendit. Kryesia njëjtë kishte dështuar edhe më 22 dhjetor sa i përket kësaj çështjeje./Zeri