Flet motra e Oliver Ivanoviq, ja çfarë thotë ajo

Aktuale January 17, 2018 - 14:12

Për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ngjarje kjo që ndodhi të martën para selisë së partisë së tij në Veri të Mitrovicës, tashmë ka pasur reagime të shumta të politikanëve vendorë, serbë dhe ndërkombëtarë. Madje, Serbia po kërkon që të përfshihet në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, por ende nuk dihet nëse Kosova do ta lejojë këtë. Express ka kontaktuar me motrën e të ndjerit, Natasa Ivanoviq - Iliq, e cila nuk dha shumë komente rreth vrasjes së vëllait të saj.

Natasa Ivanoviq - Ilic, e kontaktuar nga Gazeta Express, nuk tha shumë lidhur me vrasjen e djeshme të vëllait të saj.

“Ai më nuk është dhe tani asgjë tjetër nuk ka rëndësi”, u përgjigj ajo, në pyetjen e Express se a beson se drejtësia kosovare do ta gjejë shpejt dorasin e kësaj vepre.

Vrasja ka ndodhur dje rreth orës 08:10, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, para selisë së partisë së Oliver Ivanoviqit, Iniciativës Qytetare SDP.

 

Informacionet e para nga Policia e Kosovës thonë se sipas deklaratave të dëshmitarëve të rastit, viktima është qëlluar para selisë së partisë në kohën kur po hynte në vendin e punës, nga rruga prej banesës së tij dhe ishte i pashoqëruar nga askush, i vetëm.

Zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, ka thënë për Express-in se tashmë janë nxjerrë, analizuar dhe vlerësuar video-incizimet e marra nga kamerat e sigurisë, të cilat janë marrë në vendin e ngjarjes apo që ndërlidhen me vendin e krimit, si dhe, dëshmitë tjera materiale.

Oliver Ivanoviq është figura më e lartë politike e vrarë në Kosovë, në 15 vitet e fundit. Ai ka qenë për disa mandate deputet i Kuvendit dhe zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës.

Ivanoviqi së fundi ka qenë duke u përballur me aktakuzën për krime lufte, ndonëse ishte i dënuar nga Themelorja për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Veriu, por rasti ishte kthyer në rigjykim dhe që nga ajo kohë Ivanoviqi ishte i lirë.

Oliver Ivanoviq, 64 vjeç, në martesën me bashkëshorten e dytë la një fëmijë, kurse në martesën e parë, la tre fëmijë.