Kush po ndotë ajrin në Prishtinë?

Aktuale January 17, 2018 - 10:26

Kosova është renditur ndër vendet më të ndotura në botë. Niveli i ajrit në Prishtinë ditëve të fundit ka qenë shumë i lartë, gjë që ka shkaktuar edhe alarm sa i përket rrezikut për shëndetin e qytetarëve, shkruan Zeri.

Për këtë nivel të lartë, zyrtarë nga Ministria e Mjedisit thonë se ndotësi më i madh është KEK-u. Ndërsa këtë gjë nuk e pranojnë zyrtarë të KEK-ut. Sipas tyre, kjo korporatë ka investuar në mbrojtjen e mjedisit.

Leutrim Sahiti, këshilltar politik i ministres së Mjedisit, Albena Reshita tha për Zërin se ndotësi më i madh i ajrit në Prishtinë është KEK-u.

“Ne jemi në koordinim të plotë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për të rritur kontrollin e cilësisë së derivateve që importohen në Kosovë. Sigurisht që KEK-u është ndotësi më i madh i ajrit në Prishtinë dhe ne jemi në monitorim të nivelit të ndotjes që vjen nga KEK-u. Kemi fituar një projekt nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) nga i cili do të bëhet edhe vlerësimi i gjendjes së kaldajave dhe elektrofiltrave në TC ‘Kosova A’ e TC ‘Kosova B’, kurse TC ‘Kosova e Re’ do të ndërtohet sipas standardeve të Bashkimit Evropian, për të reduktuar ndotjen e ajrit që vjen nga termocentrali”, thotë  ai.

Në anën tjetër këtë gjë nuk po e pranojnë zyrtarë të KEK-ut.

Skënder H. Bucolli , zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në Korporatën Energjetike të Kosovës KEK, theksoi për Zërin se Termocentrali “Kosova A” asnjëherë nuk i ka tejkaluar emetimet e pluhurit.

“Në këtë drejtim, bazuar në raportet e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit pranë MMPH-së, pavarësisht faktit se KEK-u operon me stabilimente të stërvjetruara nga viti 2014. Termocentrali “Kosova A” asnjëherë nuk i ka tejkaluar emetimet e pluhurit, përkundrazi ka operuar sipas standardeve të parapara të BE-së. Sipas standardeve te BE, vlera e lejuar e emetimeve të pluhurit është 50(mg/Nm3) ndërsa vlera mesatare vjetore e emetimeve te pluhurit nga Termocentrali “Kosova A” ka qenë 42.53 (mg/Nm3) për vitin 2016 dhe 43.14 (mg/Nm3) për vitin 2017 )”, thotë ai.

Për më tepër,  sipas tij, degradimi i cilësisë së ajrit sipas të gjitha matjeve zakonisht ndodhë në orët e paraditës dhe në mbrëmje. Ndërsa siç shton më tej,  KEK-u operon në baza 24/7, pra ndotja nga KEK-u nuk mundë të ndryshohet brenda orëve por sipas tij është konstante.

 “Këto të dhëna janë përfshirë edhe në studimin e fizibilitetit për Termocentralin “Kosovën B”. Burimet e kontribuesve në cilësinë e ajrit në pikat monitoruese të MMPH-së) ku nga matjet që janë bërë në Palaj, Dardhishtë, Obiliq, Prishtinë-Rilindja dhe Prishtinë- HMIK del se dy vlerat më të përfolura të pluhurit PM 10 dhe PM 2.5 nga termocentralet janë nga 1% deri 9 %  ndërsa nga vendbanimet vlera shkon nga 49% deri në 93%. Gjithashtu vlera e NO2 nga termocentralet është nga 10% deri 30% ndërsa nga trafiku vlera shkon nga 55% deri 94%”, thotë ai.

Bucolli tregon se KEK-u ka investuar në mbrojtjen e mjedisit.  

“Përkundër sfidave të prodhimit, objektivë kryesore e KEK-ut ka qenë dhe mbetet mbrojtja e mjedisit në hapësirat ku operon. Ashtu siç u theksua edhe me lart, tashmë ka përfunduar me sukses cikli i investimeve mjedisore e që kapin shumën prej mbi 50 milion Euro, kryesisht nga mjetet vetanake”, shton ai.

Adonis Tahiri, zyrtar për komunikim në Komunën e Prishtinës, thotë se faktorët kryesor të ndotjes janë trafiku i ngarkuar dhe përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje, qoftë nga shtëpitë dhe banesat, qoftë nga bizneset./ZERI.