Thaçi i thotë Mogherinit: Do të bëjmë gjithçka për ndriçmin e vrasjes së Ivanoviqit

Aktuale January 16, 2018 - 18:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një bisede telefonike me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e ka siguruar atë se institucionet përgjegjëse të Kosovës do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të ndriçuar sa më shpejtë vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Thaçi ka thënë se Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë dialogun dhe përpjekjet për normalizim të plotë me Serbinë, njofton Zyra për Informim e presidentit.

Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, gjatë ditës ka telefonuar Presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë, pas vrasjes së Ivanoviqit në veri të Kosovës.

Menjëherë pas vrasjes, presidenti Thaçi i kishte ftuar organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e vrasjes së tij dhe aktorët e krimit të dalin para drejtësisë.

Ai kishte apeluar te qytetarët e të gjitha komuniteteve në veri të vendit që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për ndriçimin sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje.