Detaje të hollësishme për vrasjen e Oliver Ivanoviq

Aktuale January 16, 2018 - 17:29

Lideri i iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” [SDP] në Kosovë, Oliver Ivanoviq, nuk u ka mbijetuar plagëve, pas sulmit ndaj tij me armë zjarri, në mëngjesin e së martës.

Vdekjen e Ivanoviqit e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Shyqri Syla, kryeprokuror i Prokurorisë në Mitrovicë.

“Ivanoviq është vrarë para selisë së partisë së tij dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur”, ka thënë Syla.

Sulmi ndaj Ivanoviqit kishte ndodhur para zyrës së Ivanoviqit. Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin.

Zheljko Bojiq, shef i operativës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se incidenti me armë zjarri ka ndodhur në rrugën Sutjeska, rreth orës 8 e 10 minuta.

“Me këtë rast është plagosur Oliver Ivanoviqi. Viktima, menjëherë është dërguar në spitalin e Mitrovicës së Veriut, ku është tentuar t’i bëhet reanimimi, pas së cilës, mjekët kujdestarë kanë konstatuar se ai ka vdekur. Ekipet hetuese dhe prokurori kompetent ende janë në vendin e ngjarjes dhe po e bëjnë hetimin. Gjithashtu po i hetojnë edhe gjurmët e caktuara që janë gjetur në vendin e ngjarjes, të cilat do të shërbejnë për rrjedhën e mëtejshme të hetimit”, ka thënë Bojiq.

Policia ka rrethuar vendin ku është qëlluar për vdekje Oliver Ivanoviq

Ai ka shtuar se një incident tjetër ka ndodhur, po ashtu në Mitrovicën e Veriut, rreth një orë pas incidentit ku u qëllua Ivanoviq, duke thënë se Policia po i heton të dyja rastet, për të shikuar nëse eventualisht ato kanë ndërlidhje.

“Rreth orës 9 e 15 minuta, në rrugën Vojvoda Putnik është gjetur e djegur një veturë e tipit ‘Opel Astra’, pa tabela regjistrimi. Policia, aktualisht është duke dyshuar se ky rast mund të jetë i ndërlidhur me rastin e vrasjes së Ivanoviqit. Hetimet ende janë duke vazhduar”, ka thënë Bojiq.

Ndryshe, së fundmi, për identifikimin sa më të shpejtë të kryerësve të aktit kriminal, Policia e Kosovës ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit. Policia e Kosovës ka ofruar 10 mijë euro shpërblim, për cilindo qytetar, i cili mund të jap informacione, të cilat shpien në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti.

Vrasjen e Oliver Ivanoviqit, e kanë dënuar zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës, si dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në vend.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një komunikate për media i ka ftuar “organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejt rrethanat e vrasjes së tij dhe që aktorët e krimit të dalin para drejtësisë”.

Gjithashtu, vrasjen e Ivanoviqit e kanë dënuar edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe Qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie e ka dënuar fuqishëm “vrasjen e dhunshme” të politikanit serb, Oliver Ivanoviq, dhe ka shprehur ngushëllimet më të thella të ambasadës amerikane për familjen e tij.

“U bëj thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë në Kosovë – sidomos tash që policia, prokurorët dhe gjykatat janë të integruara – ta hetojnë këtë incident me shpejtësi dhe profesionalizëm dhe të sjellin autorët përpara drejtësisë”, ka thënë ambasadori Delawie.

Në anën tjetër, president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur mbledhje urgjente me Këshillin për siguri kombëtare. Ai e ka cilësuar vrasjen e Ivanoviqit si akt terrorist.

“I kemi dërguar letrën organeve të EULEX-it dhe UNMIK-ut, me kërkesën tonë, jo dëshirën, por kërkesën, që organet shtetërore të Republikës së Serbisë të marrin pjesë në zhvillimin e hetimit në territorin e Kosovës, sepse jemi të bindur që pjesëmarrja e organeve të drejtësisë të Serbisë do të nënkuptonte zbulimin e të vërtetës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ka thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se nëse kërkesa e shtetit serb për pjesëmarrje në hetime nuk miratohet, atëherë Serbia do të kryejë një hetim të veçantë.

Oliver Ivanoviqi, në zgjedhjet e fundit lokale, ka qenë lider i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”.

Fotografia e politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq, e vendosur në ndërtesën e zyrës së tij në Mitrovicë

Ndonëse kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të qershorit të vitit 2017, ai kishte hequr dorë për shkak të numrit të madh të subjekteve politike nga bashkësia serbe, duke thënë se kjo do të sillte deri te shpërndarja e votave.

Gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, disa kandidatë për këshilltarë komunalë nga subjekti i tij politik, ishin tërhequr nga lista për shkak të kërcënimeve se do t’i humbnin vendet e punës. Beogradi zyrtar, me këtë rast kishte mbështetur vetëm Listën Serbe.

Në fillim të vitit 2014, Ivanoviq ka qenë një prej kandidatëve për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, kur edhe ishte arrestuar. Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2017, kishte vendosur për gjykimin e sërishëm të Oliver Ivanoviqit, pasi që në vitin 2016 ishte dënuar me 9 vjet burg për krime të luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës, gjatë viteve 1999 dhe 2000. Gjykimi i sërishëm kishte nisur me 24 mars të vitit 2017 dhe me 21 prill, Ivanoviqit i ishte hequr masa e arrestit shtëpiak dhe i ishte mundësuar mbrojtja nga liria.

Ivanoviq pas vetes ka lënë bashkëshorten Milenën dhe katër fëmijë./REL