Vetëvendosje, AAK e Nisma kundër dërgimit të Demarkacionit në Kuvend pa rekomandim

Aktuale January 15, 2018 - 11:06

Komisioni për Punë të Jashtme në mbledhjen e sotme diskutoi për Marrëveshjen e Demarkacionit, për të cilën pati mospajtime mes përfaqësuesve të partive politike.

Derisa kryetarja e këtij Komisioni, Vjosa Osmani (LDK), kërkonte që Marrëveshja e Demarkacionit t’i dërgohet kryesisë së Kuvendit pa asnjë rekomandim, kishte anëtarë të partive, kryesisht opozitare, që kërkonin diçka tjetër.

Time Kandrijaj nga AKK kërkonte që nga Komisioni për Punë të Jashtme të dalë rekomandimi për mosvotim të Marrëveshjes se Demarkacionit, dhe si e tillë t’i dërgohet kryesisë së Kuvendit.

Të njëjtin qëndrim e pari edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha. A tha se qëndrimet tashme dihen dhe se komisioni i Shpejtim Bulliqit e ka vërtetuar se ish-Komisioni i Murat Mehës i ka tejkaluar kompetencat e veta.

Qëndrim të ngjashëm pati edhe deputeti i LVV-së, Visar Ymeri.

Por kjo çështje hasi në kundërshtim të deputetes së LDK-s-, Doruntinë Maloku, e cila tha se çfarëdo rekomandimi nga Komisioni do të ishte ndërhyrje në punën e Prokurorisë e cila duhet të merret me hetimet rreth dyshimeve për falsifikim të hartave.

Po ashtu, edhe deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, tha se Demarkacioni deri më tash do të duhej të kryhej, e jo të vazhdohet me diskutime të tilla. Edhe ai ishte kundër një rekomandimi të tillë nga Komisioni.

Pas hedhjes në votim, doli që votat ishin 5 me 5, dhe kështu, kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani, vendosi që Marrëveshja për Demarkacionit t’i shkojë kryesisë së Kuvendit pa asnjë rekomandim.

Kurse kjo mbetet në kompetencën e kryesisë së Kuvendit se kur do ta caktojë seancën ku do të votohet për Demarkacionin.