Kurti në rrugë për t'u bërë babai i Vetëvendosjes

Aktuale January 10, 2018 - 19:36

Afati për të kandiduar për kreun e Lëvizjes Vetëvendosje përfundon sot. Deri më tani kandidati i vetëm është themeluesi i saj, lideri shpirtëror, Albin Kurti, me kusht që nëse deri sonte, në ora 24:00, nuk shfaqet ndonjë kundërkandidat, sa për të simuluar demokracinë. Kurti me lehtësi do ta rikthejë lidershipin e tij në Vetëvendosje, por bazuar në përçarjen aktuale dhe dorëheqjet e vazhdueshme që po ndodhin aty, ai do ta drejtojë një subjekt së paku të përgjysmuar.

“Nuk ka babë, por ide”, ky është një prej sloganeve që u përdorën më së shumti ditëve të fundit teksa po zhvillohej drama e përçarjes brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Në fakt, kjo teori që aktivistet thoshin se e kishte ligjëruar Albin Kurti në Vetëvendosje, po shndërrohet në realitet, natyrisht në mënyrën e kundërt nga ajo se si thuhej se kishte ligjëruar Kurti. 

Për këtë Lëvizje gjithçka ishte menduar ndryshe. Nga jashtë përjetoheshin unikë në mendime e qëndrime, “një për të gjithë, të gjithë për një”.Por, gjithçka rezultoi të jetë ndryshe. Organizata që pretendonte të ishte e pathyeshme, u nda në dy tabore. Nga njëra anë, Albin Kurti, e në anën tjetër Dardan Molliqaj.

Tashmë, asgjë nuk është e fshehur. Mospajtimet e tyre janë duke i shprehur me të madhe. Shumicën e kohës përmes rrjeteve sociale. Kjo parti, tashmë po përballet edhe me zgjedhjet brendapartiake. Por deri më sot, ditën kur përfundon gara, përveç Albin Kurtit, asnjë tjetër nuk ka marrë guximin të jetë përballë tij.

Kjo është bërë e ditur për Express nga zyrtarë brenda Vetëvendosjes. Ata kanë sqaruar se Albin Kurti është i vetmi kandidat në garën për t’u zgjedhur kryetar i kësaj Lëvizjeje.

Ndërkaq, shpjegojnë se, pas përfundimit të këtij afati, nuk vlen më asnjë kandidim tjetër.

Përçarja e këtij subjekti politik ndodhi në kohën kur Albin Kurti gjendej në paraburgim për shkak të gazit lotsjellës. Ndonëse “pa qëllim”, Aida Dërguti, shkëmbeu një sms brenda një grupi me zyrtarë të Vetëvendosjes duke menduar se të njëjtin po e ndante vetëm me Molliqajn. E quajti Albin Kurtin mut. 

Por, menjëherë pas këtij skandali që u ekspozua ne publik, Dërguti dha dorëheqje nga pozitat që mbante në Vetëvendosje. Më vonë u kuptua se krah Aidës ishte edhe Molliqaj. Madje pikërisht ky i fundit shumë kohë më parë kishte mospajtime me Kurtin. Krejt këto zbuloheshin në vazhdimësi teksa vetë zyrtarët e kësaj partie deklaroheshin dhe shprehnin kundërshtitë mes tyre.

Molliqaj tha se gjithçka kishte nisur në tetor të vitit të kaluar, për çka Kurti kishte dyshuar se ai ka qëllime për të marrë udhëheqjen e partisë.

Albin Kurti ishte në burg, kohën kur në partinë që dikur e drejtonte kishin filluar akuzat mes vete. Por Kurti kishte zgjedhur që edhe mbrapa grilave, në ditën kur po mbahej Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie, t’u tregonte atyre se të gjithë janë të zëvendësueshëm, përveç atij.

Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të ballafaqohet me krizën e brendshme politike. Vetëm për një kohë shumë të shkurtë, shumë zyrtarë të saj dhanë dorëheqje.

Deri më tani, Dardan Molliqaj, i cili u largua nga pozita e sekretarit organizativ, Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Shqipe Pantina, Dardan Sejdiu, Faton Topalli. Nga të gjitha postet drejtuese të Vetëvendosjes ka dhënë dorëheqje edhe Kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati. 

Këtij subjekti politik i parashtruan dorëheqjet edhe delegati i Këshillit të Përgjithshëm në Gjermani, Kujtim Robelli si dhe vëllau i Dardan Molliqajt, Vlorian Molliqaj. Derisa sot, nga iu bashkua listës së dorëheqjes edhe ish-kandidati për kryetar të Gjakovës, Driton Çaushi/Express