‘Gjasat që Kuvendi të vendosë për Gjykatën Speciale janë shumë të vogla’

Aktuale January 10, 2018 - 16:20

Profesori i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se pas përpjekjes së parë të pasuksesshme që të procedohet kjo çështje dhe pas deklarimit të kryeparlamentarit Veseli rreth saj, gjasat që Kuvendi të marrë vendim për Gjykatën Speciale, janë të vogla.

“Tashmë ka gjasa të mëdha që kjo iniciativë të mos procedohet dhe edhe nëse procedohet të mos ketë gjithsesi shumicën në Kuvend dhe të mos realizohet”, tha Baraliu për Radio Kosovën.

Sipas Baraliut, janë një sërë indikatorësh që tregojnë se është e parealizueshme iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Këtë sipas tij, e dëshmon edhe letra e kryeparlamentarit Veseli.

“Sigurisht që kryetari i Kuvendit ka pasur parasysh indikatorët e ndryshëm dhe është deklaruar ashtu si është deklaruar se një iniciativë e tillë nuk mund të kalohet”, tha Baraliu.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta kanë thënë se kryetari i Kuvendit duhet ta thërras sa më shpejt seancën e jashtëzakonshme, për të cilën janë mbledhur mbi 15 mijë nënshkrime të qytetarëve dhe 43 nënshkrime të deputetëve. Sipas tyre, me mosthirrje të seancës, po bëhet shkelje e Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës së Kosovës.

Të kontaktuar nga Periskopi për këtë çësthje nuk ka pranuar të flas as Nait Hasani e as shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

Ndërsa nga AAK-ja, Muharrem Nitaj, në një prononcim dhënë Periskopit, ka thënë se tashmë është vonë për çfarëdo nisme lidhur me Gjykatën Speciale, dhe ka thënë se përgjegjësinë për këtë e bartin ata që e kanë votuar Specialen në vitin 2015./Periskopi/