Zmbrapsja Speciale

Aktuale January 09, 2018 - 07:32

Kryeparlamentari Kadri Veseli është zmbrapsur nga bashkëiniciativa me presidentin Hashim Thaçi dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Sipas tij, kjo Gjykatë nuk mund të pengohet. Por, partnerët e koalicionit qeverisës (AAK-ja dhe Nisma) nuk janë tërhequr nga kjo iniciativë, shkruan sot Gazeta "Zëri".                         

Në mesin e 43 deputetëve që kishin marrë iniciativë për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale shumica ishin deputetë të PDK-së që drejtohen nga Kadri Veseli.

Ky i fundit madje kishte thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë së Kuvendit në fund të muajit të kaluar për ta proceduar në seancë të Kuvendit shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, porse një iniciativë e tillë dështoi për dy herë radhazi në mungesë të kuorumit. Por, dy javë më vonë shefi i PDK-së dhe njëherësh kryeparlamentari Kadri Veseli nëpërmjet një opinioni të botuar në medie ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se Gjykata Speciale nuk do të mundë të pengohet, ashtu siç nuk ka mundur të ndalet as para dy vjetësh (kur ishte miratuar në Kuvend), shkruan tutje Gazeta "Zëri". 

Por pavarësisht tij përfaqësuesit e dy partnerëve të koalicionit, të AAK-së e të Nismës, nuk janë tërhequr nga kjo iniciativë. Përkundrazi, përderisa nga AAK-ja kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, nga Nisma për Kosovën thonë se ky ligj duhet t’i nënshtrohet ndryshim-plotësimit.

Mirëpo njohësit e çështjeve politike opsionin e shfuqizimit e shohin gati të pamundur pas tërheqjes së PDK-së nga kjo nismë. Sipas tyre, tërheqja e PDK-së nënkupton vetvetiu edhe tërheqjen e kërkesës për zhbërjen e Gjykatës. Ndërkohë, tërë bujën e ditëve të fundit rreth Speciales ata e konsiderojnë si një “lojë” që është bërë për interesa të ngushta e aspak parimore.

Veseli: Gjykatën Speciale s’mundëm ta ndalim as më 2015-ën

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit e njëherësh lider i PDK-së, gjatë ditës së djeshme ka thënë se shfuqizimi i Gjykatës Speciale nuk do të ndodhë. Sipas tij, kjo Gjykatë nuk ka mundur të ndalet as atëherë kur është votuar, para dy vjetëve. “Më së paku në botë e ka merituar Kosova t’i ndodhë, por ajo do të ndodhë edhe pse ka qindra argumente që flasin kundër saj. Është padrejtësi që po bëhet në emër të drejtësisë. Qëndrimi im ndaj saj mbetet ai që e kam thënë në Kuvend tash e dy vjet më parë. Nuk kemi mundur ta ndalnim as atëherë. 22 dhjetori vetëm e dëshmoi këtë”, ka thënë Veseli nëpërmjet një shkrimi autorial.

Veseli më tutje ka thënë se Gjykata Speciale do ta ketë të pamundur ta turpërojë luftën që ka bërë UÇK-ja. “Askush nuk do të mundë të na turpërojë për luftën që kemi bërë e më së paku Gjykata Speciale. Këtë mund ta bëjnë vetëm egot personale për përfitime apo librezat e rrejshme të veteranëve”, ka nënvizuar i pari i PDK-së

Kadriaj: AAK-ja nuk ndërron qëndrim, përkrahim çdo nismë për shfuqizim

 Nga ana tjetër deputetja e AAK-së, Time Kadriaj (e cila ka nënshkruar nismën për ta shfuqizuar këtë gjykatë), ka thënë se ky subjekt nuk ndërron qëndrim sa i përket kësaj gjykate. “Ne si Aleancë nuk kemi ndërruar qëndrim lidhur me Gjykatën Speciale. Ne kemi qenë kundër Gjykatës Speciale edhe kur është formuar ajo. E kemi kundërshtuar hapur atë”, është shprehur ajo për “Zërin”.

 Më tutje Kadriaj ka thënë se nga cilido deputet që do të ngrihej si çështje shfuqizimi i Speciales AAK-ja do ta mbështeste një gjë të tillë. Megjithatë, e pyetur rreth nismës për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, ajo ka thënë se nuk ka informacion nëse një nismë e tillë do të vazhdohet ose do të tërhiqet. “Ju e dini që Kuvendi është në pushim deri më datën 15, ta shohim tash deputetët e nismës së kësaj procedure a do të vazhdojnë ta procedojnë ende këtë nismë apo do të stopohet, nuk kam informacione”, ka shtuar ajo.

Hoti: Jemi të vendosur që duhet ndryshim-plotësimi i Ligjit për Specialen

 Ndërkaq deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti, ka thënë se Ligji i Gjykatës Speciale duhet të ndryshohet. “Jemi të vendosur që duhet të ndryshohet Ligji për Gjykatën Speciale, duhet të ketë plotësim-ndryshime. Gjykata është një e padrejtë e madhe që bëhet në historinë e vendit dhe qëndrojmë fuqishëm në të gjitha rrugët e mundshme që hapin mundësinë e plotësim-ndryshimit të Gjykatës Speciale”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse Nisma është vetëm pro ndryshim-plotësimit apo edhe shfuqizimit të tërësishëm të Speciales, Hoti ka thënë se Nisma do ta japë kontributin e saj që të mos dëmtohet vendi. “Jemi që të trajtojmë gjithçka që dëmton vendin. Ajo duhet të trajtohet, ka qenë kërkesë për ta futur në Kuvend. Ne presim të kontribuojmë në atë, ne kemi qenë kundër edhe në vitin 2015 për të ardhur në Kuvend, kemi qenë të bindur edhe atëherë se është e dëmshme”, ka theksuar deputeti i Nismës.

Rugova: Veseli hyri në një aventurë, por i doli keq

Nga ana tjetër deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se LDK-ja ka mbajtur qëndrim konsistent edhe gjatë vitit 2015 sa i përket Gjykatës Speciale. Duke folur rreth idesë për  ta shfuqizuar këtë ligj (meqë LDK-ja ka qenë kundër kësaj), Rugova ka thënë se miqësia me SHBA-në është shumë e rëndësishme.

Ndërkohë, duke komentuar lëvizjet në qëndrimet e liderit të PDK-së Kadri Veseli, ai ka thënë se PDK-ja kishte tjetër qëndrim gjatë vitit 2015. “Edhe ata, partia e Veselit, e dimë si kanë deklaruar për Gjykatën, se i hap rrugë integrimit në BE, në strukturat euroatlantike. Ai ka qenë zëdhënësi kryesor i krijimit të kësaj gjykate. Po ata që insistuan të krijohet po dalin tash që ta shfuqizojnë, por ndryshimet kushtetuese, ligjet e votuara në Parlament nuk mund të shfuqizohen kujt t’i ‘teket’. Sa për atë që ka thënë Veseli ne e kuptuam që ka hyrë në një aventurë, nuk e kanë llogaritur mirë, u doli keq edhe te partnerët strategjikë dhe tani po tentojnë të nxirren. E kanë dëmtuar shumë Kosovën dhe kjo do t’i kushtojë Kosovës, vetë këtyre iniciatorëve dhe LDK-ja do të vazhdojë me konsistencën për qëndrimet e veta parimore që ka mbajtur”, ka shtuar ai.

Demhasaj: Tërheqja e PDK-së nënkupton tërheqjen e iniciativës për ta zhbërë Specialen

 Kurse Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka thënë se pas tërheqjes së Kadri Veselit shfuqizimi i Gjykatës Speciale është vështirë të ndodhë. “Në kuadër të koalicionit qeverisës shumica janë nga PDK-ja dhe në rast se kemi një tërheqje të PDK-së, atëherë vështirë që AAK-ja dhe Nisma mund ta shfuqizojnë Ligjin për Specialen. Tërheqja e PDK-së i bie që po tërhiqet tërë iniciativa për ta zhbërë Gjykatën Speciale”, ka theksuar ai.

Sipas tij, presioni ndërkombëtar që ka ndodhur ditët e fundit lidhur me idenë për shfuqizim ka ndikuar tek tërheqja e Veselit.

E njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu ka thënë se e tërë ajo çka është bërë me Gjykatën Speciale ditët e fundit mund të jetë një lojë për interesa joparimore. “Mund të jetë lojë e dikujt për interesa më pak sesa parimore, kolektive e në interes të shtetit dhe të popullit”, ka deklaruar ai.  

 Megjithatë shfuqizimi i kësaj gjykate, siç ka thënë Baraliu, nuk do të mundë të realizohet. “Nuk është e mundur të bëhet mirëfilli ashtu siç ata po pretendojnë, unë mendoj që nuk mund të zhbëhet. Ata që po propozojnë duhet të analizojnë mirë, pa ndryshimet kushtuese nuk mund të bëhet, ato nënkuptojnë 2/3-at, por nuk i kanë sepse nuk ka disponim në radhë të parë nga Lista Serbe dhe opozita e as nga një pjesë e pozitës”, ka theksuar ai.