Serwer: Shfuqizimi i Speciales me pasoja serioze për Kosovën

Aktuale January 08, 2018 - 07:45

Analisti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale do të përcillet me pasoja serioze për Kosovën, pasi që, sipas tij, marrëdhëniet me SHBA-në dhe me BE-në do të jenë shumë më problematike

Shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale do t’i bënte marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), si dhe me Bashkimin Evropian (BE) shumë më problematike dhe kjo do të kishte pasoja serioze për vendin.

Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës Zëri” analisti i njohur amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, duke shtuar se liderët kosovarë po sillen sikur të jenë të kërcënuar nga Gjykata. 

Pas dy dështimeve që kjo çështje të procedohet në Kuvend në fund të vitit të kaluar, Serwer shpreson që një përpjekje e tillë të mos realizohet gjatë këtij muaji, ashtu siç po pritet të ndodhë pas kthimit të deputetëve nga pushimet e fundvitit.

Analisti amerikan gjatë kësaj interviste për Zërinka folur edhe për mosratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, me ç’rast ka vlerësuar se ky është një veprim i pamatur politik, pasi Kosova ka nevojë për liberalizim të vizave me BE-në.

Ndërsa sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai ka thënë se një marrëveshje e tillë duhet zbatuar në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Edhe këtu Kosova ka shumë më tepër për të fituar nga zbatimi i programit sesa nga braktisja e tij”, ka potencuar Serwer.

Zëri: Z. Serwer, në fund të vitit të kaluar Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka tentuar që ta procedojë në seancë të Kuvendit iniciativën për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, por një gjë e tillë ka dështuar. Gjasat janë që një gjë e tillë të ndodhë pas dy javëve. Si e komentoni rikthimin e kësaj çështjeje përsëri në Kuvend pavarësisht kritikave të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare?

Serwer:
Mendoj se nuk është e mençur që Kuvendi ta rihapë këtë çështje, por është një organ i zgjedhur në mënyrë demokratike e sigurisht ka të drejtë ta bëjë këtë gjë.

Liderët kosovarë veprojnë sikur të jenë kërcënuar nga Gjykata

Zëri: Iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është kritikuar ashpër edhe nga zyrtarët e lartë të BE- së dhe së fundit edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Pse mendoni se është tërë ky insistim i liderëve kosovarë në kundërshtim të plotë me partnerët ndërkombëtarë?

Serwer:
Duhet t'ua bëni liderëve kosovarë këtë pyetje. Ato veprojnë sikur të jenë kërcënuar nga Gjykata qoftë në mënyrë gjyqësore, apo në mënyrë elektorale.

Zëri: Nëse shfuqizohet Ligji për Gjykatën Speciale a rrezikon Kosova t’i ngrijë raportet me SHBA-në dhe me BE-në?

Serwer:
Jo, por do t'i bënte ato marrëdhënie shumë më problematike. Nuk ka dyshim se do të ketë pasoja serioze.

Zëri: A mund Këshilli i Sigurisë së OKB- së ta autorizojë këtë Gjykatë nëse Kosova refuzon drejtësinë ndërkombëtare?

Serwer:
Ndoshta, por jo si gjykatë e Kosovës.

Zëri: Presidenti Thaçi ka qenë përkrahësi më i madh i kësaj gjykate, ndërsa tashmë është shndërruar në kritikuesin më të madh. Pse ky ndryshim në qëndrime, a ndërlidhet sipas jush me aktakuzat potenciale ndaj liderëve kryesorë?

Serwer:
Duhet ta pyesni atë.

Zëri: Cilat do të jenë pasojat për Kosovën nëse këtë muaj shfuqizohet Ligji për Gjykatën Speciale?

Serwer:
Ju do të duhet të kërkoni përgjigje nga përfaqësuesit zyrtarë të SHBA-së dhe të BE-së në këtë pyetje. Unë mund t’i imagjinoj të gjitha llojet e pasojave, por nuk e di se çfarë planifikojnë të bëjnë Brukseli dhe Uashingtoni.

Zëri: A mendoni që ka gjasa që një tentim i tillë të realizohet apo pritni që të dështojë përsëri?

Serwer:
Me të vërtetë nuk e di. Shpresoj që përpjekja të mos realizohet.
 

Asociacioni, në përputhje me vendimin e Kushtetueses

Zëri: Pavarësisht ftesës së SHBA-së dhe të BE-së, Parlamenti i Kosovën nuk po arrin ta ratifikojë as Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Duke e pasur parasysh që ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është kusht për liberalizimin e vizave, si e shihni veprimin politik të palës kosovare?

Serwer:
Gjithashtu ky është një veprim i pamatur politik. Kosova ka nevojë për liberalizim të vizave.

Zëri: A mendoni që Kosova është afër ta marrë liberalizimin e vizave?

Serwer:
Sa afër, po aq larg.

Zëri: Asociacioni i Komunave Serbe në anën tjetër është një marrëveshje e arritur me Serbinë, e cila ka stagnuar. Janë serbët në anën tjetër që kërkojnë që kjo marrëveshje të zbatohet sa më parë, si e shihni ju një gjë të tillë?

Serwer:
Shpresoj të shoh zbatimin në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Edhe këtu Kosova ka shumë më tepër për të fituar nga zbatimi i programit sesa nga braktisja e tij.