Vetëvendosje në Prizren i jep LDK-së tri drejtori dhe nënkryetarin

Aktuale January 07, 2018 - 17:45

Vetëvendosje ka vendosur të ndajë pushtetin me LDK-në në Prizren. Mytaher Hasakuka do ta ketë për Nënkryetar një zyrtar të partisë së Isa Mustafës. Për LDK-në do të jenë edhe tri drejtori aq sa do t’i ketë edhe Partia e Fatmir Limajt. Kryetari i VV-së në Prizren, Artan Abrashi, ka thënë se shpejt do të zyrtarizohet marrëveshja me partitë tjera.

Mediat kanë raportuar se LDK i ka ndihmuar VV-së që ta fitojë qytetin e dytë më të rëndësishëm pas kryeqytetit, Prizrenin. Kjo po i shpërblehet LDK-së me postin e nënkryetarit dhe me tri drejtori të kësaj komune.

Kryetari i Vetëvendosjes në Prizren, Artan Abrashi, ka thënë për RTK-në se marrëveshjet me partnerët e koalicionit janë drejt përfundimit.

Sipas tij, LDK-ja do të ketë tri drejtori dhe nënkryetarin, Nisma do t`i ketë tri drejtori dhe partitë minoritare mund të kenë nga një drejtori,” por ende po bisedohet me ta”.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka caktuar ditën e mbajtjes së seancës ku do të bëhet zgjedhja e kryesuesit të përbërjes së re të Kuvendit të Prizrenit. Seanca do të mbahet më 15 janar.