Selimi: 'Vetëvendosja' do të votojë pro shfuqizimit të Speciales

Aktuale January 04, 2018 - 07:48

Rexhep Selimi, deputet i lëvizjes “Vetëvendosje” në Kuvendin e Kosovës, thotë se partia së cilës i përket ai do të votojë pro shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale. Sipas tij, nismën për zhbërjen e Gjykatës Speciale do të duhej ta merrte Qeveria ose presidenti

Lëvizja “Vetëvendosje” do të votojë pro shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale.

Kështu ka bërë të ditur gjatë një interviste për gazetën Zërideputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi.

Mirëpo, ani pse lëvizja “Vetëvendosje” ka vendosur ta përkrahë zhbërjen e kësaj gjykate, ata javë më parë nuk morën pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, e thirrur pikërisht për këtë çështje, për të cilën Selimi ka thënë se mbi 40 nënshkrime të deputetëve janë më të rëndësishme sesa mbledhja e Kryesisë (qoftë edhe pa kuorum) për ta thirrur seancën.

Selimi tha përi "Zërin" se nismën për zhbërjen e Gjykatës Speciale do të duhej ta merrte Qeveria ose presidenti, por, sipas tij, ata po shfrytëzojnë “individë” e rrugë të tjera për këtë gjë.

Selimi tha se vota pro e lëvizjes “Vetëvendosje” për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk po bëhet për mbrojtjen e individëve të caktuar, por për qytetarët e Kosovës.

Ndërkohë, kërkesa për shfuqizimin e Speciales ka ardhur më 22 dhjetor të vitit që lamë pas nga 43 deputetë të partive në pushtet (të cilët kishin mbledhur nënshkrimet e tyre).

Pavarësisht kësaj, seanca ende nuk është caktuar pasi më 22 dhjetor Kryesia kishte dështuar ta mbajë mbledhjen pas dështimit dy herë radhazi, ndërkohë që Kuvendi është akoma në pushim (deri më 15 janar).

Zëri: Para rreth dy javësh 43 deputetë mblodhën nënshkrimet, ku kërkuan mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Si e keni parë ju këtë?

Selimi: Ditë më parë u mblodhën 43 nënshkrime të deputetëve të mazhorancës në kërkesë të një seance plenare për ta shqyrtuar P/L për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Përveç kësaj, po ashtu javë më parë janë mbledhur edhe nënshkrime me një peticion për një qëllim të ngjashëm. Duke e ditur se ka pasur dhe ka rrugë edhe më të shkurtra deri te një iniciativë ligjore, nuk e kuptoj se përse i është shkuar kaq rrotull kësaj pune. Këtë iniciativë mund ta marrë edhe Qeveria, edhe presidenti. Përse ata nuk e kanë marrë këtë nismë ende nuk e kanë shpjeguar.

Zëri: Sa është e vonuar kjo iniciativë, kur para dy vjetësh i janë hapur rrugët Speciales?

Selimi: Dyshoj se një shfuqizim i Ligjit për Specialen mund ta ndalë atë të keqe që është shkaktuar në gusht të 2015-ës kur është themeluar Gjykata pikërisht nga ata që sot po kërkojnë shfuqizimin e saj.

Zëri: Cili është qëndrimi juaj si LVV. A do ta mbështesni shfuqizimin e këtij ligji po që se vjen në Kuvend?

Selimi: Lëvizja “Vetëvendosje” ka të njëjtin qëndrim sikur në vitin 2015, do të vazhdojë ta kundërshtojë këtë gjykatë. Nëse nuk është thjesht një manovrim taktik apo ndoshta edhe një kërcënim i Thaçit ndaj ndërkombëtarëve, pra nëse vjen në Kuvend ne do ta votojmë shfuqizimin e saj. Këtë e bëjmë për hir të Kosovës, jo për hir të ndonjë individi.

Zëri: Pavarësisht kësaj iniciative, Kryesia nuk pati kuorum për ta mbajtur mbledhjen më 22 dhjetor, në mënyrë që të caktohej seanca. Pse nuk morët pjesë ju si LVV në Kryesi?

Selimi: Nënshkrimi i 43 deputetëve për ta thirrur seancën ka fuqi më të madhe juridike për ta thirrur një seancë sesa Kryesia e Kuvendit. Një nismë të mbi 40 deputetëve nuk mund ta stopojë Kryesia, qoftë edhe pa kuorum.

Zëri: Ju personalisht a prisni të finalizohet kjo kërkesë për shfuqizimin e Speciales? A ka gjasa të ndodhë kjo?

Selimi: E shoh me një dozë rezerve dhe mosbesimi këtë gjë. Por, sidoqoftë, ne jemi në të njëjtat qëndrime ndaj kësaj gjykate, siç kemi qenë edhe më herët. Kur Thaçi i gënjeu deputetët e vet në vitin 2015, si mund të besojmë se nuk po na gënjen edhe neve tash. Atij s’i besohet për asgjë. Prandaj ne u besojmë vetëm qëndrimeve tona.

Zëri: Menjëherë pas bërjes publike të kësaj kërkese ka pasur reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare. A rrezikon Kosova t’i cenojë raportet me ndërkombëtarët po që se zhbëhet Specialja?

Selimi: Deklarimet e ambasadorit amerikan dhe atij britanik ishin si asnjëherë më parë. Mirëpo përderisa nuk na janë drejtuar neve, “Vetëvendosjes”, atëherë unë nuk po i komentoj.