Hoxhaj: Disa nga kritikuesit e rritjes së pagave paguhen më shumë dhe kanë përgjegjësi më pak

Aktuale December 29, 2017 - 15:42

Zyrtarët e Qeverisë vazhdojë të mbrojnë vendimin për rritje të pagave për kabinetin qeveritar, pavarësisht kundërshtimit që i është bërë nga partitë opozitare dhe shoqëria civile.

Ditë më parë Qeveria e Kosovës mori vendim për rritje të pagës për një shumë dyfish më të lartë se ajo e kaluara, për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe stafin tjetër politikë.

E ky vendim sipas zëvendëskryeministrit Enevr Hoxhaj,  nga radhët e PDK-së, është bërë për të nivelizuar pagën me institucionet tjera, Presidencen dhe Kuvendin, pasi sipas tij, një kategori e zyrtarëve politikë janë paguar më pak nga puna dhe përgjegjësitë që kanë.

“Përtej asaj si duhet komentuar ngritjen e pagave për një kategori të zyrtarëve në qeveri, duhet pasur parasysh diçka tjetër që ka të bëjë më punët që duhet kryer nga qeveria dhe përmbushjen e pritjeve për të cilat ajo është votuar. Prandaj, jam ithtar i thirrjes në përgjegjësi të qeverisë për secilin premtim që ka dhënë dhe duhet të mbahet përgjegjëse për çdo gjë. Edhe ngritja e pagave me sa ka pasur diskutim brenda kabinetit qeveritar është për të pasur një lloj nivelizimi me institucionet e tjera publike si Kuvendi dhe Presidenca, pasi një kategori e zyrtarëve politikë në qeveri janë paguar nën nivelin e punëve dhe përgjegjësive që kanë”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë për lajmi.net.

Vendimi për rritjen e pagave për zyrtarët qeveritarë ngjalli pakënaqësi të shumta tek shoqëria civile.

E sipas Hoxhajt, shumë nga ata që kritikojnë nivelizimin e pagës, e që punojnë në sektorin jo-qeveritarë, paguhen më shumë se krerët e shtetit që kanë përgjegjësi më të madhe.

“Shumë nga kritikues të nivelizimit të rrogave janë individë që veprojnë në sektorin jo-qeveritar dhe kanë rroga shumëfishë më të mëdha se sa krerët shtetëror që bartin përgjegjësi shumë më të mëdha dhe kryejnë punë direkt në shërbim të qytetarëve”, është shprehur Hoxhaj për lajmi.net.

Me vendimin për rritjen e pagave, kryeministri nga 1,443.20 sa kishte pagën, tash do të paguhet 2,950 euro.

Nga 2,500 euro do të paguhen zëvendëskryeministrat, ndërsa më herët janë paguar nga 1,356.30 euro, një rritje kjo për 90 për qind. Ndërsa, ministrat do të paguhen 2000 euro në muaj, ndërsa më herët janë paguar nga 1,356.30 euro.

Vendimi i Qeverisë për rritje të pagave është cilësuar i kundërligjshëm nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Ndërsa,  për këtë vendim pati edhe një aksion simbolik para Qeverisë, ku qytetarët i dhuruan kravata e këmshia kryeministrit, i cili vendimin për rritje të pagës e kishte arsyetuar “S’mundem gjithqysh me dal, obligona për një kravatë, një këmishë”.