Hoti: LDK po luan rolin e gardianit në opozitë

Aktuale December 28, 2017 - 14:51

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një konferencë për medie, tha se opozita në këtë legjislaturë ka luajtur rol aktiv duke mundësuar ndryshime pozitive.

Hoti ka vlerësuar se opozita është treguar e vendosur dhe konstruktive duke mbrojtur interesat shtetërore, raporton Ekonomia Online.

“Jem duke luajtur një opozitë të vendosur, konstruktive në raport me interesat shtetërore dhe qytetare. Këto e kanë bërë grupin tonë si gardian të problemeve të shumta”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, grupi parlamentar i LDK-së ka qenë mjaft aktiv në çështjet e rëndësishme si buxheti e programi i Qeverisë.

“Kemi qenë mjaft aktiv edhe tek raportet si ai i BQK, ai për kursime pensionale e raporte tjera. Kemi qenë mjaft aktiv edhe gjatë deklaratave jashtë rendit të ditës ku kemi ngritur çështje në interes të qytetarëve si shpenzimi i parasë publike, për çështje të drejtësisë, dy raste për çështje sociale, për liberalizim vizash, për dialogun Kosovë-Serbi”, tha ai duke shtuar se kanë ngritur 35 pyetje parlamentare drejtuar kryeministrit.

“Kemi qenë mjaft aktiv tek shqyrtimi i projektligjeve. Siç e dini të gjitha projektligjet kanë qenë të udhëhequra nga LDK. Ligji për bashkësitë fetare, ligji për Prishtinë, për pronën e paluajtshme, për ndërmjetësim për shoqërinë e plotë ligje tjera”, ka theksuar ai.

“Kemi luajtur rol të rëndësishëm të ligji i buxhetit dhe që kanë qenë amandamente kyçe qe kemi prezantuar në këtë ligj. Po ashtu kemi qenë grup shumë aktiv që kemi kërkuar interpelanca, dy për ministrin e Bujqësisë, pastaj edhe për gjuajtjen me armë të ministrit të Diasporës”, tha ai.