Arabia Saudite mbështet Kosovën me 70 milionë dollarë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë qëndrimit të tij në Arabi Saudite, ka zhvilluar takim me drejtorin gjeneral, Yousef Al-Bassam, të Fondit për Zhvillim të Arabisë Saudite, ku ka kërkuar hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Arabisë Saudite, përmes mbështetjes së projekteve konkrete në fusha të caktuara.
Me këtë rast, drejtori i këtij fondi është zotuar që ta përkrahë zhvillimin ekonomik të Kosovës, me një shumë të konsiderueshme që arrin vlerën prej 70 milionë dollarësh.
“Pjesa e parë e mbështetjes shkon për përmbylljen e projektit të autostradës Prishtinë-Mitrovicë, në vlerë prej 15 milionë dollarë. Përfaqësuesit e Fondit janë zotuar se do ta mbështesin edhe sektorin e shëndetësisë në Kosovë dhe planet e Kosovës për rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore me rreth 50 milionë dollarë. Po ashtu, janë diskutuar mundësitë e mbështetjes së Kosovës në fushën e inovacionit dhe të edukimit”, ka njoftuar Hoxhaj.
Hoxhaj ka njoftuar se Kosova dhe Arabia Saudite do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi deri në mars të vitit të ardhshëm, në mënyrë që të alokohen këto fonde në mbështetje të Kosovës.
Gjatë ditës së sotme, Hoxhaj ka takuar edhe Princin Turki Al Faisal, si dhe ka mbajtur një ligjëratë në Qendrën e Mbretit Faisal për Hulumtime dhe Studime Islame, ku ka folur për 10 vjetorin e pavarësisë dhe marrëdhëniet e Kosovës me botën arabe.