Insistojnë në shfuqizimin e Speciales

Aktuale December 26, 2017 - 07:50

Deputeti i PDK-së Nait Hasani thotë se nuk kanë hequr dorë nga kërkesa për mbajtjen e seancës së Kuvendit për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Në anën tjetër, në medie kanë nisur të lakohen emrat se kush mund të jenë të akuzuarit e parë, shkruan sot Gazeta 'Zëri'

Katërdhjetë e tre deputetët të cilët të premten e kaluar kanë dhënë nënshkrimet e tyre për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre.

Kështu kanë bërë të ditur disa prej tyre, të cilët kanë thënë se Kryesia e Kuvendit tash duhet të ecë përpara që ta thërrasë mbledhjen (pas pushimit).

Shfuqizimi i Speciales kishte dështuar të realizohej të premten mbrëma, meqë Kryesia nuk kishte pasur kuorum të mbante mbledhje për ta caktuar seancën e jashtëzakonshme, ani pse një gjë të tillë e tentoi dy herë radhazi.

Nga ana tjetër, meqë po ofrohet koha e funksionalizimit të Speciales disa emra tashmë kanë nisur të dalin në medie si emra potencialë ndaj të cilëve do të ngrihen aktakuzat e para nga Gjykata Speciale. Mirëpo, të kontaktuar nga “Zëri” ata i kanë cilësuar spekulime këto raportime.

Ndërkaq, përderisa përfaqësuesit e LVV-së thonë se do ta kenë qëndrimin e njëjtë siç kishin gjatë vitit 2015 lidhur me Gjykatën Speciale, ata të LDK-së thonë se kërkesa për ta shfuqizuar atë është bërë kryekëput për interesa të ngushta personale.

 

Hasani: Deputetët, të vetëdijshëm për nënshkrimet e tyre

 

Nait Hasani (PDK), emri i të cilit figuron i pari në listën e 43 deputetëve që nënshkruan për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, ka thënë se ky grup nuk ka hequr dorë nga kërkesa e tyre. “Ne nuk kemi hequr dorë, nuk është hequr dorë nga kërkesa. Është kërkuar që të mbahet seanca, kemi kërkuar seancë urgjente. Unë kam bërë kërkesë bashkë me deputetët nënshkrues, të cilët janë të vetëdijshëm për nënshkrimet e tyre. Ata bashkë me mua kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

E tash sipas Hasanit, Kryesia e Kuvendit e ka përgjegjësinë për të vendosur tutje.

Ndërkaq deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, e cila po ashtu është njëra prej deputeteve që ka nënshkruar për shfuqizimin e Speciales, ka thënë se nuk ka ndonjë informacion nëse do të shkohet tutje lidhur me këtë kërkesë. “E dini që ne si Aleancë, edhe unë si deputete, kam votuar kundër Gjykatës Speciale. Vazhdojmë të jemi kundër, sepse është një padrejtësi”, është shprehur ajo. 

Miftaraj: Shfuqizimi i Speciales do ta vinte Kosovën në situatë të vështirë

Mirëpo Ehat Miftaraj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Ligji për Gjykatën Speciale mund të shfuqizohet, porse një gjë e tillë do ta vinte Kosovën në një pozitë tejet të rëndë. “Përderisa shfuqizimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk kërkon ndonjë procedurë komplekse ai ligj mund të shfuqizohet me shumicën e thjeshtë të votave të deputetëve prezentë. Sidoqoftë, shfuqizimi i ligjit dhe shpërbërja e kësaj Gjykate do ta vinte Kosovën në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, pasojat e të cilave do të ishin të parikuperueshme”, ka deklaruar Miftaraj.

Sipas tij, nëse Kosova do të tërhiqej nga kjo Gjykatë mundësitë që Këshilli i Sigurimit të OKB-së ta themelonte një tribunal për Kosovën do të ishin të mëdha, ku Rusia dhe Serbia mund të kishin rol kyç. Ndërkohë duke folur rreth ngritjes së aktakuzave të para, Miftaraj ka thënë se kjo nuk mund të ndodhë këtë vit meqë ende nuk janë licencuar avokatët mbrojtës.

Buja: Asnjëherë nuk jam kontaktuar për krime nga ndonjë gjykatë

Nga ana tjetër në medie dje është raportuar për disa emra ndaj të cilëve do të ngrihen aktakuzat e para. Azem Syla, Shukri Buja, Daut Haradinaj e Sokol Dobruna janë disa prej tyre. Mirëpo, pavarësisht kësaj ish-deputeti i PDK-së dhe ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja (tashmë anëtar i Nismës), ka reaguar pas publikimit të këtyre lajmeve, me ç’rast ka thënë se ato janë tërësisht spekulative. “Nuk merrem me spekulime gazetareske. Gjykata e thotë vazhdimisht që nuk publikon dhe nuk merret me këto, ndërsa gazetat merren me emra”, ka deklaruar ai për “Zërin”. Madje Buja gjatë bisedës ka thënë se asnjëherë në jetë nuk është kontaktuar prej ndonjë gjykate. “Kurrë, prejse jam i lindur nuk më ka kontaktuar ndonjë gjykatë për krime. Në qoftë se do të më akuzoj ndokush, do të jetë Serbia, askush tjetër”, ka nënvizuar ai.

Dobruna: Kjo është çështje më shumë politike sesa juridiko-penale

Kurse Sokol Dobruna, ish-drejtues i Gjykatës së Ushtrisë Çlirimtare, ka thënë se asnjëherë nuk është kontaktuar nga Gjykata. Përkundrazi, duke folur rreth raportimeve që emri i tij figuron në listën e të akuzuarve nga Gjykata Speciale ka thënë se kjo është më shumë çështje politike. “Kjo është çështje më shumë politike sesa juridiko-penale”, ka theksuar ai gjatë një bisede për “Zërin”. I pyetur se në çfarë konteksti e cilëson këtë çështje si politike, ai ka thënë se në atë të devalvimit të UÇK-së nëpërmjet disa njerëzve “servilë” që janë përzgjedhur. “Në kontekst të devalvimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes njerëzve të tyre që janë përzgjedhur nga ata, të dëgjueshëm, të korruptueshëm, servilë dhe tash ata duhet t’i kryejnë detyrat e tyre”, ka thënë ai, duke mos dashur të japë më shumë detaje se për kë bëhet fjalë.

Selimi: LVV-ja ka qëndrim të njëjtë për Specialen

Nga ana tjetër duke folur rreth kërkesës për shfuqizimin e Speciales deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka thënë se LVV-ja ka qëndrimin e njëjtë ndaj Gjykatës Speciale sikurse në vitin 2015. Sipas tij, kjo duhet të ndodhë me procedura të rregullta parlamentare. “S’e di pse është bërë ashtu natën, kaq për ngut dhe në mënyrë konspirative. Por sido që të jetë, lëvizja ‘Vetëvendosje’ ka qëndrimin e njëjtë siç ka pasur në vitin 2015 karshi Gjykatës Speciale si diçka e padrejtë, e papranueshme. Prandaj, ne e kemi parë me kujdes mënyrën dhe për këtë kemi dhënë edhe qëndrimin tonë që kjo duhet të bëhet me struktura të rregullta, norma parlamentare dhe ne qëndrimin tonë zyrtar e japim atëherë kur të vijë zyrtarisht në Kuvend”, ka theksuar ai.