Labinot Tahiri: Nuk më mashtruan, e nënshkrova me arsye zhbërjen e Speciales

Aktuale December 25, 2017 - 13:35

Përkundër që shumica e kolegëve të tij thanë që nuk e kishin ditur se po nënshkruanin për të kërkuar seancën ku do të zhbëhej Gjykata Speciale, deputeti Labinot Tahiri ka thënë se ai e dinte fare mirë çka nënshkroi dhe se nuk është penduar për këtë.

Ai ka dhënë një sërë arsyesh pse e ka bërë atë, duke thënë se qëndron prapa nënshkrimit të tij dhe nuk është i atillë që “e hedhë gurin dhe e fshehë dorën”.

Madje, ai habitet me deklaratat e disa deputetëve se gjoja janë mashtruar me këto nënshkrime. gjithashtu deputeti Tahiri shpreh habi edhe me ata deputetë që nuk e kanë vënë nënshkrimin sikurse ai.

“Unë jam habitur me disa deklarata të deputetëve tanë, se si kanë thënë se na kanë mashtruar me nënshkrime, por, edhe me disa deputetë që nuk i kanë vurë nënshkrimet, pra nuk gjuhet guri e pastaj ta fshehi dorën. Mua nuk mund të më mashtroj askush. Jam i vetëdijshëm se çfarë kam nënshkruar, nuk kam nënshkruar për Thaçin, Ramushin apo të tjerë, kam nënshkruar për mijëra shqiptarë të cilët e kanë kërkuar atë. Pra le të ndëshkohem unë pasi që jam deputet i popullit, e nga ky popull kam marrë vota të cilët mund të ishin apo dhe janë nxënësi 18 vjeç, studenti, mësuesi, profesori, mjeku, pensionisti, nëna baba, familja, bashkëshortja, dhe në fund veterani”, ka thënë deputeti Tahiri.

Ai vlerëson se Gjykata Speciale është e njëanshme, e cila fare nuk merret me krimet e Serbisë në Kosovë.

“Pra, unë nuk turpërohem dhe nuk e kam kërkuar një nënshkrim të më tërhiqet por ashtu e kam lenë, sepse gjykata është e njëanshme, flitet vetëm për UÇK-në, ndërsa për krimet e Serbisë nuk flitet. Pra u shkoi jeta shqiptarëve duke u gjykuar në jetën e tyre…!”, ka thënë më tej ai.

Megjithatë, ai thotë se nuk do ta kishte problem po të merreshin tre-katër persona të UÇK-së dhe të gjykoheshin. Por, sipas tij, problemi është se po përfshihet e gjithë lufta e UÇK-së. Dhe kjo për deputetin Tahiri është e patolerueshme.

“Diçka që kërkohet nga mijëra veteranë dhe njerëz të cilët mbrojtën popullatën civile në ditët e vështira, e që sot akuzohet ajo ushtri e UÇK-së, ku dhe nga ta kam marrë vota si deputet i Kosovës, normalisht se unë duhet të mendoj se si të veproj me votën time! Çka dua të them: nëse po flasim për vetëm 3 apo 4 vetë kinse kanë bërë krime dhe duhet gjykuar ajo është temë tjetër, le t’i marrin ata kushdo qoftë, edhe unë nesë jam?! Por në të gjitha botimet që janë bërë lidhur me Gjykatën Speciale, është folur kinse janë bërë krime nga  UÇK-ja, e kjo është një imazh i dhimbshëm për vendin tonë”, ka thënë tutje për Insajderin deputeti Tahiri.

Sipas tij, një gjykatë si kjo, përveç të gjallëve, do t’i dëmtojë edhe të vdekurit.

“Nuk është i dëmshëm vetëm për ne që jemi të gjallë, por, edhe për ata që kanë vdekur duke u nisur prej ‘Adem Jasharit’ që ishte në vetëmbrojte e i masakruar tërësisht me familjen e tij, e që sot ata që kanë bërë krime jetojnë edhe në mesin tonë, pra mund të ketë serbë të asaj kohe, policë që i realizuan ato masakra e jetojnë sot të lirë në Kosovë..!”, vazhdon Tahiri.

Sipas tij, një gjë e tillë e dëmton edhe imazhin e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“Po ashtu, dëmtohet edhe imazhi i ish-Presidentit historik ‘Ibrahim Rugova’, i cili e dëshmoi në gjykatën ndërkombëtare në ‘Hagë’ përballë Millosheviqit se UÇK-ja ishte ushtri e dalun nga populli dhe e cila mbrojti popullatën civile, pra nuk ishte kriminale”, ka thënë ai.

“Sot si deputet i ri në Parlamentin tonë, nuk mund të them se nëse e mbroj një imazh të UÇK-së, qenkam kundër Amerikës apo dikujt tjetër. Aspak nuk thuhet kjo. Se, nëse qenka kështu, atëherë nuk ish dashtë ta ndihmoj NATO as UÇK-në e as popullatën tonë për të cilën UÇK-ja ka dalë nga ky popull shqiptar i Kosovës”, ka shtuar ai.

Ai ka kritikuar edhe partitë minoritare, duke thënë se gjoja i kanë mashtruar. Deputeti Tahiri ka thënë se edhe minoritetet i ka mbrojtur UÇK-ja.

“Kur ka të bëjë diçka me gjendjen nacionale të vendit apo kombëtare, unë nuk flas si Parti dhe kurrë nuk do flas, qoftë partia ime, PDK, LDK, VV, AAK, NISMA, apo kushdo tjetër. Nuk mund të bëj shaka dikush siç kanë dalë disa nga minoritetet duke thënë se na kanë mashtruar në këtë vend edhe ata i ka mbrojt UÇK-ja, pra bëhet fjalë për diçka të madhe e jo për individ”, ka përfunduar ai. /Insajderi/