Shtetshkatërruesit!

Aktuale December 23, 2017 - 07:46

Iniciativa e tre ish-eprorëve të lartë të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt, tashmë drejtues të tri institucioneve kryesore të vendit, për ta proceduar shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale ka dështuar në dy tentativat e Kryesisë së Kuvendit në mungesë të kuorumit. Kundër kësaj iniciative kanë dalë haptas ambasadorët amerikan, gjerman, britanik dhe të Bashkimit Evropian. Sipas këtyre të fundit, shteti i  Kosovës po e rrezikon të ardhmen për shkak të interesave personale të liderëve të saj, shkruan sot Gazeta "Zëri"      

Pavarësisht se 82 deputetë kishin votuar për themelimin e Gjykatës Speciale, gjatë ditës së djeshme 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës kishin mbledhur nënshkrimet për të kërkuar seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Specialen.

Ashtu siç kishte bërë presion te deputetët për ta votuar Projektligjin për Specialen, PDK-ja u bë sërish iniciatore dje për ta kundërshtuar atë.

Me këtë rast (pas mbledhjes së nënshkrimeve) Kryesia e Kuvendit u mblodh dy herë radhazi për ta caktuar këtë seancë, e cila kërkohej të mbahej gjatë të premtes, megjithatë dështoi në mungesë të kuorumit, shkruan tutje "Zëri".

Dy partitë opozitare, lëvizja “Vetëvendosje” dhe LDK-ja, nuk morën pjesë në këtë mbledhje. Andaj seanca e jashtëzakonshme dështoi të mbahej dje, ashtu siç ishte kërkuar.

Kjo kërkesë për ta shfuqizuar Ligjin e Gjykatës Speciale ngjalli reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian, SHBA-ja, Gjermania e Britania e Madhe paralajmëruan Kosovën për pasojat e pariparueshme po qe se ndodh një gjë e tillë.

LDK-ja, kundër shfuqizimit të Speciales

Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale, për të cilën u kërkua të mbahet seancë e jashtëzakonshme. Kështu bëri të ditur deputeti i këtij subjekti, Kujtim Shala, dje i cili ka thënë se një gjë e tillë rrezikon raportet me shtetet ndërkombëtare.

“Lidhja Demokratike e Kosovës në asnjë rast nuk do të jetë pjesë e veprimeve të pamatura dhe nuk do të lejojë që vendi të futet në rrethana të paqarta”, ka deklaruar Shala.

Edhe deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka reaguar pas kësaj kërkese, me ç’rast ka thënë se Kosova ndodhet para një moment dramatik.

Sipas tij, po qe se shfuqizohet Ligji për Specialen, atëherë Kosova futet në një izolim të thellë.

LVV: Situata, dramatike

Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca, duke mos treguar më shumë e ka cilësuar tërë atë që ndodhi si “dramatike”. “Situata është dramatike”, tha shkurt Konjufca.

Megjithatë përfaqësuesit e këtij subjekti gjatë mbrëmjes së djeshme diskutuan me LDK-në para mbledhjes së Kryesisë. Por as pas kësaj LVV-ja nuk dha detaje.

“Jemi ende në fazën e koordinimit. Deshëm vetëm ta shohim se çfarë qëndrimi ka LDK-ja për zhvillimet e fundit”, tha dje Konjufca.

Delawie: Kërkesa për shfuqizim të Speciales, thikë pas shpine për SHBA-në

Nga ana tjetër ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka reaguar disa herë gjatë ditës së djeshme lidhur me kërkesën për shfuqizimin e Speciales. Ai një gjë të tillë e ka cilësuar si “thikë pas shpine” ndaj SHBA-së.

“Më duhet të them se jam vërtet i zhgënjyer që kjo gjë është shfaqur nga asgjëja në ditët e fundit. Asnjë debat publik për një çështje me interes kaq madhor për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, është një turp nga pikëpamje ime. Kjo përpjekje nëse shkon tutje do të ketë implikime të mëdha negative për të ardhmen e Kosovës dhe të Evropës. Do të konsiderohet nga SHBA-ja si një thikë pas shpine”, ka deklaruar ai.

I pari i SHBA-së në Kosovë u ka bërë thirrje liderëve në Kosovë që ta shuajnë një përpjekje të tillë. Në të kundërtën, sipas tij, kjo do të ndikonte tejet negativisht për Kosovën.

Apostolova: Asnjë politikan s’ka të drejtë ta vërë në rrezik të ardhmen e Kosovës

Edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, është shprehur e tmerruar në lidhje me iniciativën e Kuvendit të Kosovës për ta shfuqizuar Ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar.

Apostolova në një deklaratë për gazetën “Zëri” ka thënë se asnjë politikan në Kosovë nuk ka të drejtë të marrë një vendim që do ta vendoste në rrezik të ardhmen e Kosovës.

“Jam e tmerruar nga iniciativa e Kuvendit të Kosovës për ta shfuqizuar ose në ndonjë mënyrë tjetër për ta anuluar Ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar. I bëj thirrje Kuvendit ta tërheqë menjëherë një iniciativë të tillë. Një veprim i tillë do të ishte tepër i dëmshëm për Kosovën. Ai do të rrezikonte gjithë punën e përbashkët të viteve të fundit në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtësisë. Do të dëmtonte të gjithë punën që është bërë për t'i dhënë fund mosndëshkimit. Asnjë politikan kosovar nuk ka të drejtë të marrë një vendim që do ta vendoste në rrezik të ardhmen e Kosovës”, ka deklaruar Apostolova për gazetën “Zëri”.

O’Connell: Kërkesa për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, tradhti

Ndërkaq ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, në reagimin e tij ka thënë se kërkesa për ta shfuqizuar Ligjin e Speciales është një tradhti ndaj kontributit që Britania e Madhe ka bërë për Kosovën.

“Votimi për ta shfuqizuar Ligjin mbi Gjykatën Speciale do të ishte një tradhti e këtij angazhimi dhe do të vinte në pikëpyetje nëse Kosova beson në drejtësi ose në mosndëshkimin”, ka deklaruar ai gjatë ditës së djeshme.

Sipas tij, dy vjet më parë Kosova i tregoi botës se ajo besonte në drejtësi e jo në mosndëshkimin.

Kurse ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, duke komentuar zhvillimet e fundit ka thënë se shfuqizimi i Speciales do t’i dëmtonte në masë të madhe raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare.

Image