Për Malin e Zi, kufiri me Kosovën në vendin e vjetër

Aktuale December 21, 2017 - 14:44

Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviç, përsëriti se çështja e marrëveshjes për demarkacionin me Prishtinën për Podgoricën zyrtare "është çështje e përfunduar dhe tani gjithçka varet nga institucionet e Kosovës, respektivisht, sa shpejt ata do t’i njohin interesat e tyre".

“Unë besoj se me kalimin e kohës institucionet në Kosovë do të identifikojnë interesat e tyre dhe të fillojnë nga fakti se kjo çështje për ne është e përfunduar dhe se ne nuk kemi arsye, asnjë motiv që diçka që nuk e marrim si një konflikt, ta vazhdojmë. Ne nënshkruam këtë marrëveshje në Vjenë, e ratifikuam atë në parlament dhe vepruam siç pritej nga ne të veprojmë në përputhje me standardet e së drejtës ndërkombëtare. Kemi vepruar si miq dhe partnerë të mirë gjatë gjithë procesit”, tha Darmanoviç transmeton "Zeri.info".

Darmanoviç tha se Mali i Zi kupton se ka probleme me vullnetin e shumicës në Kosovë.

“Demokracia është një gjë e komplikuar dhe, ne thjesht, kemi shumë durim. Mund të jetojmë me këtë çështje të hapur. Asgjë e tmerrshme nuk po ndodh në kufi, askush nuk jeton atje. Është një territor i vogël që ishte pjesë e ish kufirit të Jugosllavisë dhe nuk ka mosmarrëveshje për të dyja komisionet ndërkombëtare", shtoi Darmanoviç.

Sipas tij, është e vështirë të vlerësohet sa shpejt dhe sa seriozisht do të veprojnë akterët politikë në Kosovë, raporton RTCG, transmeton zeri.info

- Ka qëndrime të qarta të BE-së, të cilat prandaj e kushtëzojnë liberalizimin e vizave dhe Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë këtë si një çështje sigurie. Sa shpejt do të ndodhë kjo, nuk do të dëshiroja të jap parashikime, por kurdo që të ndodhë, është një gjë e mirë” përfundoi Darmanoviç./Zeri