100 ditët e Qeverisë pa Demarkacion dhe pa liberalizim

Aktuale December 21, 2017 - 07:52

Ramush Haradinaj ka mbushur 100 ditë në krye të Qeverisë së Kosovës, por nuk e ka përmbushur premtimin e dhënë për heqjen e vizave me BE-në gjatë kësaj periudhe kohore për shkak të mosratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ramush Haradinaj ka mbushur njëqind ditë në krye të Qeverisë së Kosovës, por nuk e ka përmbushur premtimin e dhënë në fushatë që qytetarëve brenda kësaj periudhe kohore t’u hiqen vizat me Bashkimin Evropian (BE).

Kjo për faktin e dështimit të ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, si njëri nga dy kushtet e mbetura të BE-së për heqjen e vizave.

Shefi i Qeverisë dje ua ka dorëzuar raportin 100-ditor të punës presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit Kadri Veseli, si dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Derisa Thaçi dhe Veseli e kanë vlerësuar lartë punën 100-ditore të Qeverisë, partitë opozitare thonë se kjo e fundit e ka dëmtuar vendin si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, si dhe ka arritur ta instalojë një kabinet të madh qeveritar me shumë ministra dhe zëvendësministra, shkruan tutje "Zëri".

Thaçi: “Kosova e Re”, lajmi më i mirë i 100-ditëshit

“Faleminderit shumë kryeministër, unë e vlerësoj lart punën që ke bërë në këto 100 ditë për angazhimin tuaj. Unë dua të besoj që vendi po ecën në drejtim të duhur me trendin dhe me dinamikën e duhur, kështu që ju jam mirënjohës për punën”, ka thënë presidenti Thaçi pas dorëzimit të raportit 100-ditor të punës nga Haradinaj.

Thaçi ka vlerësuar lart marrëveshjen e nënshkruar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”, duke e cilësuar si njërin nga projektet më të rëndësishme për Kosovën.

“Mund të them që nuk ka lajm më të mirë për Kosovën sesa në këtë 100-ditor të nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, një realitet që ky projekt do të jetë mesazh për investitorët. I uroj punë të mbarë dhe suksese në të ardhmen”, tha Thaçi.

Haradinaj: Janë kryer shumë më shumë punë se që janë cekur në këtë raport

Kurse kryeministri Haradinaj tha se ndihet i kënaqur që e ka dorëzuar këtë raport të punës te shefi i shtetit.

“I nderuar president, e kam nderin që në emër të Qeverisë t’jua prezantoj raportin 100-ditor. Janë të veçuara disa punë të kryera, pasi ka shumë më shumë. Raporti përfshin edhe nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’”, tha Haradinaj.

Ai ka kujtuar momentet kur ia kishte dorëzuar raportin 100-ditor të punës, në mandatin e tij të parë si kryeministër, presidentit të ndjerë Ibrahim Rugovës.

Kryeministri Haradinaj ia dorëzoi raportin 100-ditor të punës së Qeverisë edhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit, duke i shprehur falënderime për besimin e dhënë.

“I nderuar miku im Kadri, sot e kam obligim që t’jua sjell raportin 100-ditor. E kam për nder që t’ua dorëzojë edhe të gjithë deputetëve. Kjo është një mënyrë për ta shprehur falënderimin për besimin e dhënë. Nuk kanë qenë 100 ditë të lehta, por ka pasur shumë punë e vështirësi. Jam i bindur që do të ecim përpara”, ka thënë ai.

Ndërkaq për demarkacionin dhe për liberalizimin e vizave, që ishin premtuar të përfundonin brenda punës 10-ditëshe, Haradinaj tha se ende nuk ka asgjë konkrete.

Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli ka falënderuar kryeministrin Haradinaj. Ai tregoi se qysh sot ky raport do t’u dorëzohet deputetëve.

“E falënderoj kryeministrin, i cili ka respektuar institucionin më të lartë, Kuvendin. Ky raport sot do t’u dorëzohet të gjithë deputetëve që të njoftohen me punën që ka bërë kjo Qeveri për këto 100 ditë”, ka thënë ai.

Si njërën prej çështjeve më të rëndësishme në këtë 100-ditësh Veseli e ka vlerësuar nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”.

“Ka një dimension të rëndësishëm politik e ekonomik. Është një sinjal për investitorët në Kosovë”, ka thënë ai.

LDK: Haradinaj e rriti papunësinë

Partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate për medie ka theksuar se Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj gjatë 100 ditëve e ka dëmtuar rëndë politikisht, ekonomikisht dhe moralisht çdo aspekt që lidhet me qeverisjen e shtetit.    

“Pas 100 ditësh qeverisjeje kaotike, Kosova sot është më e izoluar, më e varfër, me papunësi më të madhe, pa perspektivë, me nepotizëm ekstrem, me buxhet të shpërdoruar skajshëm, me keqpërdorime enorme, me qeveritarë që kërcënojnë institucionet e pavarura, me njerëz të inkriminuar e të vendosur në të gjitha nivelet e qeverisjes”, thuhet në komunikatë.   

Sipas LDK-së, për 100 ditë qeveria “Haradinaj” u shqua me marrje të vendimeve jashtë kompetencave të Qeverisë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin, duke krijuar sipas tyre precedentë të rrezikshëm kushtetues dhe ligjorë për të ardhmen e vendit. Ata kanë përmendur faljen e borxheve, shkarkimin e bordeve që janë në kompetencë të Kuvendit të Kosovës, ndarjen e mjeteve për rastin “Kumanova” në kundërshtim me ligjin, që ndalon bashkimin në konflikte jashtë shtetit. Sipas tyre, në Kosovë gjatë kësaj periudhe është rritur papunësia për 2,9 për qind.

Edhe partia më e madhe opozitare në vend, lëvizja “Vetëvendosje”, ditë më parë për gazetën “Zëri” e ka kritikuar punën 100-ditëshe të kryeministrit Haradinaj.                                                                       

Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, tha se 100-ditëshin e qeverisë “Haradinaj” e ka karakterizuar Qeveria me shumë ministra, zëvendësministra dhe me administratë të madhe.

Vendimet e ngutshme

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, tha për “Zërin” se gjatë punës 100-ditëshe kjo Qeveri ka marrë vendime të ngutshme e pa i analizuar mirë.

“Ka pasur disa vendime, si falja e borxheve, që kanë qenë vendime të pamenduara, ka qenë edhe shkarkimi i Bordit të Agjencisë së Akreditimit, edhe pse është përfolur se ai bord ka qenë i zhytur në afera të ndryshme, por shkarkimi i atij bordi dhe emërimi i Bordit të ri është dashur të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës, qysh e parasheh edhe ligji, pra mendoj që ka qenë i ngutshëm”, tha ai. 

Kurse Blerim Burjani, njohës i çështjeve politike, tha se ky 100-ditësh i qeverisë “Haradinaj” do të njihet vetëm për numrin e madh të ministrave e zëvendësministrave.

“100-ditshi më i dobët dhe numerikisht me kabinet me të madhin në historinë e Kosovës (ministra anonimë dhe plot zëvendësministra)”, ka thënë ai.