Gjyqtari i Hagës e komenton për herë të parë vetëvrasjen e gjeneralit kroat

Aktuale December 20, 2017 - 19:56

Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Carmel Agius, ka folur për rastin e gjeneralit të dënuar kroat të Bosnjës, Sllobodan Praljak, i cili piu një dozë helmi në gjykatore, para se të vdiste në spital.

Agius, i cili është dukur thellësisht i tronditur pasi Praljak piu helmin, ka thënë në një intervistë për N1 se mendon se veprimi i tij ishte “akt i dëshpërimit”.

Ai ka thënë se pasojat e këtij akti ishin më së shumë së vetëm vdekja e Praljakut.

“Nga 7 miliardë njerëzit që jetojmë në këtë planet, unë mendoj se 6.5 miliardë nuk e kanë ditur që ekziston Sllobodan Praljak, e as që ka qenë i dënuar për krime lufte”, është shprehur Agius.

“Tani, nga 7 miliardë njerëz, 6.5 miliardë kanë parë gjithçka në televizor, kanë lexuar në gazeta, dhe e dinë kush ishte Praljak në të vërtetë, dhe e dinë se ai e ka vrarë veten pasi gjykata e ka verifikuar se ai ishte kriminel i luftës”, ka thënë kryetari i Gjykatës së Hagës.

“Këta 6.5 miliardë njerëz nuk kanë ditur asgjë për ngjarjet në të cilat janë përfshirë kroatët e Bosnjës, si ushtarë apo si politikanë, ndërsa tani dinë”, ka theksuar ai.

“Veprimi i Praljakut ishte kundërproduktiv, por nuk dua të komentoj më shumë, meqë ishte një ngjarje e pafat. Askush s’e ka pritur dhe, natyrisht, edhe unë u trondita sikurse të gjithë të tjerët”, ka thënë Agius.

I pyetur se si ka mundur ai ta fusë helmin në gjykatë, Agius ka thënë se rasti “po hetohet, dhe kur hetimi të përfundojë, mund të dimë diçka më shumë”. /Express/