Opozita: Dialogut t’i prijë Haradinaj, jo Thaçi

Aktuale December 20, 2017 - 07:48

Përfaqësuesit e partive opozitare thonë se ende është në fuqi Rezoluta e Kuvendit të Kosovës, me të cilën mandatohet Qeveria e Kosovës për t’i zhvilluar bisedimet me Serbinë. Sipas tyre, gjatë këtij viti presidenti Hashim Thaçi është vetëmandatuar që t’i udhëheqë këto negociata, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Faza përmbyllëse e dialogut mes Kosovës e Serbisë nuk duhet të udhëhiqet nga presidenti i Kosovës.

Përkundrazi, Qeveria është ajo e cila duhet t’i prijë këtij procesi. Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit e partive opozitare, të cilët kanë thënë se presidenti Thaçi është mandatuar vetë për ta udhëhequr këtë proces.

Megjithatë, se dialogu do të zhvillohet në nivel presidentësh tash e tutje e ka konfirmuar edhe Bashkimi Evropian, i cili përmes një komunikate (pas takimit të shefes së diplomacisë së BE-së, Frederika Mogerini, me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor) ka bërë të ditur se në takim është theksuar rëndësia e diskutimeve ndërmjet dy presidentëve: Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq, për ta çuar përpara dialogun, shkruan tutje "Zëri".

Edhe presidenti Thaçi tashmë ka bërë me dije se do ta krijojë një grup të unitetit në këtë fazë, ku përfshihet edhe opozita.

Mirëpo përfaqësues të kësaj të fundit kanë thënë se tek i pari i shtetit vërehet një mungesë për ta përfaqësuar unitetin e nevojshëm në këtë proces.

Ndërkohë partitë në pushtet, duke kritikuar mënyrën sesi është zhvilluar ky proces deri tash, kanë kërkuar përfshirjen e SHBA-së në negociatat me Serbinë. Sipas tyre, pa prezencën e SHBA-së nuk mund të ketë dialog.

Një gjë të tillë e pati kërkuar edhe vetë presidenti e kryeministri i Kosovës. Megjithëkëtë, në një përgjigje për “Zërin” Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka njoftuar se e mbështet dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, është bërë e ditur se SHBA-ja është duke diskutuar me BE-në lidhur me atë se si mund të ofrohet mbështetje në këtë proces.  

SHBA-ja mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ta përkrahin dialogun mes Kosovës e Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Kështu thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë lidhur me atë nëse do të ketë përfshirje në këtë proces.

Pavarësisht kësaj, SHBA-ja është duke biseduar me shefen e diplomacisë së BE-së, Frederika Mogerini, lidhur me atë se si mund të ofrohet përkrahje në fazën përmbyllëse.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara vazhdon ta mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja, ashtu siç kemi bërë që nga fillimi. Siç u raportua në mediume të tjera, ne jemi duke diskutuar me ekipin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Mogherini, lidhur me atë se si ne do të mundë të japim më së miri përkrahje shtesë në fazën e ardhshme”, thuhet në përgjigjen dhënë “Zërit”.

Në këtë përgjigje më tutje thuhet se ky dialog u ka dhënë përfitime konkrete qytetarëve të Kosovës, ndërkohë i ka bërë institucionet më të forta.

Abdullahu: Dialogut duhet t’i prijë Qeveria, jo presidenti

Nga ana tjetër zyrtarë të ish-Qeverisë së kaluar, të drejtuar nga Isa Mustafa (e cila e kishte udhëhequr dialogun për një kohë), kanë vlerësuar se ky proces duhet të drejtohet nga ekzekutivi e jo nga presidenti.

“Parimisht për një çështje kaq të rëndësishme do të duhej të prijë institucioni që në të njëjtën kohë ka strukturën më të plotë dhe legjitimitetin më gjithëpërfshirës, por edhe të monitoruar. Kjo nënkupton se dialogut me Serbinë duhet t'i prijë Qeveria, konkretisht kryeministri. Për më shumë, kjo bëhet premisë e mirë që të krijohet një mekanizëm koordinimi që të arrihet një konsensus. Por, Qeveria aktuale e Kosovës duhet t’i ketë ditët e numëruara e jo të numërohet për faktor-lider, që do të dialogojë me Serbinë”, ka deklaruar për “Zërin” Faton Abullahu, zëdhënës i ish-kryeministrit Mustafa.

Sipas tij, i pari i shtetit Hashim Thaçi edhe më herët ka synuar që ta marrë timonin e dialogut, porse nuk ka pasur sukses.

“Dialogu me Serbinë është biznes shumë serioz, që në këto rrethana t’i lihet një njeriu i cili më herët ka pasur gabime dhe prirje noshalante në këtë proces. Thaçin duhet ta mbrojmë nga vetja e tij, duke mos e lejuar ta marrë timonin e dialogut. Kjo më së miri bëhet vetëm me zgjedhje të reja”, ka potencuar Abdullahu.

Pozita: Pa prezencën e SHBA-së s’mund të ketë dialog

Ndërkaq kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se dialogu tash po hyn në një fazë ku do të duhej të bëhej një rikapitullim i të gjitha marrëveshjeve, në mënyrë që të shihej saktë se sa ka fituar dhe sa ka humbur Kosova nga to.

E ajo çka nevojitet në këtë fazë të dialogut, sipas tij, është arritja e një konsensusi politik mes partive në pozitë e në opozitë, si dhe të shoqërisë civile. Ai më tutje ka thënë se në bisedimet me Serbinë duhet të përfshihet edhe SHBA-ja.

“Pa prezencën e SHBA-së nuk mund të ketë dialog dhe kjo duhet të kuptohet shumë seriozisht nga institucionet tona, në mënyrë që të kemi garantues në mbrojtjen e interesave të përbashkëta, të kemi garantues për zbatimin e marrëveshjeve e jo vetëm të njërës palë, në këtë rast Serbisë”, ka theksuar ai.

Opozita: Presidenti u mandatua vetë, nuk duhet ta udhëheqë dialogun

Nga ana tjetër shefi i Grupit Parlamentar të lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka konsideruar se negociatat me Serbinë janë karakterizuar me lëshime dhe me dobësi të mëdha.

Duke folur rreth faktit që tash e tutje dialogu do të udhëhiqet nga presidenti Thaçi, ka thënë se ky i fundit është mandatuar vetë.

“Unë e mbaj mend kur është miratuar në Kuvend një rezolutë, që e mandaton Qeverinë e Kosovës për t’i zhvilluar negociatat e Kosovës me Serbinë. Ajo rezolutë ende është në fuqi. Por, në vitin 2017 presidenti është vetëmandatuar që t’i udhëheqë negociatat me Serbinë”, ka deklaruar Konjufca gjatë një tryeze diskutimi dje.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se pala kosovare është e papërgatitur për fazën finale të dialogut me Serbinë.

“Tek presidenti ne vërejmë një mungesë të autoritetit të nevojshëm për ta përfaqësuar unitetin e nevojshëm të shoqërisë kosovare në këtë proces të rëndësishëm. Ne besojmë që dialogu duhet të udhëhiqet nga Qeveria”, ka deklaruar Hoti.

Por pavarësisht këtyre, Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike dhe kushtetuese, ka thënë se Kushtetuta nuk ia ndalon presidentit që ta drejtojë dialogun me Serbinë.

“Me Nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës njëra prej kompetencave të presidentit ka të bëjë edhe me përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit”, ka deklaruar ai.

Kërkohet gjithëpërfshirje në fazën finale

Ndërkaq Jeta Krasniqi, hulumtuese në KDI (njohëse e procesit të dialogut), ka vlerësuar se duhet të krijohet një ekip gjithëpërfshirës për fazën finale të dialogut me Serbinë.

“Në çfarëdo forme që vazhdon faza e fundit e dialogut, pala kosovare në ekipin negociator duhet të ketë gjithëpërfshirje të spektrit politik dhe shoqëror, në mënyrë që të ketë legjitimitet sa më të madh, gjithnjë duke mbrojtur interesat, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

E për t’i sanksionuar palët që nuk i përmbushin obligimet, sipas saj, në këtë proces duhet të përfshihet edhe SHBA-ja.

Edhe Mazllum Baraliu ka thënë se duhet të ketë një konsensus politik mes klasës politike se si të vazhdojë faza përmbyllëse e dialogut.

Konsensusi, sipas tij, duhet ta përfshijë edhe caktimin e kufirit se deri kur duhet të vazhdojë ky dialog, i nisur në vitin 2011.