Kurteshi: S’ka përçarje në LVV, ka mospajtime

Aktuale December 19, 2017 - 07:53

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, të dielën që lamë pas, ka nxjerrë në sipërfaqe përçarjet brenda lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilin takim e bojkotoi jo vetëm kryetari i partisë Visar Ymeri, por edhe figura tjera të rëndësishme partiake, duke përfshirë këtu ish-sekretarin Dardan Molliqajn, Aida Dërgutin, Shqipe Pantinën dhe Dukagjin Goranin, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Me gjithë mungesën e Ymerit në mbledhjen e Këshillit, anëtari i Kryesisë Sami Kurteshi thotë se Lëvizja nuk do të ndahet. Madje, sipas tij, deklaratat për përçarje janë paragjykuese.

“Nuk mendoj se ka shenja të përçarjes, ka shenja të mospajtimeve, ka shenja të konflikteve të ndryshme që janë të natyrshme”, ka deklaruar Kurteshi për gazetën Zëri, duke shtuar se përplasjet e tilla nuk janë as të parat e as të fundit në “Vetëvendosje”, prandaj nuk ka hapësirë për përçarje.

LEXO EDHE: Vizat nuk hiqen as në mars

Sipas tij, këto çështje duhen diskutuar brenda partisë dhe “e mira është se nuk ka mospajtime ideologjike, por ka mospajtime të karakterit organizativ”.

Ndërkaq Artan Murati, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), nuk e hedh poshtë mundësinë që të ndahet lëvizja “Vetëvendosje”.

“Vetë fakti që tash e sa kohë jemi duke dëgjuar diskursin mes dy grupeve të ndryshme të LVV-së, jo vetëm të figurave politike, por dhe të përkrahësve të kësaj partie, kjo normalisht që përbën një rrezik për përçarje brenda partisë. Megjithatë unë konsideroj se duhet të presim dhe të shohim që çfarë zgjidhjesh do t’i jepet kësaj krize brenda LVV-së”.

Murati thotë se ndonëse është herët të flitet për përçarje të LVV-së ka parakushte për një gjë të tillë, për përçarje.   

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së është përcjellë me reagime të ndryshme.

Adea Batusha, e cila është mbesa e kryetarit të LVV-së Visar Ymeri, ka shkruar në rrjetin e saj social “Facebook” se në këtë Këshill nuk u trajtua seriozisht rasti i të burgosurve.

“Sot u bë fiks një muaj prejse Atdheu, Frashëri e Egzoni qëndrojnë të burgosur në Dubravë nën akuzat skandaloze të montuara për terrorizëm. Këshilli u thirr me urgjencë, ndonëse sipas meje, në situatën e krijuar, këto veprime nuk i kontribuojnë zgjidhjes. Megjithatë, përveç pikave 4 dhe 5 që ishin Shpallja e Zgjedhjeve dhe Diskutimi i Koalicioneve Lokale, në pikën 6 parashihej të miratohet një: Deklarate për neve, aktivistëve të dënuar me 21 vjet burg dhe deputetët e arrestuar”, ka shkruar ajo.

Batusha ka thënë se kishte pritur që kjo deklaratë do të ishte veprimi më i mirë i kësaj mbledhjeje, sipas saj të nxituar.

“Dhe do të më mbetej merak të mos merrja pjesë. Por nuk ndodhi ashtu. Në komunikatën zyrtare të këtij Këshilli ne veçse u përshëndetem. Përderisa për temat për pushtetin brenda Lëvizjes dhe pushtetin në komunat ku fituam apo kemi koalicion u bë debat, për ne nuk pati kohë. Kjo pikë iu delegua një komisioni apo grupi punues sikurse të ishte duke u organizuar ndonjë eveniment për fundvit”, ka përfunduar ajo reagimin e saj, duke kërkuar liri për aktivistët.