Marrëveshjet e ngrira

Aktuale December 18, 2017 - 07:51

 

Marrëveshja për Lëvizje të Lirë të Automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë është dashur të implementohet nga tetori i vitit të kaluar. Në fillim ishte pala serbe që e neglizhoi atë, por më pastaj Marrëveshja nuk u zbatua pasi që pala kosovare nuk siguroi ngjitës për ta mbuluar flamurin që gjendet në targë, ashtu siç është precizuar në Marrëveshjen e Brukselit

Ka kaluar më shumë se një vit prej kur Marrëveshja për Lëvizje të Lirë të Automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë është dashur të hyjë në fuqi. Në fillim ishte pala serbe ajo që e neglizhoi atë, duke e zvarritur zbatimin e Marrëveshjes nga dita në ditë. Derisa më vonë njëjtë veproi edhe pala kosovare, pasi që në mungesë të ngjitësve për ta mbyllur flamurin që gjendet në targë të automjeteve Marrëveshja e arritur në Bruksel nuk arriti të zbatohej në praktikë. Gjatë vitit të kaluar ishte e bërë e ditur se një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së letërngjitësve, të cilët ishin dashur të siguroheshin nga MPB-ja. Përgjegjësinë mbi MPB-në e kishte hedhur disa herë edhe vetë ish-ministrja Edita Tahiri.

Ndërsa njohës të kësaj çështjeje konsiderojnë se pasi ka kaluar 1 vit kjo marrëveshje është dashur të zbatohet në praktikë, por duke u shpërfillur si e tillë në tërësi ka dëmtuar seriozisht qytetarët. Sipas tyre, institucionet relevante të Kosovës duhet t’i njoftojnë qytetarët se ku janë ngecjet në zbatimin e marrëveshjeve dhe hapat që po marrin në këtë drejtim, qoftë dhe me elementin e shiritave të bardhë të propozuar për targat.

Gazeta “Zëri” për këtë çështje i ka dërguar pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme, mirëpo këta nuk kanë treguar se pse kjo marrëveshje nuk ka gjetur zbatim as sot. Megjithëse ka pasur deklarata kundërthënëse nga palët në dialog rreth arritjes së marrëveshjeve në Bruksel, Marrëveshja për Targat mes Serbisë dhe Kosovës arriti të nënshkruhet në nëntor të vitit të kaluar, me qëllim të përmirësimit të lëvizjes së qytetarëve të dy shteteve, por edhe një vit pas kjo marrëveshje nuk po zbatohet. Ishte ministrja për Dialog e asaj kohe, Edita Tahiri, nënshkruesja e kësaj marrëveshjeje, e cila edhe në atë kohë ishte e mendimit që kjo marrëveshje ishte e saktë dhe e drejtë. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje ishte ndarë në tri çështje, e para që kishte të bënte me çështjen e heqjes së targave provuese, që janë aplikuar njëanshëm nga Serbia ndaj veturave të Kosovës me targa RKS, për t’u arritur reciprociteti mes dy shteteve dhe se ajo çfarë vlen për veturat e një shteti do të vlejë dhe për targat e veturave të shtetit tjetër. E dyta kishte të bëjë me heqjen e targave ilegale, që qarkullojnë ende në veri të Kosovës, të cilat duhet të hiqen nga qarkullimi për 12 muaj, marrëveshje kjo e cila do të fillojë të zbatohet nga janari i vitit 2017 dhe e treta ishte dakordimi që nga nëntori të fillohet me dhënien e dokumenteve të shtetësisë së Kosovës në katër komuna veriore.
 

Haziri: Serbia po e neglizhon marrëveshjen


I pyetur për këtë çështje, Lutfi Haziri nga LDK-ja ka thënë se është Serbia ajo e cila po i neglizhon marrëveshjet me Kosovën dhe se kjo sjellje e tyre nuk do të ndryshojë pa përfshirjen e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë. “Sikur në shumicën e marrëveshjeve të tjera që Serbia bën intruksione në zbatimin e marrëveshjeve, duke i neglizhuar dhe strategjikisht duke mos i zbatuar, kjo është në kuadër të domenit të mossublementimit nga ana e Serbisë”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, me ndërhyrje të ndërmjetësuesve do të jetë e vështirë që të zbatohet kjo marrëveshje, sepse, siç thotë ai, ka edhe marrëveshje të tjera që Serbia i ka çuar në Gjykatën Kushtetuese dhe i ka shpallur antikushtetuese.“Duke e njohur kulturën e Serbisë, në kuadër të dialogut dhe të negociatave ajo ka nevojë gjithmonë për një presion të vazhdueshëm në implementim”, ka shtuar Haziri. Sa i përket shtetit të Kosovës, lidhur me këtë marrëveshje ai thotë se “Kosova në çdo aspekt i ka realizuar obligimet e veta”.

MST: Selimi: Nuk është hera e parë që Serbia nuk i zbaton marrëveshjet

Edhe Rexhep Selimi, nga “Vetëvendosja”, thotë se kjo marrëveshje e harruar, e cila nuk po zbatohet, është njësoj sikur çdo marrëveshje tjetër që do të arrihet me Serbinë, ku ose do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën ose nuk do të zbatohet nga Serbia. “Kështu ndodh kur për Kosovën vendosin dhe nënshkruajnë Hashim Thaçi e Edita Tahiri. Kur e nënshkruajnë fusnotën ajo zbatohet dhe quhet sukses, kurse kur nënshkruhet ndonjë marrëveshje, sikur ajo e targave, harrohet dhe nuk zbatohet. Sipas tij, nuk është hera e parë që Serbia nuk zbaton marrëveshje, që eventualisht nuk janë në përputhje të plotë me kushtetutën e tyre, sepse, vlerëson ai, ka edhe marrëveshje të tjera që ata nuk i kanë zbatuar. “Në kohën kur është pritur të implementohet kjo marrëveshje, edhe ashtu e keqe, arsyeja ishte se nuk janë shtypur letrat mbuluese me ngjitës për tabelat. Kjo “arsye” ishte tallja e radhës e Thaçit dhe Editës ndaj qytetarëve të Kosovës. Prandaj, çdo marrëveshje që do të arrihet në bisedime me Serbinë ose do të jetë në kundërshtim të Kushtetutës së Kosovës, ose nuk do të zbatohet nga Serbia”, ka thënë ai.

Krasniqi: Barra e përgjegjësisë është në Beograd

Ndërsa njohësja e kësaj çështjeje, Jeta Krasniqi, nga KDI-ja, konsideron që kjo marrëveshje një vit pas nënshkrimit të saj është dashur të zbatohet, si dhe duke mos ndodhur një gjë e tillë të vetmit që dëmtohen janë qytetarët. “Marrëveshja Kosovë-Serbi për Targat është një segment shumë i rëndësishëm në kuadër të ujdisë për qarkullim të lirë të qytetarëve. Afati 1-vjeçar për të nisur zbatimi i njohjes së targave të ndërsjella veçse ka kaluar, përderisa Marrëveshja është dashur të zbatohet në praktikë. Për fat të keq edhe kjo ujdi, si ato tjerat, ka hasur në interpretim dypalësh në Beograd dhe në Prishtinë, duke shpërfillur në tërësi ujdinë dhe duke dëmtuar seriozisht qytetarët. Tabelat “Proba” veçse duhet hequr, derisa Serbia, ashtu siç e ka dhënë zotimin në Bruksel ndërmjet zyrtarëve të vet, duhet t'i pranojë tabelat RKS dhe KS të Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi. Ajo thotë që palët duhet t'u përmbahen zotimeve duke lehtësuar qarkullimin e lirë të qytetarëve, sepse “për këtë punë po bëhet dialogu. Ai duhet të sjellë rezultate konkrete”. Krasniqi thekson se pala përgjegjëse për mosfunksionimin e kësaj marrëveshjeje është Serbia, pasi që Kosova nuk e ka kundërshtuar asnjëherë këtë marrëveshje. “Konsideroj se barra e përgjegjësisë është në Beograd, meqë Kosova asnjëherë nuk ka bërë probleme për targat e Serbisë. Janë qytetarët kosovarë që po i bartin pasojat, duke improvizuar dhe duke shpenzuar mjete, të cilat në logjikën normale të komunikimit nuk duhet të ishin shpenzuar. Si pasojë e mospërmbushjes së ujdisë pasoja po bartin edhe qytetarët e Preshevës, ndërsa institucionet relevante të Kosovës duhet t’i njoftojnë qytetarët se ku janë ngecjet në zbatimin e marrëveshjeve dhe hapave që po marrin në këtë drejtim, qoftë edhe me elementin e shiritave të bardhë të propozuar për targat”, ka përfunduar Krasniqi