Shkeljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të trajtohen me ligj të veçantë

Aktuale December 15, 2017 - 15:43

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se me qëllim të trajtimit të shkeljeve disiplinore eventuale nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve është nevojë imediate që të ketë një ligj të veçantë.

Sipas tij, Zyra e Prokurorit Disiplinor përkundër angazhimit në realizimin e mandatit të saj, trajtimin e përgjegjësisë disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk ka arritur ta siguroj në mënyrë efektive dhe profesionale.

Ministër, aktualisht cili është mekanizmi institucional që trajton, shqyrton dhe vendos për përgjegjësinë disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë?

Vet iniciativa për hartimin e kuadrit të veçantë ligjor që mëton të rregullojë më mirë aspektet e trajtimit të përgjegjësisë disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë, është e bazuar në nevojat aktuale të vet sistemit të drejtësisë për të ngritur transparencën dhe llogaridhënien, por edhe si kriter i vendosur në kuadër të proceseve integruese dhe që evidentohet edhe në Raportin e Progresit të vitit 2016.

Aktualisht është Zyra e Prokurorit Disiplinor që funksionon si mekanizëm institucional, mbështetur në Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, dhe që shërben për të trajtuar përgjegjësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Megjithatë, kjo Zyrë, përkundër angazhimit në realizimin e mandatit të saj, është vlerësim i shumë aktorëve institucional, që trajtimin e përgjegjësisë disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk ka arritur ta siguroj në mënyrë efektive dhe profesionale.

Cili është mekanizimi që krijon ligji i ri, për trajtimin e përgjegjësisë disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë?

Me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe përgjegjësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët shërbejnë në kuadër të sistemit të drejtësisë, siç e theksova, është nevojë imediate që të trajtohet me ligj të veçante përgjegjësia e tyre, në mënyrë që të rritet efikasiteti i trajtimit të aspekteve të ndryshme të shkeljeve disiplinore eventuale, nga njëra anë, dhe po ashtu edhe ngritja në nivel më të lartë institucional të trajtimit të kësaj përgjegjësie, nga ana tjetër.

Prandaj, është vizioni im, i mbështetur edhe nga mekanizmat tjerë të sistemit të drejtësisë, por edhe rekomandim i partnerëve tanë strategjik, mbështetës të sektorit të drejtësisë në Kosovë, që trajtimi i përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve të bartet tek këshillat përkates, respektivisht Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshilli Prokurorial të Kosovës.

Për herë të parë me ligj të veçantë do të përcaktohen shkeljet disiplinore, procedurat për fillimin e hetimeve për dyshimet për shkelje disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe procedurat disiplinore pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe mjetet juridike që lidhen me shkeljet disiplinore, pranë Gjykatës Supreme.

Çfarë procedurash përcaktohen në këtë Projektligj për vendosjen para përgjegjësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve?

Ky projektligj përcakton në mënyrë të detajuar situatat në të cilat gjyqtari apo prokurori kryen shkelje disiplinore, por edhe përcakton në mënyrë të qartë edhe sanksionet disiplinore dhe mënyren e shkarkimit të tyre.

Gjithashtu ky projektligj ofron të gjithë subjekteve (personave fizik dhe juridik) mundësinë e parashtrimit të ankesave të tyre për ndonjë gjyqtar apo prokuror me ndonjë pretendim për shkelje disiplinore.

Për shkelje disiplinore, Këshillat përkatës mund t’u shqiptojnë gjyqtarëve dhe prokurorëve një ose më shumë nga sanksionet disiplinore që parashikohen në këtë ligj.

Në rast të vërtetimit të shkeljeve, kush merr vendim për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve?

Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vendimet lidhur me emërimin, riemërimin apo shkarkimin e gjyqtarëve ose prokurorëve merren nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të propozimit të Këshillit përkatës. Këshilli përkatës mund t’ia propozojë Presidentit të Republikës shkarkimin e gjyqtarëve apo të prokurorëve vetëm pas dënimit të gjyqtarit ose prokurorit për një vepër të rëndë penale, shkelje të qëllimshme të ligjit, ose mosrespektim të rëndë të detyrave siç përcaktohet në këtë Ligj.

Çka nëse këshillat nuk e trajtojnë me kohë një ankesë nga një palë për sjelljen e caktuar të një gjyqtari apo prokurori?

Ky projektligj po ashtu adreson edhe mundësinë që nëse këshilli përgjegjës nuk e zhvillon procedurën hetimore të paraparë me dispozitat e tij, u jep kompetencë edhe Presidentit, Ministrit të Drejtësisë dhe Avokatit të Popullit që të ushtrojnë ankesë pranë Gjykatës Supreme për mosveprim nga ana e Këshillit përkatës nëse vihen në dijeni apo pranojnë ankesa për mos trajtimin e aspekteve të përgjegjësisë disiplinore të cilitdo gjyqtar apo prokuror.